Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 49

Ne mund të jetojmë përjetë

Ne mund të jetojmë përjetë

«Dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme.»—ROM. 6:23.

KËNGA 147 Jeta pa fund nuk është ëndërr

PËRMBLEDHJE a

1. Si ndihemi kur meditojmë për premtimin e Jehovait se mund të jetojmë përgjithmonë?

 JEHOVAI premton se ata që i binden do të gëzojnë ‘jetën e përhershme’. (Rom. 6:23) Kur meditojmë për këtë dhuratë nga Jehovai, pa dyshim që na thellohet dashuria për të. Mendo pak: Ati ynë qiellor na do kaq fort, sa nuk do që të ndahemi kurrë prej tij.

2. Si na ndihmon premtimi i jetës së përhershme?

2 Premtimi i jetës së përhershme na ndihmon t’u bëjmë ballë sprovave. Edhe kur armiqtë kërcënojnë të na vrasin, nuk bëjmë kompromis me besnikërinë ndaj Perëndisë. Pse? Një arsye është se e dimë që, po të vdesim besnikë ndaj Jehovait, ai do të na kthejë në jetë e do të kemi perspektivën të mos vdesim kurrë më. (Gjoni 5:28, 29; 1 Kor. 15:55-58; Hebr. 2:15) Pse mund të jemi të sigurt se është e mundur të jetojmë përjetë? Të shohim disa arsye.

JEHOVAI JETON PËRGJITHMONË

3. Pse jemi të sigurt se falë Jehovait mund të jetojmë përgjithmonë? (Psalmi 102:12, 24, 27)

3 E dimë se falë Jehovait mund të jetojmë përgjithmonë, sepse ai është Burimi i jetës dhe jeton përgjithmonë. (Psal. 36:9) Të shohim vetëm disa vargje nga Bibla që tregojnë se Jehovai ka ekzistuar përherë dhe do të ekzistojë përherë. Psalmi 90:2 thotë se Jehovai jeton «mot e jetë». Psalmi 102 thekson të njëjtën pikë. (Lexo Psalmin 102:12, 24, 27.) Po ashtu, profeti Habakuk shkroi për Atin tonë qiellor: «A nuk ke ekzistuar ti që nga përjetësia, o Jehova?! O Perëndia im, i Shenjti im, ti nuk vdes!»Hab. 1:12.

4. A duhet të shqetësohemi nëse e kemi të vështirë ta konceptojmë që Jehovai ka ekzistuar përjetë? Shpjegoni.

4 A e ke të vështirë ta konceptosh që Jehovai ka ekzistuar në ‘përjetësi’? (Isa. 40:28) Shumë veta e kanë pasur të vështirë ta rrokin me mend këtë. Elihu, për shembull, tha për Perëndinë: «Vitet e tij as që mund të numërohen.» (Jobi 36:26) Por thjesht fakti që ne nuk e kuptojmë diçka, nuk do të thotë se ajo nuk është e vërtetë. Për shembull, edhe pse ne mund të mos e kuptojmë plotësisht se çfarë është drita dhe si vepron, a do të thotë kjo se drita nuk ekziston? Aspak! Po njësoj, si njerëz mund të mos e kuptojmë kurrë plotësisht se si është e mundur që Jehovai ka ekzistuar e do të ekzistojë përherë. Ama, kjo nuk do të thotë se Perëndia nuk jeton përjetë. E vërteta për Krijuesin nuk varet nga ajo që arrijmë të kuptojmë ne. (Rom. 11:33-36) Në fakt, ai ka ekzistuar që para se të ekzistonte universi fizik, ku përfshihen dielli, hëna dhe yjet. Shkrimet na sigurojnë se Jehovai është «Bërësi i tokës», ai që «e krijoi me fuqinë e vet», dhe se ekzistonte para se ‘të shpaloste qiejt’. (Jer. 51:15; Vep. 17:24) Cila është një arsye tjetër pse jemi të sigurt që është e mundur të jetojmë përgjithmonë?

NE U KRIJUAM QË TË JETOJMË PËRGJITHMONË

5. Çfarë perspektive kishte çifti i parë njerëzor?

