Fjala e Jehovait plotësohet gjithnjë
Fjala e Jehovait plotësohet gjithnjë
«Nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta.»—JOSIU 23:14.
1. Kush ishte Josiu dhe çfarë bëri në fund të jetës së tij?
JOSIU ishte një komandant ushtarak i shkathët e sypatrembur, një njeri me besim e integritet. Ai e ndoqi hap pas hapi Moisiun. Jehovai e përzgjodhi për ta nxjerrë kombin e Izraelit nga shkretëtira e tmerrshme dhe për ta çuar në një vend ku rridhte qumësht e mjaltë. Aty nga fundi i jetës së tij, ky njeri i respektuar mbajti një fjalim lamtumire para pleqve të Izraelit. Pa dyshim, fjalimi ua forcoi besimin atyre që e dëgjuan, e mund të ndikojë po njësoj te ne.
2, 3. Cila ishte situata e Izraelit kur Josiu mbajti fjalimin para pleqve të kombit, dhe çfarë tha ai?
2 Përfytyroni skenën siç e përshkruan Bibla: «Shumë kohë pasi Jehovai i kishte dhënë Izraelit prehje nga tërë armiqtë e tij rreth e qark, kur ishte i moshuar, i shkuar në moshë, Josiu thirri tërë Izraelin dhe pleqtë—krerët, gjykatësit dhe të parët e tij—e u tha: ‘Unë jam i plakur, i shkuar në moshë.’»—Josiu 23:1, 2.
3 Josiu po shkonte 110 vjeç. Kishte jetuar në një nga periudhat më intensive të historisë së popullit të Perëndisë. Kishte parë vepra të fuqishme të Jehovait dhe se si Ai kishte përmbushur shumë premtime. Pra, me këtë siguri të plotë që i vinte nga përvoja, tha: «Ju e dini mirë me gjithë zemër e me gjithë shpirt se nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta. Asnjë nuk mbeti pa u plotësuar.»—Josiu 23:14.
4. Çfarë premtimesh u kishte bërë Jehovai izraelitëve?
4 Cilat fjalë të Jehovait kishin dalë të vërteta gjatë jetës së Josiut? Do të shqyrtojmë tri premtime që u kishte bërë Jehovai izraelitëve. Ai u kishte thënë se do t’i çlironte nga skllavëria, se do t’i mbronte dhe se do të kujdesej për ta. Edhe në kohët e sotme, Jehovai i ka bërë premtime të ngjashme popullit të tij dhe ne i kemi parë të plotësohen gjatë jetës sonë. Por, para se të shqyrtojmë ç’ka bërë Jehovai në kohët tona, le të shohim çfarë bëri në kohën e Josiut.
Jehovai e çliroi popullin e tij
5, 6. Si i çliroi Jehovai izraelitët nga Egjipti dhe çfarë tregoi kjo?
5 Kur izraelitët i thirrën për ndihmë Jehovait, sepse nuk e duronin dot skllavërinë në Egjipt, ai ua vuri veshin. (Dalja 2:23-25) I tha Moisiut te kaçuba që digjej: «Po gatitem të zbres që t’i çliroj nga dora e egjiptianëve, t’i nxjerr nga ai vend e t’i çoj në një vend të mirë e të gjerë, në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.» (Dalja 3:8) Përfytyro si duhet të ketë qenë të shihje se si e bëri Jehovai këtë! Kur faraoni nuk pranoi që Izraeli të largohej nga Egjipti, Moisiu i tha se Perëndia do t’i kthente në gjak ujërat e lumit Nil. Fjala e Jehovait u plotësua. Lumi u kthye në gjak, peshqit ngordhën dhe uji i Nilit nuk ishte më i pijshëm. (Dalja 7:14-21) Faraoni nguli këmbë në të tijën, kështu që Jehovai solli edhe nëntë plagë të tjera, duke e përshkruar që më përpara secilën prej tyre. (Dalja, kapitujt 8-12) Pas plagës së dhjetë, kur vdiqën gjithë të parëlindurit e Egjiptit, faraoni i urdhëroi izraelitët të largoheshin, e kështu bënë.—Dalja 12:29-32.
6 Ky çlirim bëri të mundur që Jehovai ta zgjidhte Izraelin si kombin e tij të veçantë. Gjithashtu tregoi në mënyrë madhështore se Jehovai është Ai që i përmbush premtimet, ai që e plotëson gjithnjë fjalën e tij. Tregoi epërsinë e Jehovait mbi perënditë e kombeve. Sa na forcohet besimi kur lexojmë për këtë çlirim! Mendoni atëherë si duhet të jenë ndier ata që e përjetuan! Josiu e kuptoi se Jehovai ishte pa dyshim «Më i Larti në tërë dheun».—Psalmi 83:18.
