Çfarë do të thotë ‘të duash armiqtë’?
Përgjigjja e Biblës
Në Fjalimin e tij të famshëm në Mal, Jezui tha: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj.» (Mateu 5:44; Luka 6:27, 35) Me këto fjalë po na nxiste t’u tregojmë dashuri atyre që na urrejnë ose që na trajtojnë padrejtësisht.
Jezui tregoi dashuri për armiqtë duke i falur ata që e keqtrajtuan. (Luka 23:33, 34) Mësimet e tij për të dashur armiqtë janë në përputhje me atë që thuhet te Shkrimet Hebraike, që njihen gjerësisht edhe si Dhiata e Vjetër.—Eksodi 23:4, 5; Proverbat 24:17; 25:21.
«Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.»—Mateu 5:43, 44.
Në këtë artikull
Pse duhet t’i duash armiqtë?
Perëndia na lë shembullin. Zoti «tregohet zemërmirë edhe me mosmirënjohësit e me të ligjtë». (Luka 6:35) «Falë tij dielli lind mbi të ligjtë.»—Mateu 5:45.
Dashuria mund ta shtyjë armikun të ndryshojë. Bibla na nxit ta trajtojmë armikun me dashuri dhe thotë se, duke vepruar kështu, ‘do të grumbullojmë thëngjij të ndezur mbi kokën e tij’. (Proverbat 25:22) Kjo metaforë i referohet procesit të nxehjes së mineraleve për të nxjerrë metale të çmuara. Po njësoj, po të shfaqim mirësi ndaj dikujt që na urren, mund ta motivojmë që të lërë mënjanë zemërimin dhe të nxjerrë anën e tij më të mirë.
Në cilat mënyra mund të tregosh dashuri për armiqtë e tu?
‘Bëjuni mirë atyre që ju urrejnë.’ (Luka 6:27) Bibla thotë: «Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, e nëse është i etur, jepi diçka për të pirë.» (Romakëve 12:20) Mund të gjesh edhe mënyra të tjera për t’i treguar dashuri armikut, duke zbatuar atë që njihet si Rregulla e Artë, e cila thotë: «Siç dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, po njësoj bëni edhe ju për ta.»—Luka 6:31.
«Bekoni ata që ju mallkojnë.» (Luka 6:28) I bekojmë armiqtë tanë kur u flasim me mirësi e respekt, edhe nëse ata nuk na flasin njerëzisht. Bibla thotë: «Mos e ktheni . . . sharjen me të sharë, por më mirë bekoni.» (1 Pjetrit 3:9) Kjo këshillë mund të na ndihmojë të prishim rrethin vicioz të urrejtjes.
‘Lutuni për ata që ju fyejnë.’ (Luka 6:28) Nëse dikush të fyen, mos e kthe «të keqen me të keqe». (Romakëve 12:17) Përkundrazi, lutju Perëndisë ta falë atë person. (Luka 23:34; Veprat 7:59, 60) Në vend që të hakmerresh, lërja në dorë Zotit të merret me të sipas standardit të Tij të përsosur të drejtësisë.—Levitiku 19:18; Romakëve 12:19.
«Vazhdoni të doni armiqtë tuaj, t’u bëni mirë atyre që ju urrejnë, të bekoni ata që ju mallkojnë dhe të luteni për ata që ju fyejnë.»—Luka 6:27, 28.
Ji i «duruar dhe plot mirësi». (1 Korintasve 13:4) Në përshkrimin e tij të famshëm për dashurinë, apostulli Pavël përdori të njëjtën fjalë greke, a·gaʹpe, që e gjejmë edhe te Mateu 5:44 dhe te Luka 6:27, 35. Këtë lloj dashurie që i pëlqen Perëndisë e tregojmë ndaj armiqve duke qenë të duruar e plot mirësi, jo xhelozë, arrogantë a të vrazhdë.
«Dashuria është e duruar dhe plot mirësi. Dashuria nuk është xheloze. Ajo nuk mburret, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesin e vet, nuk provokohet, nuk e mban llogari të keqen, nuk gëzon për padrejtësinë, por gëzon me të vërtetën. Mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.»—1 Korintasve 13:4-8.
A duhet të luftosh kundër armiqve?
Jo, sepse Jezui i mësoi dishepujt se nuk duhej të luftonin kundër armiqve. Për shembull, kur i paralajmëroi dishepujt se Jerusalemi do të sulmohej, nuk u tha të qëndronin e të luftonin, por i nxiti të iknin me të shpejtë. (Luka 21:20, 21) Gjithashtu, Jezui i tha apostullit Pjetër: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Mateu 26:52) Bibla dhe historia dëshmojnë se dishepujt e Jezuit në shekullin e parë nuk merrnin pjesë në luftë kundër armiqve. a—2 Timoteut 2:24.
Ide të gabuara se ç’do të thotë të duash armiqtë
Ide e gabuar: Ligji i Perëndisë kërkonte që izraelitët të urrenin armiqtë.
Fakt: Ligji nuk përmbante një kërkesë të tillë. Përkundrazi, i udhëzonte izraelitët ta donin të afërmin. (Levitiku 19:18) Edhe pse fjala «i afërm» nënkuptonte thjesht njerëzit e tjerë, disa judenj e ngushtuan kuptimin e saj që të përfshinte vetëm bashkatdhetarët dhe besonin se jojudenjtë ishin armiq që duheshin urryer. (Mateu 5:43, 44) Jezui ua ndreqi pikëpamjen e gabuar duke u treguar historinë për samaritanin e mirë.—Luka 10:29-37.
Ide e gabuar: Të duash armiqtë, do të thotë të miratosh sjelljen e tyre të gabuar.
Fakt: Bibla tregon se mund ta duash një person e në të njëjtën kohë të mos e miratosh sjelljen e tij të gabuar. Për shembull, Jezui e dënonte dhunën, ama u lut për ata që e ekzekutuan. (Luka 23:34) Veç kësaj, ai i urrente veprat e paligjshme, ose mëkatin, por nga ana tjetër dha jetën për mëkatarët.—Gjoni 3:16; Romakëve 6:23.
a Në librin e tij, E. Barnzi vëren: «Një shqyrtim i kujdesshëm i të gjitha informacioneve të disponueshme tregon se deri në kohën e Mark Aurelit [perandorit romak nga viti 161 deri në vitin 180 të e.s.], asnjë i krishterë nuk shkonte ushtar dhe asnjë ushtar, pasi bëhej i krishterë, nuk e vazhdonte më shërbimin ushtarak.»—The Rise of Christianity.