Përjetimet në prag të vdekjes—Çfarë nuk nënkuptojnë?
Përgjigjja e Biblës
Shumë veta që kanë qenë në prag të vdekjes thonë se u kujtohet që janë shkëputur nga trupi ose kanë parë një dritë të fortë a një vend me bukuri përrallore. Një libër thotë: ‘Disa e konsiderojnë këtë përvojë si privilegj që patën mundësi të shihnin shkurtimisht një botë tjetër.’ (Recollections of Death) Megjithëse Bibla nuk flet për këto përjetime në prag të vdekjes, ajo përmban një të vërtetë themelore që tregon se ato nuk janë vegime të jetës së përtejme.
Të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm.
Bibla thotë se të vdekurit «s’janë të vetëdijshëm për asgjë». (Eklisiastiu 9:5) Pas vdekjes, ne nuk kalojmë në një botë tjetër, por në mosekzistencë. Mësimi se kemi një shpirt të pavdekshëm që mbijeton pasi vdes trupi, nuk vjen nga Bibla. (Ezekieli 18:4) Kështu, çdo kujtim nga një përjetim në prag të vdekjes nuk mund të jetë një vështrim i shpejtë i parajsës në qiell, i ferrit ose i jetës së përtejme.
A tha gjë Lazari për jetën pas vdekjes?
Bibla tregon se Lazari vdiq vërtet dhe Jezui e ringjalli katër ditë pas vdekjes. (Gjoni 11:38-44) Nëse Lazari po gëzonte ndonjë lloj jete pas vdekjes, do të kishte qenë mizore nga ana e Jezuit që ta ringjallte për të jetuar në tokë. Megjithatë, Bibla nuk përmend asnjë koment të Lazarit për jetën pas vdekjes. Sigurisht, nëse Lazari do të kishte përjetuar një jetë pas vdekjes, do të kishte folur për këtë. Është domethënëse se Jezui e krahasoi vdekjen e Lazarit me gjumin, duke treguar se, kur Lazari ishte i vdekur, s’ishte i vetëdijshëm për asgjë.—Gjoni 11:11-14.