Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 11

Dëgjoje zërin e Jehovait

Dëgjoje zërin e Jehovait

«Ky është Biri im . . . Dëgjojeni.»—MAT. 17:5.

KËNGA 89 Bindu! Dëgjo! Merr bekim!

PËRMBLEDHJE *

1-2. (a) Si ka komunikuar Jehovai me njerëzit? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

JEHOVAIT i pëlqen shumë të komunikojë me ne. Në të kaluarën, ai përdori profetë, engjëj dhe Birin e tij, Krishtin Jezu, që të na përcillte mendimet e tij. (Amo. 3:7; Gal. 3:19; Zbul. 1:1) Sot, ai komunikon me ne nëpërmjet Fjalës së tij. Na e dha Biblën që të mësojmë si mendon dhe të kuptojmë si vepron.

2 Kur Jezui ishte në tokë, Jehovai foli nga qielli në tri raste. Le të shqyrtojmë çfarë tha Jehovai, çfarë mund të mësojmë nga fjalët e tij dhe si nxjerrim dobi nga ajo që tha.

«TI JE BIRI IM, I DASHURI»

3. Sipas Markut 1:9-11, çfarë tha Jehovai kur u pagëzua Jezui, dhe cilat të vërteta të rëndësishme konfirmoi me ato fjalë?

3 Te Marku 1:9-11 dokumentohet rasti i parë kur Jehovai foli nga qielli. (Lexoje.) Ai tha: «Ti je Biri im, i dashuri. Unë të kam miratuar.» Sa duhet të jetë prekur Jezui kur dëgjoi zërin e Atit të tij që i shprehte dashurinë dhe i jepte siguri! Fjalët e Jehovait konfirmuan tri të vërteta të rëndësishme për Jezuin. Së pari, Jezui është Biri i tij. Së dyti, Jehovai e do Birin e tij. Dhe së treti, Jehovai e ka miratuar Birin e tij. Le ta shohim më hollësisht secilën prej tyre.

4. Në cilën marrëdhënie të re hyri Jezui me Perëndinë kur u pagëzua?

4 «Ti je Biri im.» Me këto fjalë, Jehovai tregoi se Biri i tij i dashur, Jezui, kishte hyrë në një marrëdhënie të re me Të. Kur ishte në qiell, Jezui ishte një bir engjëllor i Perëndisë. Por kur u pagëzua, u miros me frymë të shenjtë. Në atë rast, Perëndia tregoi se tani, si Biri i Tij i mirosur, Jezui kishte shpresën që të kthehej në qiell për t’u bërë Mbreti dhe Kryeprifti i emëruar nga Perëndia. (Luka 1:31-33; Hebr. 1:8, 9; 2:17) Pra, është e qartë pse Ati tha kur u pagëzua Jezui: «Ti je Biri im.»—Luka 3:22.

Çelemi kur na lavdërojnë e na inkurajojnë (Shih paragrafin 5) *

5. Si mund ta imitojmë shembullin që la Jehovai në shprehjen e dashurisë dhe çmueshmërisë?

5 «Ti je . . . i dashuri.» Shembulli që la Jehovai në shprehjen e dashurisë dhe çmueshmërisë, na kujton të kërkojmë mundësi për t’i inkurajuar të tjerët. (Gjoni 5:20) Ne çelemi kur dikush që e kemi për zemër na tregon dashuri dhe na lavdëron për gjërat e mira që bëjmë. Po njësoj, vëllezërit e motrat në kongregacion dhe pjesëtarët e familjes kanë nevojë për dashurinë e inkurajimin tonë. Kur i lavdërojmë të tjerët, u forcojmë besimin dhe i ndihmojmë t’i shërbejnë me besnikëri Jehovait. Prindërit në veçanti duhet t’i inkurajojnë fëmijët. Kur i lavdërojnë sinqerisht dhe u shfaqin dashuri, i ndihmojnë fëmijët të lulëzojnë.

