Mos lejoni asgjë t’ju pengojë të merrni lavdi!
«Kush ka frymën e përulësisë, do të marrë lavdi.»—PROV. 29:23.
1, 2. (a) Ç’kuptim kanë në gjuhët origjinale fjalët e përkthyera «lavdi»? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?
ÇFARË ju vjen ndër mend kur dëgjoni fjalën «lavdi»? Shkëlqimi rrëzëllor i krijimit? (Psal. 19:1) Lëvdatat dhe lavdia që u jepen njerëzve tejet të pasur ose të mençur a me arritje të jashtëzakonshme? Fjalët që në Shkrime janë përkthyer «lavdi», në gjuhët origjinale përcjellin idenë e peshës. Në kohët e lashta, kur paratë ishin prej metalesh të çmuara, sa më shumë të peshonte monedha, aq më tepër vlerë kishte. Fjalët që përdoreshin për të shprehur idenë e peshës morën kuptimin e figurshëm të diçkaje që është e çmuar, madhështore ose mbresëlënëse.
2 Ne mund të na bëjë përshtypje pushteti, pozita ose reputacioni i dikujt, por çfarë sheh Perëndia te njerëzit? Faktikisht, Shkrimet flasin për lavdinë që Perëndia u jep njerëzve. Për shembull, Proverbat 22:4 thotë: «Fryti i përulësisë dhe frika nga Jehovai është pasuri, lavdi dhe jetë.» Ndërsa dishepulli Jakov shkroi: «Përuluni para Jehovait, dhe ai do t’ju lartësojë.» (Jak. 4:10) Ç’është lavdia që Jehovai u jep njerëzve? Ç’mund të na pengojë ta marrim atë? Si mund t’i ndihmojmë të tjerët ta marrin këtë lavdi?
3-5. Drejt cilës lavdi mund të na prijë Jehovai?
3 Psalmisti shprehu sigurinë se Jehovai do ta kapte nga dora e djathtë dhe do t’i printe drejt lavdisë së vërtetë. (Lexo Psalmin 73:23, 24.) Si e bën këtë Jehovai? Ai u prin shërbëtorëve të tij të përulur drejt lavdisë duke i nderuar në mjaft mënyra. I bekon me kuptueshmëri për vullnetin e tij. (1 Kor. 2:7) Atyre që dëgjojnë fjalën e tij dhe i binden, u jep nderin që të kenë një marrëdhënie të ngushtë me të.—Jak. 4:8.
4 Gjithashtu, shërbëtorëve të tij Jehovai u beson thesarin e lavdishëm të shërbimit të krishterë. (2 Kor. 4:1, 7) E ky shërbim çon drejt lavdisë. Atyre që e përdorin privilegjin e shërbimit për lavdinë e tij dhe për dobinë e të tjerëve, Jehovai u premton: «Unë do të nderoj ata që më nderojnë.» (1 Sam. 2:30) Ata nderohen me një emër të mirë para Jehovait dhe ka të ngjarë që shërbëtorët e tjerë të Perëndisë të flasin mirë për ta.—Prov. 11:16; 22:1.
5 Ç’mund të thuhet për të ardhmen e atyre që ‘shpresojnë te Jehovai dhe ndjekin udhët e tij’? Atyre u është premtuar: «Ai [Jehovai] do të të lartësojë dhe ti do të trashëgosh tokën. Ti do të shohësh kur të shfarosen të ligjtë.» (Psal. 37:34) Këta presin me padurim të kenë nderin e pashoq që të marrin jetën e përhershme.—Psal. 37:29.
«UNË NUK PRANOJ LAVDI NGA NJERËZIT»
6, 7. Pse shumë veta nuk donin të tregonin besim te Jezui?
6 Çfarë mund të na pengojë të marrim lavdinë që Jehovai do që të na japë? Një gjë është rëndësia e tepërt që u japim opinioneve të atyre që nuk kanë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Të shqyrtojmë çfarë shkroi apostulli Gjon për disa njerëz me autoritet në ditët e Jezuit: «Edhe shumë nga krerët treguan besim tek ai [Jezui], por nuk dëshmonin për të për shkak të farisenjve, që të mos përjashtoheshin nga sinagoga, sepse donin lavdinë e njerëzve më shumë se lavdinë e Perëndisë.» (Gjoni 12:42, 43) Sa mirë do të ishte sikur ata sundimtarë të mos i kishin dhënë kaq rëndësi mendimit të farisenjve.
