Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ata kërkuan rrugën e ngushtë

Ata kërkuan rrugën e ngushtë

Ata kërkuan rrugën e ngushtë

GATI 550 vjet më parë, grupe të vogla me individë, që pohonin se ishin të krishterë, u larguan nga shtëpitë e tyre. Ata ishin nga Praga, Kelçisi, Vilemovi, Klatovi dhe nga qytete të tjera të vendit që sot është Republika Çeke. U vendosën afër fshatit Kunvald në një luginë në verilindje të Bohemisë. Atje ndërtuan shtëpi të thjeshta, punuan tokën, lexonin Biblën dhe u vetëquajtën Bashkimi i Vëllezërve ose Unitas Fratrum në latinisht.

Të shpërngulurit ishin njerëz me prejardhje dhe formime të ndryshme. Ishin fshatarë, fisnikë, studentë, të pasur e të varfër, burra dhe gra, të veja e jetimë, por të gjithë kishin një dëshirë të përbashkët. Ata shkruan: «Iu lutëm vetë Perëndisë dhe iu përgjëruam të na zbulonte vullnetin e tij madhështor në gjithçka. Dëshironim të ecnim në udhët e tij.» Vërtet, Bashkimi i Vëllezërve ose ndryshe Vëllezërit Çekë, siç u quajt më vonë kjo bashkësi besimtarësh, kërkuan ‘rrugën e ngushtë që të çon në jetë’. (Mateu 7:13, 14) Çfarë të vërtetash biblike zbuluan nga studimi i kujdesshëm që bënë? Si ndryshonin bindjet e tyre nga ato të njerëzve të tjerë në atë kohë? Çfarë mund të mësojmë nga ata?

Jo dhunës, jo kompromiseve

Për formimin e Bashkimit të Vëllezërve ndikuan disa lëvizje fetare në mes të shekullit të 15-të. Njëra prej këtyre ishte Lëvizja e Valdezëve, një lëvizje që e pati fillesën në shekullin e 12-të. Në fillim, valdezët u shkëputën nga katolicizmi, feja zyrtare e Evropës Qendrore. Sidoqoftë,

më vonë, ata iu kthyen mësimeve katolike, ndonëse pjesërisht. Një grup tjetër që ndikuan shumë te Bashkimi i Vëllezërve ishin husitët, pra ithtarët e Jan Husit. Ata përfaqësonin fenë e shumicës së popullsisë çeke, por nuk kishin aspak unitet mes tyre. Një fraksion luftonte për çështje sociale, ndërsa një tjetër përdorte fenë për të çuar përpara interesat politike. Vëllezërit u ndikuan edhe nga grupet kiliaste (ata që besonin te Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit), si dhe nga studiuesit e Biblës qofshin këta të huaj a të vendit.

Pjetër Kelçizki (rreth 1390-rreth 1460), një studiues çek i Biblës dhe reformator, i njihte mirë mësimet e valdezëve dhe të husitëve. Por, nuk i pranoi husitët për shkak se në lëvizjen e tyre kishin nisur të përdornin mjete të dhunshme. Nuk i pranoi as valdezët sepse ata bënin kompromise me mësimet e tyre. Ai e dënonte luftën si diçka jo të krishterë. Mendonte se një i krishterë duhet të udhëhiqet nga ‘ligji i Krishtit’ pavarësisht nga pasojat. (Galatasve 6:2; Mateu 22:37-39) Në vitin 1440, Kelçizki i hodhi në letër mësimet e tij në librin Sít Víry.

Gregorit nga Praga, një bashkëkohësi të Kelçizkit me moshë më të re se ai, i bënë kaq shumë përshtypje mësimet e këtij studiuesi saqë e la Lëvizjen e Husitëve. Në vitin 1458, Gregori bindi disa grupe të vogla ish-husite, që jetonin në anë të ndryshme të Çekisë, të braktisnin shtëpitë e tyre. Këta ishin mes atyre që shkuan pas tij në fshatin Kunvald, ku themeluan një bashkësi të re fetare. Më vonë u bashkuan me ta edhe grupe me valdezë çekë dhe gjermanë.