6. Pse mund të kemi siguri të plotë te Jezu Krishti?

6 «Unë të kam miratuar.» Këto fjalë tregojnë se Jehovai ishte i sigurt që Jezui do ta kryente me besnikëri vullnetin e Atit të tij. Përderisa Jehovai ka këtë siguri tek i Biri, edhe ne mund të jemi plotësisht të sigurt se Jezui do t’i përmbushë me besnikëri gjithë premtimet e Jehovait. (2 Kor. 1:20) Kur meditojmë për shembullin e Jezuit, na forcohet vendosmëria që të mësojmë nga ai dhe të ecim në gjurmët e tij. Jehovai është po aq i sigurt se shërbëtorët e tij, si grup, do të vazhdojnë të mësojnë nga Biri i tij.—1 Pjet. 2:21.

«DËGJOJENI»

7. Sipas Mateut 17:1-5, në cilin rast foli Jehovai nga qielli, dhe çfarë tha?

7 Lexo Mateun 17:1-5. Rasti i dytë që Jehovai foli nga qielli, ishte kur Jezui «u shpërfytyrua». Jezui kishte ftuar Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin ta shoqëronin për në një mal të lartë. Kur ishin atje, panë një vegim mbresëlënës. Fytyra e Jezuit shkëlqente fort dhe rrobat i vezullonin. Dy burra, që përfaqësonin Moisiun dhe Elijan, nisën të bisedonin me Jezuin për vdekjen dhe ringjalljen e tij që do të ndodhnin së shpejti. Edhe pse tre apostujt «i kishte zënë gjumi», kur u zgjuan plotësisht, panë atë vegim të mahnitshëm. (Luka 9:29-32) Pastaj i mbuloi një re e shndritshme dhe dëgjuan një zë nga reja—zërin e Perëndisë! Ashtu si në pagëzimin e Jezuit, Jehovai shprehu miratimin dhe dashurinë për Birin e tij me fjalët: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin unë e kam miratuar.» Por kësaj here Jehovai shtoi: «Dëgjojeni.»

8. Si ndikoi vegimi te Jezui dhe te dishepujt e tij?

8 Vegimi ishte një pamje paraprake e lavdisë dhe e pushtetit që do të kishte Jezui si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Pa dyshim, Krishti u inkurajua dhe mori forcë për vuajtjet dhe vdekjen e dhimbshme që do të përballonte. Gjithashtu, vegimi u shtoi besimin dishepujve e u dha forcë për sprovat e integritetit dhe punën e palodhur që do të bënin për vite të tëra. Rreth 30 vjet më vonë, apostulli Pjetër foli për vegimin e shpërfytyrimit, duke treguar se e kishte ende të gjallë në mendje.—2 Pjet. 1:16-18.

9. Cilat këshilla praktike u dha Jezui dishepujve?

9 «Dëgjojeni.» Jehovai e bëri të qartë se dëshiron që t’i dëgjojmë fjalët e Birit të tij dhe t’u bindemi. Çfarë tha Jezui kur ishte në tokë? Tha shumë gjëra që ia vlen t’i dëgjojmë! Për shembull, i mësoi me dashuri dishepujt si të predikonin lajmin e mirë dhe u kujtoi sa e sa herë të qëndronin vigjilentë. (Mat. 24:42; 28:19, 20) I nxiti edhe të përpiqeshin fuqimisht dhe i inkurajoi të mos dorëzoheshin. (Luka 13:24) Jezui u theksoi dishepujve sa e nevojshme ishte ta donin njëri-tjetrin, të qëndronin të bashkuar dhe të zbatonin urdhërimet e tij. (Gjoni 15:10, 12, 13) Sa praktike ishin këshillat që u dha Jezui dishepujve! Ato janë po aq të vlefshme sot, sa në kohën kur i dha.

10-11. Si mund të tregojmë se e dëgjojmë Jezuin?

10 Jezui tha: «Kushdo që është në anën e së vërtetës, e dëgjon zërin tim.» (Gjoni 18:37) Tregojmë se e dëgjojmë zërin e tij kur ‘vazhdojmë të durojmë dhe të falim bujarisht njëri-tjetrin’. (Kolos. 3:13; Luka 17:3, 4) Tregojmë se e dëgjojmë zërin e tij edhe kur predikojmë me zell lajmin e mirë «në kohë të favorshme dhe në kohë të vështirë».—2 Tim. 4:2.