Jehovai e mbrojti popullin e tij
7. Si i mbrojti Jehovai izraelitët nga ushtria e faraonit?
7 Po premtimi i dytë i Jehovait se do ta mbronte popullin e tij? Ai nënkuptohej nga premtimi se do t’i çlironte nga Egjipti e do t’i çonte në Tokën e Premtuar. Pasi Izraeli u largua, faraoni i egërsuar mori ushtrinë e vet të fuqishme, të pajisur me qindra karroca lufte, dhe e ndoqi nga pas. Kushedi sa i sigurt duhet të jetë ndier ai njeri arrogant, sidomos kur u duk sikur izraelitët u zunë në kurth mes maleve dhe detit! Por Perëndia ndërhyri për ta mbrojtur popullin e tij, duke vendosur një re mes dy kampeve. Në anën e egjiptianëve kishte errësirë, kurse në anën e izraelitëve kishte dritë. E ndërsa kjo re i pengonte egjiptianët të përparonin, Moisiu ngriti shkopin që kishte në dorë dhe ujërat e Detit të Kuq u ndanë, duke u bërë shteg kalimi për izraelitët dhe një kurth për egjiptianët. Jehovai e shkatërroi plotësisht ushtrinë e fuqishme të faraonit, duke e mbrojtur popullin e vet nga disfata e sigurt.—Dalja 14:19-28.
8. Ç’mbrojtje patën izraelitët (a) në shkretëtirë dhe (b) kur hynë në Tokën e Premtuar?
8 Pasi kaluan Detin e Kuq, izraelitët u endën nëpër «një shkretëtirë të madhe e të frikshme, me gjarpërinj helmues e akrepa, nëpër një tokë të etur për ujë», siç e përshkruan Bibla. (Ligji i përtërirë 8:15) Jehovai e mbrojti popullin e tij edhe atje. Po kur hynë në Tokën e Premtuar? Kundër tyre ishin ushtritë e fuqishme kananite, por Jehovai i tha Josiut: «Ngrihu bashkë me tërë popullin, kalo Jordanin dhe hyr në vendin që po u jap bijve të Izraelit. Askush nuk do të mund të të bëjë ballë sa të kesh jetë. Siç isha me Moisiun, do të jem edhe me ty. Kurrsesi nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.» (Josiu 1:2, 5) Ato fjalë të Jehovait u plotësuan. Në më pak se gjashtë vjet, Josiu mundi 31 mbretër dhe pushtoi pjesë të mëdha të Tokës së Premtuar. (Josiu 12:7-24) Kjo s’do të kishte qenë e mundur, pa kujdesin dhe mbrojtjen e Jehovait.
Jehovai u kujdes për popullin e tij
9, 10. Si u kujdes Jehovai për popullin e tij kur ishte në shkretëtirë?
9 Le të shohim tani premtimin e tretë, se Jehovai do të kujdesej për popullin e tij. Pak pasi i çliroi nga Egjipti, ai u premtoi izraelitëve: «Unë do të bëj që të bjerë bukë nga qielli për ju. Populli të dalë, dhe secili të mbledhë racionin e vet të përditshëm.» Tamam siç kishte thënë, ai u dha «bukë nga qielli». «Kur bijtë e Izraelit e panë, nisën t’i thoshin njëri-tjetrit: ‘Ç’është kjo?’» Ishte mana, buka që u kishte premtuar Jehovai.—Dalja 16:4, 13-15.
10 Jehovai u kujdes për izraelitët gjatë 40 viteve që ishin në shkretëtirë, duke u siguruar bukë e ujë. Madje u kujdes që të mos u vjetroheshin rrobat e të mos u ënjteshin këmbët. (Ligji i përtërirë 8:3, 4) Josiu i pa me sytë e tij të gjitha këto. Ashtu siç kishte premtuar, Jehovai e çliroi popullin e tij, e mbrojti dhe u kujdes për të.
Çlirim në kohët tona
11. Ç’ndodhi në vitin 1914 në Bruklin, e për çfarë kishte ardhur koha?