5 Jehovai i krijoi gjallesat në tokë me një jetëgjatësi të kufizuar. Nga kjo bënin përjashtim vetëm njerëzit. Jehovai u dha perspektivën unike të mos vdisnin kurrë. Por njëkohësisht e paralajmëroi Adamin: «Mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash, pa dyshim ke për të vdekur.» (Zan. 2:17) Po t’i ishin bindur Jehovait, Adami dhe Eva nuk do të kishin vdekur. Është logjike që me kalimin e kohës, Jehovai do t’i kishte lejuar të hanin nga ‘pema e jetës’. Në këtë mënyrë, ai do t’u garantonte se ‘do të jetonin përgjithnjë’. bZan. 3:22.

6-7. (a) Ç’gjë tjetër tregon se Jehovai nuk kishte si qëllim që njerëzit të vdisnin? (b) Cilat janë disa gjëra që mezi pret të bësh në botën e re? (Shih figurat.)

6 Është interesante që disa shkencëtarë kanë gjetur prova se truri ynë ka kapacitetin të mbajë shumë më tepër informacione nga ç’mund të mbledhim sot gjatë jetës. Sipas një artikulli të botuar në vitin 2010 në një revistë shkencore (Scientific American Mind), kapaciteti i trurit tonë është afro 2,5 milion gigabajtë, pra mund të ruajë aq informacione sa ka në 3 milionë orë (në mbi 300 vjet) programe televizive. Ndoshta në realitet truri ynë ka një kapacitet jashtëzakonisht më të madh. Gjithsesi, këto prova tregojnë se Jehovai e projektoi trurin tonë për të mbajtur shumë më tepër informacione nga sa marrim në vetëm 70 ose 80 vjet.—Psal. 90:10.

7 Jehovai na ka krijuar edhe me një dëshirë të zjarrtë që të jetojmë pa fund. Bibla thotë se Perëndia ‘ka vënë përjetësinë në zemrat e njerëzve’. (Ekl. 3:11) Kjo është një arsye pse e shohim vdekjen si armik. (1 Kor. 15:26) Kur sëmuremi rëndë, nuk është që e pranojmë pa problem këtë dhe rrimë duarkryq. Zakonisht shkojmë te mjeku e ndoshta marrim ilaçe për ta luftuar sëmundjen. Ne bëjmë gjithë sa kemi në dorë për të mos humbur jetën. Gjithashtu, kur na vdes një njeri i dashur, qoftë i ri a i moshuar, na hapet një plagë e thellë që vazhdon të na dhembë. (Gjoni 11:32, 33) Pa dyshim, po të mos kishte si qëllim që të jetonim përgjithmonë, Krijuesi ynë i dashur nuk do të na jepte dëshirën dhe kapacitetin për të jetuar pa fund. Por ka edhe arsye të tjera bindëse për të besuar se mund të jetojmë përjetë. Le të shohim disa gjëra që ka bërë Jehovai në të kaluarën dhe në ditët tona që provojnë se qëllimi i tij nuk ka ndryshuar.

Përpara na pret jeta pa fund, ndaj kënaqemi kur përfytyrojmë çfarë do të arrijmë të bëjmë atëherë (Shih paragrafin 7) c

QËLLIMI I JEHOVAIT NUK KA NDRYSHUAR

8. Çfarë sigurie na jep Isaia 55:11 në lidhje me qëllimin e Jehovait për ne?

8 Ndonëse me mëkatin që bënë, Adami dhe Eva u trashëguan vdekjen pasardhësve, Jehovai nuk ka ndërruar mendje në lidhje me qëllimin e tij. (Lexo Isainë 55:11.) Sot e kësaj dite, qëllimi i tij është ende që njerëzit besnikë të jetojnë përgjithmonë. Kjo shihet qartë kur mendojmë çfarë ka thënë e ka bërë Jehovai për të përmbushur qëllimin e tij.