11 Jezui tha: «Delet e mia e dëgjojnë zërin tim.» (Gjoni 10:27) Dishepujt e Krishtit tregojnë se e dëgjojnë Jezuin jo vetëm duke u kushtuar vëmendje fjalëve të tij, por edhe duke vepruar sipas tyre. Nuk shpërqendrohen nga «ankthet e jetës». (Luka 21:34) Përkundrazi, për ta ka përparësi t’u binden urdhrave të Jezuit, madje edhe në rrethana të vështira. Shumë nga vëllezërit tanë po përballojnë sprova të rënda, si sulme nga kundërshtarët, varfëri të skajshme dhe katastrofa natyrore. Mes gjithë kësaj, i qëndrojnë besnikë Jehovait sado t’u kushtojë. Jezui u bën atyre këtë premtim: «Ai që i pranon urdhërimet e mia dhe i zbaton, më do. Nga ana tjetër, atë që më do mua, Ati im do ta dojë.»—Gjoni 14:21.

Shërbimi na ndihmon të mos shpërqendrohemi (Shih paragrafin 12) *

12. Cila është një mënyrë tjetër si tregojmë se e dëgjojmë Jezuin?

12 Ja një mënyrë tjetër si të tregojmë se e dëgjojmë Jezuin: të bashkëpunojmë me ata që ai ka caktuar të marrin drejtimin mes nesh. (Hebr. 13:7, 17) Organizata e Perëndisë ka bërë shumë përmirësime vitet e fundit, si përdorimi i mjeteve dhe metodave të reja në shërbim, formati i ri i mbledhjes së mesjavës dhe mënyra si ndërtojmë, restaurojmë e mirëmbajmë Sallat tona të Mbretërisë. Sa e çmojmë këtë drejtim të dashur e të menduar mirë! Mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona për të ndjekur drejtimin në kohën e duhur nga organizata.

13. Cilat dobi nxjerrim kur dëgjojmë Jezuin?

13 Kur i dëgjojmë të gjitha gjërat që mësoi Jezui, nxjerrim dobi. Ai u premtoi dishepujve se mësimet e tij do t’i freskonin. Jezui tha: «Do të gjeni freskim për shpirtin. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mat. 11:28-30) Fjala e Perëndisë, që përfshin katër tregimet e ungjijve për jetën dhe shërbimin e Jezuit, na gjallëron, na përtërin forcat dhe na bën të mençur. (Psal. 19:7; 23:3) Jezui pohoi: «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»—Luka 11:28.

‘DO T’I JAP LAVDI EMRIT TIM’

14-15. (a) Cili ishte rasti i tretë, i dokumentuar te Gjoni 12:27, 28, kur Jehovai foli nga qielli? (b) Pse duhet ta kenë ngushëlluar e forcuar Jezuin fjalët e Jehovait?

14 Lexo Gjonin 12:27, 28. Ungjilli i Gjonit dokumenton rastin e tretë kur Jehovai foli nga qielli. Pak ditë para se të vdiste, Jezui ishte në Jerusalem që të mbante Pashkën e tij të fundit. «Shpirti im është i trazuar»,—tha ai. Pastaj u lut: «O Atë, jepi lavdi emrit tënd!» Në përgjigje të lutjes, Ati i tij tha nga qielli: «I dhashë lavdi dhe do t’i jap lavdi përsëri.»

15 Jezui ishte i trazuar ngaqë kishte përgjegjësinë e madhe t’i qëndronte besnik Jehovait. E dinte se do ta fshikullonin egërsisht dhe do të kishte një vdekje mizore. (Mat. 26:38) Mbi gjithçka, Jezui dëshironte t’i jepte lavdi emrit të Atit të tij. Atë e akuzuan për blasfemi, dhe kishte merak se për shkak të vdekjes së tij do të shahej Perëndia. Sa shumë siguri duhet t’i kenë dhënë Jezuit fjalët e Jehovait! Ai mund të ishte plotësisht i bindur se emrit të Jehovait do t’i jepej lavdi. Fjalët e Atit duhet ta kenë ngushëlluar pa masë Jezuin dhe duhet ta kenë forcuar shumë për vuajtjet që e prisnin. Jezui mund të ketë qenë i vetmi i pranishëm që i kuptoi fjalët e Atit të tij në atë rast, por Jehovai u sigurua që ato të shkruheshin për të gjithë ne.—Gjoni 12:29, 30.