11 Po në kohët tona, si na ka çliruar Jehovai? Të premten në mëngjes, më 2 tetor 1914, Çarls Tejz Rasëlli, i cili në atë kohë merrte drejtimin ndër Studentët e Biblës, hyri në dhomën e ngrënies në Bethelin e Bruklinit, në Nju-Jork. «Mirëmëngjes të gjithëve»,—tha buzagaz. Pastaj, para se të ulej, njoftoi gjithë gëzim: «Kohët e johebrenjve mbaruan. Mbretërit e tyre i kanë mbushur ditët.» Kishte ardhur përsëri koha që Jehovai, Sovrani i universit, të vepronte për popullin e tij. Dhe ai veproi!
12. Çfarë çlirimi provoi populli i Jehovait në vitin 1919 dhe ç’ndodhi si rezultat?
12 S’kaluan as pesë vjet dhe Jehovai e çliroi popullin e tij nga «Babilonia e Madhe», perandoria e fuqishme botërore e fesë së rreme. (Zbulesa 18:2) Sot mbeten pak nga ata që e kanë përjetuar vetë atë çlirim madhështor. Por shohim qartë rezultatet. Jehovai e rivendosi adhurimin e pastër dhe i mblodhi së bashku ata që dëshironin fort ta adhuronin. Profeti Isaia e kishte parathënë këtë: «Në ditët e fundit, mali i shtëpisë së Jehovait do të lartësohet patundshmërisht mbi majat e maleve dhe do të ngrihet më lart se kodrat. Drejt tij do të vërshojnë të gjitha kombet.»—Isaia 2:2.
13. Çfarë rritjeje keni parë në popullin e Jehovait?
Gjoni 10:16) Në fillim kishte disa mijëra, pastaj qindra mijë, kurse tani ka me miliona njerëz që po marrin anën e adhurimit të pastër. Në një vegim që iu dha apostullit Gjon, ata përshkruhen si ‘një shumicë e madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte’. (Zbulesa 7:9) Çfarë keni parë ju gjatë jetës suaj? Sa Dëshmitarë të Jehovait kishte kur morët ju të vërtetën? Sot, ka më shumë se 6.700.000 veta që i shërbejnë Jehovait. Duke e çliruar popullin e tij nga Babilonia e Madhe, Jehovai hapi rrugën për rritjen e mrekullueshme që shohim tani në mbarë botën.
13 Fjalët e Isaisë u plotësuan. Në vitin 1919, mbetja e të mirosurve nisi me guxim një fushatë mbarëbotërore predikimi që e lartësoi adhurimin e Perëndisë së vërtetë. Në vitet 30 të shekullit të 20-të, u bë e qartë se po mblidheshin ‘delet e tjera’. (14. Cilin çlirim do të kryejë në të ardhmen Jehovai?
14 Por Jehovai do të kryejë edhe një çlirim tjetër, që do të përfshijë të gjithë banorët e tokës. Ai do të tregojë fuqinë e tij në një mënyrë të mahnitshme kur të zhdukë ata që e kundërshtojnë dhe ta çlirojë popullin e tij për të hyrë në botën e re, ku do të banojë drejtësia. Sa e mrekullueshme do të jetë kur t’i vijë fundi ligësisë dhe të fillojë epoka më e lavdishme në historinë njerëzore!—Zbulesa 21:1-4.
Si na mbron Jehovai sot?
15. Pse populli i Jehovait ka pasur nevojë për mbrojtjen e tij në kohët e sotme?
15 Siç e pamë, izraelitët në kohën e Josiut kishin nevojë për mbrojtjen e Jehovait. A është ndryshe për popullin e Jehovait sot? Jo, aspak! Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij: «Do t’ju dorëzojnë në shtrëngim e do t’ju vrasin, dhe të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.» (Mateu 24:9) Në shumë vende, Dëshmitarët e Jehovait kanë hasur kundërshtim të ashpër dhe përndjekje mizore gjatë viteve. Por Jehovai ka qenë gjithnjë me popullin e tij. (Romakëve 8:31) Një premtim në Fjalën e tij thotë se ‘asnjë armë e sajuar kundër nesh’ nuk do ta ndalë dot veprën e predikimit e të mësimdhënies.—Isaia 54:17.
16. Çfarë provash keni parë që ju bindin se Jehovai e mbron popullin e tij?