7 Më herët gjatë shërbimit, Jezui kishte identifikuar qartë arsyen pse shumë veta nuk do ta pranonin dhe nuk do të tregonin besim tek ai. (Lexo Gjonin 5:39-44.) Kombi i Izraelit e kishte pritur prej shekujsh ardhjen e Mesisë. Kur Jezui filloi t’i mësonte njerëzit, disa mund të kenë dalluar nga profecia e Danielit se kishte ardhur koha e caktuar për shfaqjen e Krishtit. Muaj më parë, kur Gjon Pagëzori filloi të predikonte, shumë thoshin: «A thua është ai Krishti?» (Luka 3:15) Tani, Mesia i shumëpritur ishte mes tyre e po i mësonte. Mirëpo, ata që e njihnin Ligjin në majë të gishtave nuk e pranuan. Duke përcaktuar arsyen, Jezui i pyeti: «Si mund të besoni, kur pranoni lavdi nga njëri-tjetri dhe nuk kërkoni lavdinë që është nga i vetmi Perëndi?!»
8, 9. Me anë të ilustrimit të dritës, tregoni se si lavdia njerëzore mund ta eklipsojë lavdinë hyjnore.
8 Lavdia njerëzore mund ta eklipsojë lavdinë hyjnore dhe këtë mund ta ilustrojmë duke e krahasuar lavdinë me dritën. Universi ynë shkëlqimplotë është i tejmbushur me lavdi. A të kujtohet hera e fundit kur vështrove qiellin në një natë të kthjellët dhe u gjende i rrethuar nga mijëra yje? «Lavdia e yjeve» të lë pa fjalë. (1 Kor. 15:40, 41) Por, si duket i njëjti qiell kur e shohim nga rruga e një qyteti shumë të ndriçuar? E pra, dritat e qytetit na e bëjnë gati të pamundur të shohim dritën e yjeve të largëta. Mos vallë ngaqë dritat e rrugëve, të stadiumeve dhe të ndërtesave janë më të forta ose më të bukura se drita e yjeve? Jo. Kjo ndodh pasi dritat e qytetit janë më afër nesh dhe na pengojnë të dallojmë qartë krijimin e Jehovait. Që të shohim mrekullitë e qiellit natën, duhet të bllokojmë ose të shmangim disi dritën artificiale.
9 Po kështu, nëse lavdia e gabuar do të ishte fare afër zemrës sonë, mund të na pengonte të çmonim dhe të kërkonim lavdinë e qëndrueshme që Jehovai do që të na japë. Shumë nuk e pranojnë mesazhin e Mbretërisë ngaqë kanë frikë se çfarë do të mendojnë për ta të njohurit ose familjarët. Por, a mund të prekë edhe shërbëtorët e kushtuar të Perëndisë dëshira për të marrë lavdi nga njerëzit? Ta zëmë se një i ri caktohet të predikojë në një zonë ku e njohin mirë, por ende nuk njihet si Dëshmitar i Jehovait. A do të sprapset nga frika? Ose, po sikur dikë ta tallin ngaqë ndjek synime teokratike? A do të lejojë që ata pa një këndvështrim të qartë frymor të ndikojnë në zgjedhjet e tij në jetë? Ose, ndoshta një i krishterë ka kryer një mëkat të rëndë. A do ta fshehë keqbërjen nga frika se mos i prishet reputacioni në kongregacion ose ngaqë nuk do që t’i zhgënjejë njerëzit e tij të dashur? Në rastin e fundit, nëse mendimi i tij parësor është të ndreqë marrëdhënien me Jehovain, «[do] të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit» dhe do t’u kërkojë ndihmë.—Lexo Jakovin 5:14-16.
10. (a) Si mund të na mjegullojë gjykimin meraku i tepërt për mënyrën si na shohin të tjerët? (b) Për çfarë jemi të sigurt nëse veprojmë me përulësi?
10 Mbase po përparojmë drejt pjekurisë së krishterë, por na këshillon një bashkëbesimtar. Vërejtjet e tij të sinqerta mund të na ndihmojnë nëse nuk ngremë një mburojë ngaqë jemi krenarë, ngaqë s’duam të bëjmë figurë të keqe ose ngaqë tundohemi të justifikojmë sjelljen tonë. Ose ta zëmë se po punon në një projekt me një bashkëbesimtar. Bashkëpunimi yt, a do të ndikohet nga meraku se kush do të marrë meritën për idetë e tua të mira dhe për punën tënde të palodhur? Nëse gjendesh në një nga këto situata, ji i sigurt se «kush ka frymën e përulësisë, do të marrë lavdi».—Prov. 29:23.