9. Çfarë ka premtuar Perëndia? (Danieli 12:2, 13)

9 Jehovai ka premtuar se do t’i ringjallë të vdekurit dhe do t’u japë mundësinë të jetojnë përgjithmonë. (Vep. 24:15; Titit 1:1, 2) Besniku Job ishte i sigurt se Jehovait i digjet zemra t’i kthejë në jetë ata që kanë vdekur. (Jobi 14:14, 15) Profeti Daniel e dinte se njerëzit kanë perspektivën të ringjallen dhe mundësinë të jetojnë përgjithmonë. (Psal. 37:29; lexo Danielin 12:2, 13.) Edhe judenjtë në kohën e Jezuit e dinin se Jehovai mund t’u japë shërbëtorëve të tij besnikë «jetën e përhershme». (Luka 10:25; 18:18) Jezui foli shumë herë për këtë premtim, dhe atë vetë e ringjalli Ati i tij.—Mat. 19:29; 22:31, 32; Luka 18:30; Gjoni 11:25.

Për çfarë të siguron ringjallja që bëri Elija? (Shih paragrafin 10)

10. Ç’tregojnë ringjalljet që u bënë në të kaluarën? (Shih figurën.)

10 Jehovai është Jetëdhënësi dhe ka fuqi t’i kthejë në jetë njerëzit. Ai i dha fuqi profetit Elija të ringjallte djalin e vejushës së Zarefatit. (1 Mbret. 17:21-23) Kohë më vonë, me ndihmën e Perëndisë, profeti Elise ktheu në jetë djalin e një gruaje nga Shunemi. (2 Mbret. 4:18-20, 34-37) Këto dhe ringjallje të tjera provojnë se Jehovai ka fuqinë t’i kthejë në jetë njerëzit. Kur ishte në tokë, Jezui tregoi se Ati i kishte dhënë edhe atij fuqi të bënte ringjallje. (Gjoni 11:23-25, 43, 44) Tani Jezui është në qiell dhe i është dhënë «çdo autoritet në qiell dhe në tokë». Prandaj është në gjendje ta përmbushë premtimin se «të gjithë ata që janë në varre» do të kthehen në jetë e do të kenë perspektivën të rrojnë përgjithmonë.—Mat. 28:18; Gjoni 5:25-29.

11. Si na e hap rrugën shpërblesa që të jetojmë përgjithmonë?

11 Pse lejoi Jehovai që Biri i tij i shtrenjtë të vdiste në një mënyrë të dhimbshme? Jezui e tregoi arsyen kur tha: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Duke dhënë Birin e tij si shpërblesë për të shlyer mëkatet tona, Perëndia na ka hapur rrugën që të jetojmë përgjithmonë. (Mat. 20:28) Apostulli Pavël e përmblodhi kështu këtë pjesë të rëndësishme të qëllimit të Perëndisë: «Sikurse vdekja erdhi nëpërmjet një njeriu, edhe ringjallja e të vdekurve vjen nëpërmjet një njeriu. Po, për shkak të Adamit të gjithë po vdesin, por falë Krishtit të gjithë do të marrin jetë.»—1 Kor. 15:21, 22.

12. Si do të ndihmojë Mbretëria që të realizohet qëllimi i Jehovait për ne?

12 Jezui i mësoi dishepujt e tij të luten që të vijë Mbretëria e Perëndisë e të bëhet vullneti i Tij në tokë. (Mat. 6:9, 10) Qëllimi i Perëndisë përfshin që njerëzit të jetojnë pafundësisht në tokë. Për ta realizuar këtë, Jehovai ka emëruar Birin e tij si Mbret të Mbretërisë mesianike. Perëndia ka mbledhur 144.000 njerëz nga toka që të bashkëpunojnë me Jezuin për të realizuar qëllimin e Tij.—Zbul. 5:9, 10.

13. Çfarë po bën Jehovai sot, dhe si mund të bashkëpunosh me të?