16 Pavarësisht se bota i urren, shërbëtorët e Jehovait janë shtuar vazhdimisht dhe tani lulëzojnë në 236 vende. Kjo është vërtet një
dëshmi bindëse se Jehovai është me ne, për të na mbrojtur nga ata që duan të na dërrmojnë ose të na e mbyllin gojën. A ju kujtohet ndonjë udhëheqës i madh politik a fetar që gjatë jetës suaj e ka keqtrajtuar shumë popullin e Perëndisë? Ç’ka ndodhur me këta udhëheqës? Ku janë tani? Shumica janë kthyer në hiç, ashtu siç ndodhi me faraonin në ditët e Moisiut dhe të Josiut. Po ata shërbëtorë të Perëndisë në kohët tona, që kanë vdekur besnikë? Ata janë të mbrojtur në kujtesën e Jehovait. Nuk ka vend më të sigurt se kujtesa e tij. Pra, për sa i përket mbrojtjes, fjalët e Jehovait janë plotësuar.Jehovai kujdeset për popullin e tij sot
17. Çfarë premtimi bëri Jehovai për ushqimin frymor?
17 Jehovai u kujdes për popullin e tij kur ishte në shkretëtirë, e po njësoj kujdeset sot për të. «Skllavi i besueshëm dhe i matur» na jep ushqim frymor. (Mateu 24:45) Marrim njohuri për të vërtetat biblike që ishin mbajtur të fshehta për shekuj të tërë. Një engjëll i tha Danielit: «Mbaji të fshehta fjalët dhe vulose librin, deri në kohën e fundit. Shumë do të enden lart e poshtë dhe njohuria e vërtetë do të jetë e bollshme.»—Danieli 12:4.
18. Pse themi që sot njohuria e vërtetë është e bollshme?
18 Tani po jetojmë në kohën e fundit dhe njohuria e vërtetë është e bollshme. Kudo në botë, fryma e shenjtë i ka drejtuar ata që e duan të vërtetën te njohuria e saktë për Perëndinë e vërtetë dhe për qëllimet e tij. Sot në tokë e gjen kudo Biblën, si dhe botimet që i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë të vërtetat e çmuara që përmban ajo. Të marrim si shembull tabelën e përmbajtjes në botimin për studim Çfarë mëson vërtet Bibla? * Disa nga kapitujt janë: «Cila është e vërteta rreth Perëndisë?», «Ku janë të vdekurit?», «Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?» dhe «Pse i lejon Perëndia vuajtjet?» Për mijëra vjet, njerëzit i kanë bërë këto pyetje dhe tani ne mund t’i gjejmë me lehtësi përgjigjet. Edhe pse njerëzimi ka qenë për shekuj të tërë në padije e nën ndikimin e mësimeve apostate të krishterimit të rremë, Fjala e Perëndisë ka dalë fitimtare, dhe në të gjendet ushqim frymor për të gjithë ata që duan t’i shërbejnë Jehovait.
19. Cilat premtime keni parë të përmbushen dhe në ç’përfundim keni arritur?
19 Nga ç’kemi parë me sytë tanë, mund të themi pa dyshim: «Nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta. Asnjë nuk mbeti pa u plotësuar.» (Josiu 23:14) Jehovai e çliron popullin e tij, e mbron dhe kujdeset për të. A gjeni dot ndonjë premtim që ka bërë ai e që s’është përmbushur në kohën e caktuar? S’ka asnjë! Prandaj, me mençuri, tregojmë besim në Fjalën e vërtetë të Perëndisë.
20. Pse mund ta presim me besim të ardhmen?
20 Po për të ardhmen? Për shumicën prej nesh, Jehovai premton se mund të jetojmë në një tokë të kthyer në një parajsë të mrekullueshme. Disa kanë shpresën të sundojnë bashkë me Krishtin në qiell. Por, cilado qoftë shpresa jonë, kemi arsye për të qenë gjithnjë besnikë, siç ishte edhe Josiu. Do të vijë dita kur kjo shpresë të realizohet. Atëherë do të mendojmë për të gjitha premtimet që ka bërë Jehovai dhe do të themi edhe ne: «Të gjitha dolën të vërteta.»
[Shënimi]
^ par. 18 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
A mund të shpjegoni?
• Cilat premtime të Jehovait u përmbushën në kohën e Josiut?
• Cilat premtime të Jehovait keni parë ju të përmbushen?
• Për çfarë mund të jemi të sigurt në lidhje me fjalën e Perëndisë?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 23]
Jehovai ndërhyri dhe e çliroi popullin e tij
[Figura në faqen 23]
Si e mbrojti Jehovai popullin e tij në Detin e Kuq?
[Figura në faqen 24]
Si u kujdes Jehovai për popullin e tij në shkretëtirë?
[Figurat në faqen 25]
Jehovai kujdeset për popullin e tij sot