Jehovai do t’i japë lavdi emrit të tij dhe do ta çlirojë popullin e tij (Shih paragrafin 16) *

16. Pse ndonjëherë mund të kemi merak se mos shahet emri i Perëndisë?

16 Ashtu si Jezui, edhe ne mund të kemi merak se mos shahet emri i Jehovait. Ndoshta si Jezui, edhe ne jemi viktima të padrejtësive. A mbase na shqetësojnë historitë e rreme që përhapin për ne kundërshtarët. Ndoshta bluajmë në mendje si shahet emri i Jehovait dhe organizata e tij nga këto histori. Në momente të tilla, fjalët e Jehovait janë burim i madh ngushëllimi. S’ka pse të na mbytë ankthi. Mund të jemi të sigurt se «paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë [tona] mendore me anë të Krishtit Jezu». (Filip. 4:6, 7) S’ka diskutim se Jehovai do t’i japë lavdi emrit të tij në çdo rast. Me anë të Mbretërisë, ai do të zhbëjë çdo dëm që u shkakton Satanai dhe kjo botë shërbëtorëve të Tij besnikë.—Psal. 94:22, 23; Isa. 65:17.

NXIRR DOBI NGA ZËRI I JEHOVAIT SOT

17. Në përputhje me Isainë 30:21, si na flet Jehovai sot?

17 Jehovai na flet ende sot. (Lexo Isainë 30:21.) Vërtet, nuk e dëgjojmë Perëndinë të na flasë nga qielli. Ama ai na ka siguruar Fjalën e tij të shkruar, Biblën, nëpërmjet së cilës na mëson. Veç kësaj, fryma e Jehovait nxit ‘kujdestarin e besueshëm’ që të vazhdojë t’i furnizojë me ushqim shërbëtorët e tij. (Luka 12:42) Sa i bollshëm është ushqimi besimforcues që marrim në formën e materialeve të shtypura e online, videove dhe botimeve audio!

18. Si ta forcojnë besimin dhe të japin guxim fjalët e Jehovait?

18 Le t’i mbajmë në mendje fjalët që tha Jehovai kur Biri i tij ishte në tokë! Fjalët e Jehovait, të dokumentuara në Bibël, le të na japin siguri se Ai ka gjithçka nën kontroll dhe se do të zhbëjë çdo dëm që na shkakton Satanai dhe bota e tij e ligë. Qofshim të vendosur ta dëgjojmë me vëmendje zërin e Jehovait! Atëherë do të përballojmë me sukses çfarëdo problemi që hasim tani dhe çdo vështirësi që kemi para. Bibla na kujton: «Ju keni nevojë për qëndrueshmëri, që, pasi të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të merrni përmbushjen e premtimit.»—Hebr. 10:36.

KËNGA 4 «Jehovai është Bariu im»

^ par. 5 Kur Jezui ishte në tokë, Jehovai foli nga qielli në tri raste. Në një nga ato raste, Jehovai i nxiti dishepujt e Krishtit ta dëgjonin Birin e tij. Sot, Jehovai na flet me anë të Fjalës së tij të shkruar, që përfshin mësimet e Jezuit, dhe me anë të organizatës së tij. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si nxjerrim dobi kur dëgjojmë Jehovain dhe Jezuin.

^ par. 52 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një plak vëren një shërbëtor ndihmës tek ndihmon në mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë dhe punon në repartin e literaturës. Plaku e lavdëron me ngrohtësi.

^ par. 54 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një çift në Sierra-Leone i jep një ftesë për mbledhje një peshkatari vendës.

^ par. 56 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Dëshmitarë në një vend ku vepra është e kufizuar, janë mbledhur në një shtëpi private. Që të mos bien në sy, janë veshur si në jetën e përditshme.