Një dritare që sheh nga e kaluara

Nga viti 1464 deri në vitin 1467 ky grup i sapoformuar, por që po rritej, mbajti disa asamble në zonën e Kunvaldit dhe miratoi disa rezoluta që përcaktonin lëvizjen e tyre të re fetare. Të gjitha rezolutat u dokumentuan me kujdes në një seri librash që ende ekzistojnë dhe që tani njihen si Acta Unitatis Fratrum, (Veprat e Bashkimit të Vëllezërve). Këta libra shërbejnë si një dritare për të parë nga e kaluara. Ata japin një pamje të gjallë të asaj që besonin Vëllezërit. Librat përmbajnë letra, fjalime të hedhura në letër, e madje hollësira të debateve të tyre.

Në lidhje me bindjet e Vëllezërve, në këta libra thuhet: «Jemi të vendosur të kryejmë detyrat tona vetëm duke u bazuar në leximin e Biblës dhe në shembujt e Zotërisë sonë dhe të apostujve të shenjtë. Këto do t’i bëjmë duke medituar, duke qenë të përulur e shpirtgjerë, duke dashur armiqtë tanë, duke bërë të mira për ta e duke u dashur të mirën dhe duke u lutur për ta.» Gjithashtu, aty tregohet që Vëllezërit në fillim predikonin. Ata udhëtonin dy nga dy dhe gratë ishin misionare të suksesshme në vend. Vëllezërit nuk pranonin poste qeveritare, nuk betoheshin, nuk përfshiheshin në veprimtari ushtarake e nuk mbanin armë.

Nga bashkimi në përçarje

Pas disa dhjetëvjeçarësh, Bashkimi i Vëllezërve nuk po jetonte më në lartësinë e emrit që mbante. Debatet në lidhje me çështjet se si do të zbatoheshin konkretisht bindjet e tyre çuan në përçarje. Në vitin 1494, Vëllezërit u ndanë në dy grupe: grupi i Shumicës dhe grupi i Pakicës. Nga njëra anë, Shumica nuk po u jepte shumë rëndësi bindjeve që kishte që në fillim. Nga ana tjetër, Pakica mbështeste idenë që Vëllezërit duhej të mbeteshin të patundur në qëndrimin e tyre kundër politikës dhe botës.—Shih kutinë “Ç’ndodhi me Shumicën?”

Për shembull, një anëtar i Pakicës shkroi: «Njerëzit që kërkojnë të ecin në dy rrugë ka pak siguri që të qëndrojnë me Perëndinë, kjo sepse rrallë dhe vetëm në gjëra fare të vogla janë të gatshëm të ofrojnë veten dhe t’i nënshtrohen Atij. Kur bëhet fjalë për gjëra të mëdha veprojnë sipas kokës së tyre. . . . Me ata që kanë një mendje të vendosur dhe një ndërgjegje të mirë—duke ndjekur çdo ditë Zotërinë Krisht me kryqin e tyre në rrugën e ngushtë—po, mes atyre duam që të jemi.»

Anëtarët e Pakicës e shihnin frymën e shenjtë si forcën vepruese të Perëndisë, si «gishtin» e Perëndisë. Kuptueshmëria që kishin në lidhje me shpërblesën e Jezuit ishte që njeriu i përsosur Jezu pagoi me jetën e vet njerëzore atë që kishte humbur Adami mëkatar. Nuk e adhuronin Marinë, nënën e Jezuit. E vunë përsëri në veprim doktrinën e priftërisë për të gjithë besimtarët, pa futur betimin e beqarisë. Nxitën predikimin publik nga të gjithë anëtarët e kongregacionit dhe i përjashtonin mëkatarët e papenduar. Ishin striktë për sa i përket mospërfshirjes në veprimtaritë ushtarake dhe politike. (Shih kutinë «Çfarë besonin Vëllezërit e Pakicës?») Meqënëse ata të Pakicës u përmbaheshin ngushtësisht rezolutave në Acta, e quanin veten si trashëgimtarët e vërtetë të Bashkimit të Vëllezërve siç ishte kur u formua.

