SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Hebrenjve 4:12—«Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese»
«Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi; është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën, dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.»—Hebrenjve 4:12, Përkthimi Bota e Re.
«Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.»—Hebrenjve 4:12, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94.
Kuptimi i Hebrenjve 4:12
Mesazhi i Perëndisë për njerëzimin, i dokumentuar në Bibël, ka fuqi të nxjerrë në pah mendimet dhe motivet tona të vërteta. Gjithashtu, ky mesazh mund t’i ndryshojë për mirë njerëzit.
«Fjala e Perëndisë është e gjallë.» Shprehja «fjala e Perëndisë» u referohet premtimeve ose qëllimit që ka shprehur Zoti dhe që janë dokumentuar në Bibël. a Një aspekt i rëndësishëm i këtij qëllimi është që njerëzit e bindur të jetojnë përgjithmonë në tokë; në paqe e në unitet të vërtetë.—Zanafilla 1:28; Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3, 4.
Në ç’kuptim është «e gjallë» fjala e Perëndisë ose qëllimi i tij? Së pari, sepse ndikon fuqishëm në zemrat e atyre që e pranojnë, duke u dhënë shpresë e qëllim në jetë. (Ligji i përtërirë 30:14; 32:47) Së dyti, sepse Perëndia i gjallë po punon që t’i çojë deri në fund premtimet e tij. (Gjoni 5:17) Perëndia nuk është si njerëzit, që ta premtojë diçka e të mos e mbajë ose që rrugës të zbulojë se nuk e realizon dot. (Numrat 23:19) Fjala e tij «nuk do të kthehet prapë tek [ai] pa dhënë fryt».—Isaia 55:10, 11.
«Fjala e Perëndisë . . . ushtron fuqi.» Shprehja «ushtron fuqi» mund të përkthehet edhe «është e fuqishme», «është aktive» ose «realizon gjithçka që synon». Prandaj, çdo gjë që Perëndia Jehova b thotë ose premton, do të përmbushet me siguri. (Psalmi 135:6; Isaia 46:10) Faktikisht, Perëndia mund t’i realizojë premtimet e tij në mënyra që ne njerëzit as që mund t’i imagjinojmë.—Efesianëve 3:20. c
Gjithashtu fjala e Perëndisë «ushtron fuqi» sepse i ndihmon ata që e vlerësojnë, ta përmirësojnë jetën dhe personalitetin. Ngaqë i përvetësojnë mësimet e Perëndisë, ndikohen prej tyre në mënyrën si mendojnë, si jetojnë dhe në synimet që vendosin. (Romakëve 12:2; Efesianëve 4:24) Pra, ‘fjala e Perëndisë vepron tek’ ata që e pranojnë si të tillë.—1 Selanikasve 2:13.
«Fjala e Perëndisë . . . është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe.» Në kuptimin e figurshëm, fjala e Perëndisë është më e mprehtë se çdo shpatë e bërë nga dora e njeriut. Sepse ajo mund të depërtojë në zemrën e njeriut—në personin e brendshëm—më thellë se çdo mësim njerëzor. Ky koncept shpjegohet te fjalët e mëtejshme të Hebrenjve 4:12.
«Fjala e Perëndisë . . . depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën.» Në Bibël, fjala «shpirt» mund t’i referohet asaj që njeriu duket nga jashtë, ndërsa fjala «frymë» asaj që është vërtet nga brenda. (Galatasve 6:18) Në kuptimin e figurshëm, «fjala e Perëndisë» depërton deri në ‘palcë’, në ndjenjat e mendimet tona më të thella. Meqë mësimet e Perëndisë nxjerrin në pah atë që jemi vërtet brenda, atë që askush nuk mund ta vërejë, ato na motivojnë të ndryshojmë për mirë. Kjo na sjell gëzim neve dhe Krijuesit.
«Fjala e Perëndisë . . . është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» Mënyra si reagon një njeri ndaj fjalës së Perëndisë zbulon mendimet e tij të vërteta, madje qëllimet ose motivet, të cilat ndikojnë te qëndrimi dhe sjellja. Për shembull, nëse një njeri reagon pozitivisht ndaj fjalës së Perëndisë dhe bën ndryshimet e nevojshme, tregon se është i përulur, i sinqertë dhe se dëshiron t’i pëlqejë Krijuesit. Ndërsa, po të përpiqej të kapej me fjalën e Perëndisë, do të zbulonte tipare negative, siç mund të jetë krenaria e papërshtatshme ose egoizmi. Ndoshta po përpiqet të justifikojë veprime që Perëndia nuk i miraton.—Jeremia 17:9; Romakëve 1:24-27.
Siç thotë një vepër referimi, fjala e Perëndisë «mund të arrijë skutat më të thella të qenies sonë». Nuk ka asgjë në zemrën e njeriut që Perëndia të mos e shohë dhe që fjala e tij të mos e nxjerrë në dritë. Hebrenjve 4:13 thotë: «Të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij që duhet t’i japim llogari.»
Konteksti i Hebrenjve 4:12
Libri i Hebrenjve është një letër e frymëzuar, e shkruar nga apostulli Pavël rreth vitit 61 të e.s. për të krishterët judenj në Jerusalem dhe në Jude.
Në kapitujt 3 dhe 4, Pavli thekson se si shembulli i izraelitëve të lashtë shërben si paralajmërim për shërbëtorët e Perëndisë. (Hebrenjve 3:8-12; 4:11) Jehovai premtoi se do t’i çlironte izraelitët nga skllavëria dhe do t’i vendoste në një tokë ku ‘do të banonin të sigurt’. (Ligji i përtërirë 12:9, 10) Megjithatë, brezi i izraelitëve që dolën nga Egjipti, treguan vazhdimisht mungesë besimi te premtimet e Perëndisë dhe e bënë zakon të mos u bindeshin urdhërimeve të tij. Si pasojë, nuk ‘hynë në pushimin e Perëndisë’ dhe nuk patën një marrëdhënie paqësore me të. Ata vdiqën në shkretëtirë. Ndonëse pasardhësit e tyre e trashëguan Tokën e Premtuar, edhe ata filluan të mos i bindeshin Perëndisë. Me kalimin e kohës, kjo i solli shumë vuajtje kombit.—Nehemia 9:29, 30; Psalmi 95:9-11; Luka 13:34, 35.
Pavli shpjegon se shërbëtorët e Perëndisë duhet të mësojnë nga shembulli negativ i izraelitëve jobesnikë. Nëse veprojmë ndryshe nga izraelitët, pra i bindemi fjalës së Perëndisë dhe kemi besim të plotë te premtimet e tij, kemi perspektivën të hyjmë në ‘pushimin e tij’.—Hebrenjve 4:1-3, 11.
Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Hebrenjve.
a Te Hebrenjve 4:12, shprehja «fjala e Perëndisë» nuk nënkupton vetëm Biblën. Gjithsesi, përderisa Perëndia bëri të mundur që premtimet e tij të dokumentoheshin në Bibël, Hebrenjve 4:12 mund t’i referohet edhe asaj.
b Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin: «Kush është Jehovai?»