13 Sot Jehovai po mbledh «një shumicë të madhe» njerëzish e po i stërvit që të jenë nënshtetas të Mbretërisë së tij. (Zbul. 7:9, 10; Jak. 2:8) Ndonëse jetojnë në një botë të përçarë nga luftërat dhe frika, pjesëtarët e këtij grupi përpiqen fort të shkulin nga zemra çdo ndjenjë urrejtjeje, qoftë ndaj një kombi, ndaj një etnie a një personi. Që sot po tregojnë me veprimet e tyre se i kanë shndërruar shpatat në plore. (Mik. 4:3) Në vend që të marrin pjesë në luftërat që lënë kaq shumë viktima, ndihmojnë njerëzit «të rrokin jetën e vërtetë» duke u mësuar për Jehovain dhe për qëllimet e tij. (1 Tim. 6:19) Edhe pse pjesëtarët e familjes mund t’u vihen kundër ose mund të pësojnë humbje ekonomike ngaqë mbështetin Mbretërinë e Perëndisë, Jehovai sigurohet të kenë gjërat e nevojshme. (Mat. 6:25, 30-33; Luka 18:29, 30) Këto fakte na garantojnë se Mbretëria e Perëndisë është një realitet dhe se do të vazhdojë të punojë për të përmbushur qëllimin e Jehovait.

NJË E ARDHME E BUKUR NË HORIZONT

14-15. Si do të plotësohet premtimi i Jehovait për ta asgjësuar vdekjen përgjithmonë?

14 Sot Jezui është Mbret i Mbretërisë së Perëndisë në qiell dhe do të përmbushë të gjitha premtimet e Jehovait. (2 Kor. 1:20) Që nga viti 1914, Jezui i ka nënshtruar armiqtë e tij. (Psal. 110:1, 2) Së shpejti, Jezui dhe bashkëqeveritarët e tij do të plotësojnë fitoren e tyre dhe do t’i shfarosin të ligjtë.—Zbul. 6:2.

15 Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezuit, të vdekurit do të kthehen në jetë dhe njerëzit që i binden Jehovait do të bëhen të përsosur. Pas provës finale, ata që Jehovai i gjykon si të drejtë «do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të». (Psal. 37:10, 11, 29) Ç’gëzim që «do të asgjësohet» edhe «armiku i fundit, . . . vdekja»!—1 Kor. 15:26.

16. Cili duhet të jetë motivi kryesor pse i shërbejmë Jehovait?

16 Siç e kemi parë, shpresa jonë për të jetuar përgjithmonë ka themele të forta në Fjalën e Perëndisë. Kjo shpresë mund të na ndihmojë të qëndrojmë besnikë në këto ditë të fundit të vështira. Por nëse duam ta kënaqim Jehovain, nuk duhet të motivohemi vetëm nga dëshira që të vazhdojmë ta gëzojmë jetën. Arsyeja kryesore pse i qëndrojmë besnikë Jehovait dhe Jezuit është se i duam me gjithë shpirt. (2 Kor. 5:14, 15) Kjo dashuri na motivon t’i imitojmë dhe t’u tregojmë të tjerëve çfarë shprese kemi. (Rom. 10:13-15) Ndërsa mësojmë të jemi altruistë dhe bujarë, bëhemi ata lloj njerëzish që Jehovai dëshiron t’i ketë miq përgjithmonë.—Hebr. 13:16.

17. Çfarë përgjegjësie ka secili nga ne? (Mateu 7:13, 14)

17 A do të jemi mes atyre që do të jetojnë përgjithmonë? Jehovai na e ka hapur derën drejt asaj të ardhmeje. Tani varet nga ne nëse do të qëndrojmë në rrugën që çon në jetë. (Lexo Mateun 7:13, 14.) Po si do të jetë jeta kur të rrojmë në përjetësi? Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta shqyrtojmë në artikullin vijues.

KËNGA 141 Jeta është një mrekulli!

a A e pret me zjarr jetën e përhershme? Jehovai na ka premtuar se një ditë do ta gëzojmë jetën pa u shqetësuar më kurrë se mos vdesim. Në këtë artikull do të shqyrtojmë vetëm disa arsye pse mund të kemi besim absolut që Jehovai do ta mbajë premtimin e tij.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla i moshuar përfytyron disa gjëra që mund të bëjë kur të gëzojë jetën e përhershme.