Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Lukës

Pika kryesore nga libri i Lukës

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Lukës

UNGJILLI i Mateut dihet se u shkrua kryesisht për lexuesit hebrenj dhe Ungjilli i Markut për johebrenjtë. Ndërsa Ungjilli i Lukës u bë për njerëzit e të gjitha kombeve. Libri i Lukës u shkrua rreth viteve 56-58 të e.s. dhe është një tregim i hollësishëm për jetën dhe shërbimin e Jezuit.

Me syrin e një mjeku të dhimbsur e të kujdesshëm, Luka gjurmon «me saktësi të gjitha gjërat që nga fillimi» dhe përmbledh në librin e tij një hark kohor prej 35 vjetësh, nga viti 3 p.e.s. deri në 33 të e.s. (Luka 1:3) Gati 60 për qind e materialit të Ungjillit të Lukës nuk gjendet tjetërkund.

FILLIMI I SHËRBIMIT

(Luka 1:1–9:62)

Pasi jep hollësira për lindjen e Gjon Pagëzorit dhe të Jezuit, Luka tregon se Gjoni e filloi shërbimin në vitin e 15-të të mbretërimit të Tiberit Cezar, pra në pranverën e vitit 29 të e.s. (Luka 3:1, 2) Jezui pagëzohet nga Gjoni në vjeshtën e atij viti. (Luka 3:21, 22) Nga viti 30 i e.s., ‘Jezui kthehet në Galile dhe fillon të mësojë nëpër sinagogat e tyre’.​—Luka 4:14, 15.

Jezui fillon udhëtimin e parë të predikimit në Galile. Ai i thotë turmës: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera.» (Luka 4:43) Ai merr me vete Simon peshkatarin dhe të tjerë. Ai u thotë Simonit dhe të tjerëve: «Që tani e tutje do të zësh njerëz të gjallë.» (Luka 5:1-11; Mat. 4:18, 19) Të 12 apostujt janë me Jezuin gjatë udhëtimit të dytë të predikimit në Galile. (Luka 8:1) Në udhëtimin e tretë i dërgon të 12-t ‘të predikojnë mbretërinë e Perëndisë e të shërojnë’.​—Luka 9:1, 2.

Përgjigjet e pyetjeve biblike

1:35—A luajti rol në shtatzëni qeliza vezë e Marisë? Që fëmija i Marisë të ishte vërtet pasardhës i të parëve të saj, Abrahamit, Judës dhe Davidit, siç premtoi Perëndia, qeliza vezë e Marisë duhej të luante rol në shtatzëninë e saj. (Zan. 22:15, 18; 49:10; 2 Sam. 7:8, 16) Sidoqoftë fryma e shenjtë e Jehovait u përdor për të transferuar jetën e përsosur të Birit të Perëndisë dhe për të shkaktuar ngjizjen. (Mat. 1:18) Me sa duket, kjo gjë hoqi çdo papërsosmëri në qelizën vezë të Marisë dhe qysh nga fillimi e mbrojti embrionin nga çdo dëmtim.

1:62—A u bë Zakaria memec dhe i shurdhër? Jo. Vetëm nuk fliste dot. Të tjerët e pyetnin «me shenja» si donte të quhej fëmija, por jo se Zakaria ishte i shurdhër. Ka shumë të ngjarë që ai e dëgjoi çfarë kishte thënë e shoqja për emrin që duhej t’i vinin të birit. Ndoshta të tjerët e pyetën Zakarinë me një shenjë a gjest tamam për këtë. Fakti që duhej t’i vinte vetëm goja tregon se Zakaria nuk e kishte humbur dëgjimin.​—Luka 1:13, 18-20, 60-64.