11. Ç’ndjesi duhet të provojmë kur na lëvdojnë dhe pse?
11 Po njësoj, mbikëqyrësit dhe ata që ‘synojnë’ një detyrë të tillë duhet të tregojnë kujdes të mos kërkojnë lëvdata nga njerëzit. (1 Tim. 3:1; 1 Sel. 2:6) Si duhet të reagojë një vëlla kur e lavdërojnë sinqerisht për një punë të bërë mirë? Mbase nuk do t’i ngrejë vetes një përmendore si Sauli. (1 Sam. 15:12) Megjithatë, a e pranon menjëherë se kjo arritje ishte vetëm falë dashamirësisë së pamerituar të Jehovait dhe se çdo shpresë për të pasur sukses në të ardhmen varet ende nga bekimi dhe ndihma e Tij? (1 Pjet. 4:11) Ndjesia që provojmë kur na lëvdojnë, zbulon se ç’lloj lavdie po kërkojmë.—Prov. 27:21.
«DONI TË BËNI DËSHIRAT E ATIT TUAJ»
12. Çfarë i pengonte disa judenj të dëgjonin Jezuin?
12 Një gjë tjetër që mund të na pengojë të marrim lavdi nga Perëndia janë dëshirat tona. Dëshirat e gabuara mund të na pengojnë që të mos e dëgjojmë fare të vërtetën. (Lexo Gjonin 8:43-47.) Jezui u tha disa judenjve se nuk e dëgjonin mesazhin e tij ngaqë ‘donin të bënin dëshirat e atit të tyre, Djallit’.
13, 14. (a) Ç’thonë studiuesit për mënyrën si e përpunon truri të folurit? (b) Nga se përcaktohet se kë do të dëgjojmë?
13 Ajo që dëshirojmë ndikon te mënyra si dëgjojmë. (2 Pjet. 3:5) Jehovai na krijoi me aftësinë e jashtëzakonshme që të shpërfillim zhurmat e padëshiruara. Ndalu për një çast dhe përqendrohu për të dalluar sa tinguj mund të pikasësh tani. Ndoshta pak më parë nuk ishe i vetëdijshëm për shumë prej tyre. Sistemi limbik i trurit të ndihmoi të përqendroheshe në një gjë, edhe pse kishe aftësinë të dëgjoje një larmi tingujsh. Por studiuesit kanë zbuluar se procesi i dallimit të shumë tingujve të njëkohshëm, bëhet gjithnjë e më i vështirë kur dëgjojmë të folurit e njerëzve. Kjo do të thotë se, kur dëgjon dy zëra në të njëjtën kohë, duhet të zgjedhësh te cili do të përqendrohesh. Zgjedhja jote do të varet nga ajo që dëshiron të dëgjosh. Judenjtë që donin të bënin dëshirat e atit të tyre, Djallit, nuk e dëgjuan Jezuin.
14 Ne marrim mesazhe nga ‘shtëpia e mençurisë’ dhe nga ‘shtëpia e budallallëkut’. (Prov. 9:1-5, 13-17) Edhe mençuria, edhe budallallëku, si të thuash, vazhdojnë të na thërrasin, dhe kjo na vë para një zgjedhjeje. Cilën ftesë do të pranojmë? Varet se vullnetin e kujt duam të bëjmë. Delet e Jezuit e dëgjojnë zërin e tij dhe e ndjekin. (Gjoni 10:16, 27) Ata janë «në anën e së vërtetës». (Gjoni 18:37) «Nuk e njohin zërin e të panjohurve.» (Gjoni 10:5) Këta të përulur marrin lavdi.—Prov. 3:13, 16; 8:1, 18.
«NËNKUPTOJNË LAVDI PËR JU»
15. Si mund ‘të nënkuptonin lavdi’ për të tjerët shtrëngimet e Pavlit?
15 Qëndrueshmëria jonë ndërsa bëjmë vullnetin e Jehovait do t’i ndihmojë të tjerët të marrin lavdi. Pavli i shkroi kongregacionit të Efesit: «Ju kërkoj të mos dorëzoheni për shkak të shtrëngimeve të mia për ju, sepse nënkuptojnë lavdi për ju.» (Efes. 3:13) Në ç’kuptim shtrëngimet e Pavlit ‘nënkuptonin lavdi’ për efesianët? Gatishmëria e Pavlit që të vazhdonte t’u shërbente efesianëve pavarësisht nga sprovat, u tregoi se privilegjet që gëzonin si të krishterë kishin peshë dhe vlerën më të lartë që mund të imagjinohet. Sikur Pavli të ishte dorëzuar nën shtrëngim, a nuk do t’u kishte përcjellë kjo mesazhin se marrëdhënia me Jehovain, shërbimi dhe shpresa e tyre ishin pa vlerë? Qëndrueshmëria e Pavlit lartësoi krishterimin dhe tregoi se ia vlen çdo sakrificë për të qenë dishepull.