Flasin hapur dhe përndiqen

Grupi i Pakicës kritikonte hapur fetë e tjera, duke përfshirë këtu edhe Grupin e Shumicës. Duke iu drejtuar këtyre feve ata shkruan: «Ju mësoni se duhet të pagëzohen fëmijët e vegjël ndërkohë që ata s’kanë ende besimin e tyre dhe kështu ndiqni atë që ka vendosur një peshkop i quajtur Dionisius. Ky, i shtyrë nga disa njerëz të pamend i dha rëndësi pagëzimit të foshnjave . . . Të njëjtën gjë bëjnë pothuajse të gjithë mësuesit e teologët e shquar, Luteri, Melanktoni, Buserusi, Korvini, Jileshi, Bullingeri, . . . grupi i Shumicës, të gjithë të marrë së bashku.»

Nuk është për t’u çuditur që anëtarët e Pakicës u përndoqën. Në vitin 1524, një nga udhëheqësit e saj, Jan Kalenecin, e fshikulluan dhe e përcëlluan. Më vonë tre anëtarë të tjerë të saj i dogjën në shtyllë. Grupi i Pakicës me sa duket nuk ekzistonte më rreth vitit 1550, pas vdekjes së udhëheqësit të fundit.

Gjithsesi besimtarët e Pakicës lanë gjurmët e tyre në skenën fetare të Evropës së Mesjetës. Natyrisht, meqenëse «njohuria e vërtetë» nuk ishte bërë ende e bollshme në ditët e Grupit të Pakicës, ata nuk ia dolën mbanë të shpërndanin errësirën frymore që kishte sunduar prej kohësh. (Danieli 12:4, BR) Sidoqoftë dëshira e tyre e fortë për të kërkuar e për të ecur në rrugën e ngushtë, edhe përballë kundërshtimeve, është diçka që të krishterët sot duhet t’i kushtojnë vëmendje.

[Diçitura në faqen 13]

50 nga 60 librat bohemianë (çekë), të shtypur prej vitit 1500 deri në vitin 1510, thuhet se janë shkruar nga anëtarët e Bashkimit të Vëllezërve.

[Kutia në faqen 11]

Ç’ndodhi me Shumicën?

Çfarë ndodhi me Grupin e Shumicës? Pasi Grupi i Pakicës doli nga skena, Grupi i Shumicës vazhdoi të ishte një lëvizje fetare, e njohur ende si Bashkimi i Vëllezërve. Me kalimin e kohës ky grup i ndryshoi bindjet e veta fillestare. Në fund të shekullit të 16-të, Bashkimi i Vëllezërve formoi një konfederatë me utrakuistët * çekë që ishin kryesisht luterianë. Megjithatë, Vëllezërit mbetën aktivë në përkthimin dhe botimin e Biblës si dhe të librave të tjerë fetarë. Është interesante se në çdo botim të tyre të hershëm, në faqen ku gjendet titulli, tregohet Tetragrami, siç njihen katër shkronjat hebraike të emrit personal të Perëndisë.

Në vitin 1620, mbretëria çeke u vu nën kontrollin e kishës katolike. Si rrjedhim shumë nga Vëllezërit e Grupit të Shumicës u larguan dha vazhduan veprimtarinë e tyre jashtë vendit. Në vendet ku shkuan, grupi më vonë u bë i njohur si Kisha Moraviane (meqenëse Moravia është pjesë e vendeve çeke), e cila ekziston edhe në ditët tona.

[Shënimi]

^ par. 24 Vjen nga fjala latine utraque, që do të thotë «secila nga të dyja». Ndryshe nga priftërinjtë katolikë që nuk u jepnin laikëve verën gjatë kungimit të shenjtë, utrakuistët (grupe të ndryshme të husitëve) u jepnin bukë dhe verë.