2:1, 2—Në ç’mënyrë përmendja e ‘regjistrimit të parë’ ndihmon të përcaktohet koha kur lindi Jezui? Gjatë sundimit të Cezar Augustit nuk u bë vetëm një regjistrim. I pari u bë në vitin 2 p.e.s. në përmbushje të Danielit 11:20, kurse i dyti u bë në vitin 6 ose 7 të e.s. (Vep. 5:37) Gjatë të dyja regjistrimeve, Kuirini ishte guvernator i Sirisë, pra, me sa duket, e ka pasur dy herë atë post. Përmendja e regjistrimit të parë nga Luka, tregon se Jezui lindi në vitin 2 p.e.s.

2:35—Në ç’kuptim «një shpatë e gjatë» do t’i tejshponte shpirtin Marisë? Këtu e ka fjalën për dhembjen që do të ndiente Maria kur të shihte se pjesa dërrmuese e popullit do ta hidhte poshtë Jezuin si Mesia dhe pikëllimin e saj për vdekjen e tij të dhembshme.​—Gjoni 19:25.

9:27, 28—Përse Luka thotë se shpërfytyrimi ndodhi «tetë ditë» pasi Jezui u premtoi dishepujve se disa prej tyre ‘nuk do ta shijonin fare vdekjen’ pa e parë Jezuin të vinte si Mbret, ndërkohë që Mateu dhe Marku thonë se kjo ndodhi «gjashtë ditë më pas»? (Mat. 17:1; Mar. 9:2) Me sa duket Luka përfshin edhe dy ditë të tjera, ditën kur Jezui bëri premtimin dhe ditën kur u përmbush ky premtim.

9:49, 50—Pse Jezui nuk e pengoi një njeri të dëbonte demonë, ndonëse ai nuk po e ndiqte Jezuin? Jezui nuk e pengoi atë burrë, sepse kongregacioni i krishterë nuk ishte formuar ende. Ndaj që ai njeri të tregonte se kishte besim te emri i Jezuit dhe të dëbonte demonë, nuk ishte e domosdoshme që ta shoqëronte Jezuin.​—Mar. 9:38-40.

Mësime për ne:

1:32, 33; 2:19, 51. Maria i ruante në zemër ngjarjet dhe thëniet që përmbushnin profecitë. A i ruajmë edhe ne në zemër ato që paratha Jezui për ‘përfundimin e sistemit’, duke i krahasuar me çka po ngjet sot?​—Mat. 24:3.

2:37. Shembulli i Anës na mëson se duhet ta adhurojmë Jehovain me qëndrueshmëri, duhet ‘të ngulmojmë në lutje’ dhe të mos braktisim «mbledhjet tona» të krishtere.​—Rom. 12:12; Hebr. 10:24, 25.

2:41-50. Jozefi e vinte adhurimin e Perëndisë në vend të parë në jetë dhe kujdesej për mirëqenien fizike dhe frymore të familjes së tij. Kështu, la një shembull të shkëlqyer për kryefamiljarët.

4:4. Nuk duhet të lëmë të kalojë asnjë ditë pa shqyrtuar Fjalën e Perëndisë.

6:40. Një mësues i Fjalës së Perëndisë duhet të jetë shembull për studentët e tij. Ai duhet të zbatojë atë që u mëson.

8:15. Që ‘të mbajmë fjalën e Perëndisë dhe të japim fryt me qëndrueshmëri’, duhet ta kuptojmë, ta vlerësojmë dhe ta përvetësojmë atë. Meditimi dhe lutjet janë të nevojshme kur lexojmë Biblën dhe literaturën biblike.

SHËRBIMI I MËVONSHËM I JEZUIT

(Luka 10:1–24:53)

Jezui dërgon përpara 70 të tjerë në qytetet dhe vendet e Judesë. (Luka 10:1) Ai shkon «nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke mësuar».​—Luka 13:22.

