Danieli 12:1-13

  • ‘Koha e fundit’ dhe më tej (1-13)

    • Mikaeli do të ngrihet (1)

    • Ata me gjykim të thellë do të ndriçojnë (3)

    • Njohuria e vërtetë do të jetë e bollshme (4)

    • Danieli do të ngrihet për të marrë pjesën e tij (13)

12  Gjatë asaj kohe do të ngrihet Mikaeli,*+ princi i madh,+ i cili po vepron* në dobi të popullit tënd.* Do të ketë një kohë vuajtjesh, të atillë që nuk ka pasur që nga lindja e kombeve e deri në atë kohë. Gjatë asaj kohe, populli yt do të shpëtojë,+ të gjithë ata që e kanë emrin të shkruar në libër.+ 2  E shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës, do të zgjohen, disa për jetë të përhershme dhe të tjerë për poshtërim e përçmim të përhershëm. 3  Ata që kanë gjykim të thellë, do të ndriçojnë si hapësira qiellore, dhe ata që çojnë shumë veta në drejtësi, do të shndritin si yjet, në jetë të jetëve. 4  Ndërsa ti, Daniel, mbaji të fshehta fjalët dhe vulose librin, deri në kohën e fundit.+ Shumë do ta shqyrtojnë me hollësi,* dhe njohuria e vërtetë do të bëhet e bollshme.»+ 5  Atëherë, unë, Danieli, pashë dy të tjerë që qëndronin buzë lumit, njëri në këtë anë e tjetri në anën tjetër.+ 6  Pastaj, njëri i tha burrit të veshur me lino,+ që ishte mbi ujërat e lumit: «Sa kohë do të kalojë derisa të përmbushen këto gjëra të mrekullueshme?» 7  Atëherë dëgjova burrin me veshje linoje, që ishte mbi ujërat e lumit, ndërsa ngrinte dorën e djathtë e të majtë drejt qiejve dhe betohej për Atë që rron në jetë të jetëve:+ «Do të kalojë një kohë e caktuar, dy kohë të caktuara dhe gjysmë kohe.* Fuqia e popullit të shenjtë do të thyhet dhe, sapo të mbarojë kjo,+ të gjitha këto gjëra do të përmbushen.» 8  Unë dëgjova, por nuk kuptova,+ prandaj thashë: «Imzot, cili do të jetë rezultati i këtyre gjërave?» 9  Atëherë ai më tha: «Shko Daniel, sepse fjalët duhen mbajtur të fshehta e të vulosura deri në kohën e fundit.+ 10  Shumë do të pastrohen, do të zbardhen e do të rafinohen.+ Të ligjtë do të veprojnë me ligësi dhe asnjë i lig nuk do të kuptojë, por ata që kanë gjykim të thellë do të kuptojnë.+ 11  Që nga koha kur flijimi i vazhdueshëm+ të hiqet dhe gjëja e neveritshme që shkakton shkretim të vihet në vend,+ do të kalojnë 1.290 ditë. 12  Lum ai që pret plot shpresë* dhe që arrin deri në fund të 1.335 ditëve! 13  Kurse ti qëndro i patundur deri në fund. Do të prehesh, por në fund të ditëve do të ngrihesh për të marrë pjesën tënde.»*+

Shënimet

Do të thotë «Kush është si Perëndia?»
Fjalë për fjalë «po qëndron».
Fjalë për fjalë «të bijve të popullit tënd».
Fjalë për fjalë «do të enden lart e poshtë».
Domethënë, tri kohë e gjysmë.
Ose «me zjarr; me padurim».
Ose «në vendin tënd të caktuar».