Gjoni përgatit rrugën
Kapitulli 11
Gjoni përgatit rrugën
KANË kaluar shtatëmbëdhjetë vjet që nga koha, kur Jezui 12-vjeçar u drejtonte pyetje mësuesve në tempull. Është pranvera e vitit 29 të e.s. dhe duket se të gjithë flasin për kushëririn e tij Gjonin, i cili po predikon në rajonin përreth lumit Jordan.
Gjoni është një burrë vërtet mbresëlënës, si në pamje, ashtu edhe në të folur. Rrobat e tij janë prej qimeje deveje dhe në ijë mban një brez lëkure. Si ushqim përdor karkaleca dhe mjaltë të egër. Cili është mesazhi i tij? «Pendohuni sepse mbretëria e qiejve është afruar.»
Ky mesazh është nxitës për ata që e dëgjojnë. Shumë njerëz e kuptojnë se kanë nevojë të pendohen, gjë që nënkupton ndryshimin e qëndrimit të tyre dhe braktisjen e mënyrës së vjetër të të jetuarit, pasi është e padëshirueshme. Kështu, njerëz të shumtë nga i tërë rajoni përreth Jordanit, madje edhe nga Jerusalemi vijnë te Gjoni dhe ai i pagëzon duke i zhytur në ujërat e Jordanit. Po përse?
Pagëzimi i Gjonit është simbol apo pranim, nga ana e njerëzve, i pendimit të sinqertë për mëkatet e kryera kundër besëlidhjes së Ligjit të Perëndisë. Për këtë arsye, kur disa farisenj dhe saducenj paraqiten përpara Gjonit në Jordan, ai i dënon ata. «Pjellë nepërkash»,—u thotë ai. —«Jepni fryte të denja të pendesës. Dhe të mos t’ju shkojë mendja të thoni me vete: ‘Ne kemi Abrahamin për atë’; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve. Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.»
Për shkak të gjithë vëmendjes që po i kushtohet Gjonit, judenjtë dërgojnë tek ai priftërinj dhe levitë. Ata e pyesin: «Kush je ti?»
«Unë nuk jam Krishti»,—rrëfen Gjoni.
«Kush atëherë?»,—pyesin ata. «A je Elia?»
«Nuk jam»,—u përgjigjet ai.
«Je ti Profeti?»
«Jo!»
Atëherë ata këmbëngulin: «Kush je ti, që të mund t’u japim një përgjigje atyre që na dërguan? Ç’thua për veten tënde?»
Gjoni shpjegon: «Unë jam zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: ‘Bëjeni të drejtë udhën e Jehovait’, ashtu sikurse tha profeti Isaia.»
«Atëherë, përse pagëzon,—duan të dinë ata,—nëse vetë nuk je Krishti, as Elija, as Profeti?»
«Unë pagëzoj në ujë.—u përgjigjet ai.—Në mes tuaj qëndron dikush që ju nuk e njihni, ai që vjen pas meje.»
Gjoni po e përgatit rrugën, duke e vendosur zemrën e njerëzve në gjendjen e përshtatshme për të pranuar Mesinë, i cili do të bëhet Mbret. Për të Gjoni thotë: «Ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, e unë nuk jam i denjë për t’i hequr sandalet.» Madje, në të vërtetë, Gjoni thotë: «Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ka ekzistuar para meje.»
Prandaj, mesazhi i Gjonit, «mbretëria e qiejve është afruar», nuk shërben veçse për të bërë të njohur publikisht se shërbimi i Mbretit të mirosur të Jehovait, Jezu Krishtit, është gati për të filluar. Gjoni 1:6-8, 15-28 BR; Mateu 3:1-12; Luka 3:1-18; Veprat 19:4.
▪ Ç’lloj burri është Gjoni?
▪ Përse i pagëzon Gjoni njerëzit?
▪ Përse Gjoni mund të thotë se Mbretëria është afruar?