Pesë ditë para pashkës së vitit 33 të e.s., Jezui hyn në Jerusalem hipur mbi një kërriç. Ka ardhur koha të përmbushen fjalët që u tha dishepujve: «Biri i njeriut do të vuajë shumë dhe do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët. Do ta vrasin dhe do të ngrihet nga të vdekurit ditën e tretë.»​—Luka 9:22, 44.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

10:18—Për çfarë e kishte fjalën Jezui kur u tha 70 dishepujve: «Unë nisa ta shihja Satanain tashmë të rënë si rrufe nga qielli.» Jezui nuk po thoshte se Satanai tashmë ishte dëbuar nga qielli. Kjo ndodhi pak pasi Krishti u bë Mbret në qiell në vitin 1914. (Zbul. 12:1-10) Ndonëse nuk mund ta themi prerë, përdorimi i kohës së shkuar për një ngjarje të së ardhmes nga Jezui, me sa duket, theksonte se do të ndodhte me siguri.

14:26—Në ç’kuptim dishepujt e Krishtit duhet ‘të urrejnë’ të afërmit? Në Bibël, fjala «urrej» mund të ketë kuptimin të duash dikë apo diçka më pak se një tjetër. (Zan. 29:30, 31) Të krishterët duhet ‘të urrejnë’ të afërmit në kuptimin që duhet t’i duan ata më pak se Jezuin.​—Mat. 10:37.

17:34-37—Ç’përfaqësojnë «shqiponjat» dhe «trupi» ku mblidhen? Ata që «merren» ose shpëtohen, krahasohen me shqiponjat largpamëse. «Trupi» ku mblidhen, është Krishti i vërtetë gjatë pranisë së padukshme dhe ushqimi frymor që Jehovai u siguron.​—Mat. 24:28.

22:44—Pse Jezuin e pushtoi ankthi? Kishte një sërë arsyesh. Jezui ishte në merak se si do të ndikonte vdekja e tij si kriminel te Perëndia Jehova dhe tek emri i Tij. Përveç kësaj, Jezui e dinte fare mirë se jeta e tij e përhershme dhe e ardhmja e mbarë njerëzimit, varej nga besnikëria e tij.

23:44—A ishte eklips diellor errësira prej tri orësh? Jo. Eklipset diellore ndodhin vetëm kur është hëna e re, jo kur është e plotë si në kohën e pashkës. Errësira në ditën e vdekjes së Jezuit ishte një mrekulli nga Perëndia.

Mësime për ne:

11:1-4. Kur krahasojmë këto udhëzime me fjalët disi të ndryshme të lutjes model, që u tha në Predikimin në Mal rreth 18 muaj më parë, kuptojmë qartë se lutjet tona nuk duhet të jenë thjesht përsëritje fjalësh.​—Mat. 6:9-13.

11:5, 13. Ndonëse Jehovai është i gatshëm t’u përgjigjet lutjeve tona, duhet të ngulmojmë në lutje.​—1 Gjon. 5:14.

11:27, 28. Lumturia e vërtetë vjen kur me besnikëri bëjmë vullnetin e Perëndisë, dhe jo nga marrëdhëniet familjare ose nga grumbullimi i pasurive.

11:41. Lëmoshat ose ndihmat materiale duhet t’i japim me dëshirë nga një zemër plot dashuri.

12:47, 48. Dikush që ka më shumë përgjegjësi, por nuk i përmbush ato, është më fajtor se ai që nuk i di apo nuk i kupton plotësisht detyrat e tij.

14:28, 29. Tregohemi të mençur po të shpenzojmë aq sa na e mban xhepi.

22:36-38. Jezui nuk u kërkoi dishepujve të mbanin armë për mbrojtje. Përkundrazi, fakti që mbanin shpata në duar natën kur Jezui u tradhtua, bëri të mundur që ai t’u jepte këtë mësim jetësor: «Të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.»​—Mat. 26:52.

[Figura në faqen 31]

Jozefi la një shembull të shkëlqyer si kryefamiljar

[Figura në faqen 32]

Luka shkroi tregimin më të hollësishëm për jetën dhe shërbimin e Jezuit