PJESA 8
Rikthim në një jetë të kënaqshme
NDONËSE njerëzimi kishte rënë në një mënyrë të kotë jetese si pasojë e rebelimit ndaj sundimit hyjnor, Perëndia nuk i la njerëzit pa shpresë. Bibla shpjegon: «Krijesa i ishte nënshtruar kotësisë, jo me vullnetin e vet, por prej atij që e nënshtroi, mbi bazën e shpresës se edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.» (Romakëve 8:20, 21) Po, Perëndia dha shpresë për pasardhësit e çiftit të parë njerëzor. Ishte shpresa e sigurt se njerëzimi do të lirohej nga mëkati dhe vdekja e trashëguar. Ata mund të fitonin përsëri një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë Jehova. Si?
2 Kur mëkatuan, Adami dhe Eva i privuan pasardhësit e tyre nga perspektiva për të gëzuar një jetë të kënaqshme përgjithmonë në tokë. Në këmbim të lirisë për të vendosur vetë se çfarë është e drejtë dhe e gabuar, ata e shitën familjen e tyre të ardhshme në skllavërinë e mëkatit e të vdekjes. Duke qenë të lindur në atë familje, pasardhësit e tyre mund të krahasohen me skllevër të izoluar në një ishull të largët ku sundojnë si mbretër sundimtarë mizorë. Në të vërtetë, vdekja ka sunduar si mbret mbi njerëzimin e skllavëruar nga një mbret tjetër: mëkati. (Romakëve 5:14, 21) Duket sikur nuk ka se kush t’i shpëtojë. Në fakt, ai që i shiti në skllavëri ishte paraardhësi i tyre! Por një njeri dashamirës dërgon birin e tij, i cili sjell çmimin e plotë që kërkohet për të siguruar lirinë e gjithë atyre që janë në skllavëri.—Psalmi 51:5; 146:4; Romakëve 8:2.
3 Në këtë ilustrim njeriu që shpëtoi skllevërit përfaqëson Perëndinë Jehova. Biri që solli çmimin për lirinë është Jezu Krishti. Ai pati një ekzistencë paranjerëzore si Biri i vetëmlindur i Perëndisë. (Gjoni 3:16) Ai ishte krijimi i parë fare i Perëndisë dhe gjithë krijesat e tjera në univers erdhën në ekzistencë me anë të tij. (Kolosianëve 1:15, 16) Jehovai e transferoi në mënyrë të mrekullueshme jetën e këtij Biri frymor në barkun e një virgjëreshe, duke bërë të mundur që foshnja të lindte si një njeri i përsosur (çmimi që nevojitej për të përmbushur kërkesat e drejtësisë hyjnore).—Luka 1:26-31, 34, 35.
4 Kur ishte rreth 30 vjeç, Jezui u pagëzua në lumin Jordan. Në këtë rast, ai u miros me frymën e shenjtë ose me forcën aktive të Perëndisë. Kështu, ai u bë Krishti, që do të thotë «I mirosur». (Luka 3:21, 22) Shërbimi i Jezuit në tokë zgjati tre vjet e gjysmë. Gjatë këtyre viteve ai i mësoi ithtarët e tij rreth «mbretërisë së Perëndisë», qeverisë qiellore nën sundimin e së cilës njerëzimi do të rifitojë një marrëdhënie paqësore me Perëndinë Jehova. (Luka 4:43; Mateu 4:17) Jezui e dinte se si mund të bënin njerëzit një jetë të lumtur dhe u dha ithtarëve të tij udhëzime specifike në lidhje me lumturinë. Pse të mos e hapni Biblën tuaj në kapitujt 5 deri 7 të Mateut dhe të lexoni disa nga mësimet e tij në Predikimin në Mal?
A nuk do t’i ishit thellësisht mirënjohës atij që ju çliroi nga skllavëria?
5 Ndryshe nga Adami, Jezui bëri një jetë gjatë së cilës iu bind Perëndisë në çdo gjë. «Ai nuk kreu asnjë mëkat.» (1 Pjetrit 2:22; Hebrenjve 7:26) Në fakt, ai kishte të drejtën të jetonte përgjithmonë në tokë, por e ‘dha shpirtin e tij’ për t’i paguar Perëndisë atë që Adami kishte humbur. Në shtyllën e torturës, Jezui dorëzoi jetën e tij të përsosur njerëzore. (Gjoni 10:17; 19:17, 18, 28-30; Romakëve 5:19, 21; Filipianëve 2:8) Në këtë mënyrë, Jezui siguroi shpërblesën ose pagoi çmimin që nevojitej për ta riblerë njerëzimin nga skllavëria ndaj mëkatit dhe vdekjes. (Mateu 20:28) Imagjinojeni veten duke u rraskapitur në një fabrikë ku ju shfrytëzojnë, pra, duke bërë një jetë prej skllavi në kuptimin e vërtetë të fjalës. A nuk do t’i ishit thellësisht mirënjohës atij që mori masa t’ju lironte nga skllavëria dhe atij që doli vullnetar të sakrifikonte jetën e tij në vend të jetës suaj? Nëpërmjet shpërblesës, para jush u hap një derë që të ktheheni në familjen universale të Perëndisë dhe të bëni një jetë vërtet të kënaqshme, të lirë nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes.—2 Korintasve 5:14, 15.
6 Njohuria dhe çmueshmëria për këtë dashamirësi të pamerituar të Jehovait ju jep edhe më shumë arsye për të zbatuar në jetën tuaj fjalët e mençura që gjenden në Bibël. Për shembull, shqyrtoni një nga parimet më të vështira për t’u zbatuar: falini të tjerët kur ju kanë lënduar. A i mbani mend fjalët e Kolosianëve kapitulli 3, vargjet 12 deri 14, që i shqyrtuam në mësimin 2? Ato vargje ju inkurajonin t’i falni të tjerët edhe nëse do të kishit shkak të ankoheshit kundër tyre. Konteksti e shpjegon arsyen, duke thënë: «Ashtu sikurse Jehovai ju fali bujarisht, edhe ju bëni po ashtu.» Nëse arrini ta çmoni thellësisht atë që Jehovai dhe Jezu Krishti kanë bërë për njerëzimin, do të ndiheni të nxitur t’i falni të tjerët për çfarëdolloj lëndimi që mund t’ju kenë shkaktuar, sidomos nëse ata pendohen dhe ju kërkojnë falje.