16. Çfarë shtrëngimi përjetoi Pavli në Listër?
16 Mendoni për ndikimin që patën zelli dhe qëndrueshmëria e Pavlit. Veprat 14:19, 20 thotë: «Nga Antiokia dhe Ikonia erdhën judenj, që u mbushën mendjen turmave të qëllonin Pavlin me gurë. Pastaj e nxorën zvarrë jashtë qytetit [të Listrës], duke kujtuar se kishte vdekur. Mirëpo, kur e rrethuan dishepujt, ai u çua dhe hyri në qytet. Të nesërmen u nis me Barnabën për në Derbë.» Imagjino të të lënë si të vdekur një ditë dhe të nesërmen të bësh një udhëtim prej 100 kilometrash, pa mjetet moderne të transportit.
17, 18. (a) Pse themi se Timoteu mund t’i ketë ndjekur hap pas hapi vuajtjet e Pavlit në Listër? (b) Ç’ndikim pati qëndrueshmëria e Pavlit te Timoteu?
17 A ishte Timoteu një nga «dishepujt» që i erdhën në ndihmë Pavlit? Tregimi në librin e Veprave nuk e thotë hapur, por mund të ketë qenë kështu. Të shqyrtojmë çfarë shkroi Pavli në Letrën e Dytë drejtuar Timoteut: «Ti ke ndjekur hap pas hapi mësimin tim, mënyrën time të të jetuarit, . . . ato që më ndodhën në Antioki [dëbimi nga qyteti], në Ikoni [orvatja për ta qëlluar me gurë] e në Listër [goditja me gurë] dhe përndjekje si ato që kam duruar, e megjithatë Zotëria më çliroi nga të gjitha.»—2 Tim. 3:10, 11; Vep. 13:50; 14:5, 19.
18 Timoteu i ‘ndoqi hap pas hapi’ këto ngjarje dhe e njihte mirë qëndrueshmërinë e Pavlit. Kjo la gjurmë të thellë në mendjen e Timoteut. Kur Pavli vizitoi Listrën, pa se Timoteu ishte i krishterë shembullor dhe «vëllezërit në Listër dhe Ikoni flitnin mirë për të». (Vep. 16:1, 2) Me kalimin e kohës, Timoteu u kualifikua të merrte përgjegjësi me peshë.—Filip. 2:19, 20; 1 Tim. 1:3.
19. Ç’ndikim mund të ketë te të tjerët qëndrueshmëria jonë?
19 Qëndrueshmëria jonë ndërsa bëjmë vullnetin e Perëndisë mund të ketë ndikim të ngjashëm te të tjerët, sidomos te të rinjtë, shumë prej të cilëve kur të rriten, do të bëhen shërbëtorë tejet të çmuar të Perëndisë. Dishepujt e rinj jo vetëm na vëzhgojnë dhe mësojnë nga ne cilësi e aftësi oratorike kur jemi në shërbim, por edhe nxjerrin dobi kur shohin si i përballojmë rrethanat poshtëruese në jetë. Pavli ‘vazhdoi të qëndronte në gjithçka’ që, të gjithë ata që qëndrojnë besnikë, ‘të fitojnë shpëtimin bashkë me lavdinë e përhershme’.—2 Tim. 2:10.
20. Pse duhet të vazhdojmë të kërkojmë lavdinë që është nga Perëndia?
20 Atëherë, a nuk duhet të vazhdojmë ‘të kërkojmë lavdinë që është nga i vetmi Perëndi’? (Gjoni 5:44; 7:18) Patjetër. (Lexo Romakëve 2:6, 7.) Jehovai u jep «jetë të përhershme atyre që po kërkojnë lavdi». Për më tepër, «duke treguar qëndrueshmëri në veprën e mirë», i nxitim të tjerët të qëndrojnë të palëkundur për dobinë e tyre të përhershme. Prandaj, mos lejoni asgjë t’ju pengojë të merrni lavdinë që jep Perëndia!