[Kutia në faqen 12]

Çfarë besonin Vëllezërit e Pakicës?

Citimet e mëposhtme, të marra nga Acta Unitatis Fratrum e shekullit të 15-të dhe 16-të, tregojnë disa nga bindjet që kishin anëtarët e Pakicës. Pohimet e shkruara nga udhëheqësit e Pakicës i drejtohen kryesisht Grupit të Shumicës.

Triniteti: «Nëse i hidhni një sy të gjithë Biblës nga fillimi në fund, nuk do të gjeni të thuhet se Perëndia është i ndarë në ndonjë lloj Triniteti, tre persona që ndryshojnë vetëm nga emri, siç i kanë sajuar njerëzit me imagjinatën e tyre.»

Fryma e shenjtë: «Fryma e shenjtë është gishti i Perëndisë dhe një dhuratë nga Perëndia, ose një ngushëllues, ose fuqia e Perëndisë të cilën Ati ua jep besimtarëve mbi bazën e meritave të Krishtit. Nuk e gjejmë gjëkundi në Shkrimet e Shenjta që fryma e shenjtë duhet të quhet një Perëndi ose një Person, madje as mësimet e apostujve nuk e tregojnë këtë.»

Priftëria: «Padrejtësisht ju japin titullin «prift». Përveç qethjes së veçantë të kokës dhe të balsamit gjoja shërues, ju nuk keni asgjë më shumë se laiku më i thjeshtë. Shën Pjetri kërkon që të gjithë të krishterët të jenë priftërinj duke thënë: Ju jeni priftëri e shenjtë që jepni flijime frymore. (1 Pjetrit kapitulli 2

Pagëzimi: «Zotëria Krisht i tha apostujve të tij: Shkoni në gjithë botën, predikojani Ungjillin gjithë krijesës, atyre që do të kenë besim. (Marku, kapitulli 16) Dhe vetëm pasi të kenë përmbushur këto fjalë dhe të pagëzohen, atëherë do të shpëtojnë. Ndërsa ju mësoni që të pagëzohen fëmijët e vegjël që ende nuk kanë zhvilluar besim.»

Asnjanësia: «Ato që vëllezërit tuaj në fillim i shikonin si të dënueshme dhe të papastra, pra të futeshe në ushtri dhe të vritje ose të ecje rrugëve duke mbajtur armë, të gjitha këto ju i quani të mira . . . E pra, mendojmë që ju, bashkë me mësuesit e tjerë, mbyllni një sy para fjalëve profetike që thonë se ‘Ai i bëri të pavlefshme harqet, mburojat, shpatën dhe betejën’. (Psalmi 75) Gjithashtu në Bibël thuhet se ‘ata nuk do të bëjnë dëm ose shkatërrim në të gjithë malin tim të shenjtë, sepse toka e Zotërisë do të jetë e mbushur plot me njohurinë hyjnore’, e kështu me radhë. (Isaia, kapitulli 11

Predikimi: «E dimë mirë të gjithë se në fillim femrat kanë sjellë në pendim më shumë njerëz se të gjithë priftërinjtë së bashku me peshkopin. Ndërsa tani priftërinjtë janë rehatuar në vendet e tyre dhe në pronat e tyre të caktuara nga kisha. Çfarë gabimi! Shkoni në të gjithë botën. Predikojini . . . gjithë krijesës.»

[Hartat në faqen 10]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

GJERMANI

POLONI

REPUBLIKA ÇEKE

BOHEMI

Lumi Elbë

PRAGË

Lumi Vëltavë

Klatov

Kelçis

Kunvald

Vilemov

MORAVI

Lumi Danub

[Figurat në faqet 10, 11]

Majtas: Pjetër Kelçizki; poshtë: faqe nga «Sít Víry»

[Figura në faqen 11]

Gregori nga Praga

[Burimi i figurës në faqen 13]

Të gjitha pamjet: S laskavým svolením knihovny Národního muzea v Praze, Česko