Çfarë tregon kronologjia biblike për vitin 1914?
Përgjigjja e Biblës
Kronologjia biblike tregon se Mbretëria e Perëndisë u vendos në qiell në vitin 1914. Këtë e bën të qartë një profeci në kapitullin 4 të librit biblik të Danielit.
Një përmbledhje e profecisë. Perëndia bëri që Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, të shihte një ëndërr profetike për një pemë tejet të madhe që u pre. Cungu i saj nuk u la të rritej për një periudhë prej ‘shtatë kohësh’ dhe pas kësaj pema do të rritej përsëri.—Danieli 4:1, 10-16.
Përmbushja fillestare e profecisë. Pema e madhe përfaqësonte vetë mbretin Nabukodonosor. (Danieli 4:20-22) Në kuptimin figurativ, ai ‘u pre’ kur përkohësisht u çmend dhe humbi mbretërinë e tij për shtatë vjet. (Danieli 4:25) Kur Perëndia ia ktheu arsyen, Nabukodonosori hipi përsëri në fron dhe pranoi sundimin e Perëndisë.—Danieli 4:34-36.
Prova se profecia ka një përmbushje më të madhe. I gjithë qëllimi i profecisë ishte që «të gjallët ta dinë se Më i Larti është Sundimtar në mbretërinë e njerëzve, se ia jep atë kujt të dojë dhe vendos mbi të edhe më të përvuajturin e njerëzve». (Danieli 4:17) A donte Jehovai t’ia jepte këtë sundim përfundimisht Nabukodonosorit krenar? Jo, sepse Perëndia i kishte dhënë më parë një ëndërr tjetër profetike ku tregohej se këtë rol nuk do ta përmbushte as ai e as ndonjë sundimtar tjetër politik. Por vetë Perëndia ‘do të vendoste një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë’.—Danieli 2:31-44.
Më përpara, Perëndia kishte vendosur një mbretëri që të përfaqësonte sundimin e tij në tokë: kombin e lashtë të Izraelit. Perëndia lejoi që kjo mbretëri të kthehej në «rrënojë» sepse sundimtarët e saj nuk kishin treguar besnikëri, por paratha se do t’ia jepte mbretërimin ‘atij që ka të drejtën ligjore’. (Ezekieli 21:25-27) Bibla identifikon Jezu Krishtin si ai që është ligjërisht i autorizuar për të marrë këtë mbretëri të përjetshme. (Luka 1:30-33) Ndryshe nga Nabukodonosori, Jezui është «i përulur në zemër».—Mateu 11:29.
Çfarë përfaqëson pema në kapitullin 4 të Danielit? Në Bibël, ndonjëherë pemët përfaqësojnë sundim. (Ezekieli 17:22-24; 31:2-5) Në përmbushjen më të madhe të kapitullit 4 të Danielit, pema tejet e madhe simbolizon sundimin e Perëndisë.
Çfarë do të thotë prerja e pemës? Ashtu siç përfaqësonte një ndërprerje të mbretërimit të Nabukodonosorit, prerja e pemës përfaqësonte edhe një ndërprerje të sundimit të Perëndisë në tokë. Kjo ndodhi kur Nabukodonosori shkatërroi Jerusalemin, ku mbretërit e Izraelit uleshin në «fronin e Jehovait» si përfaqësues të vetë Perëndisë.—1 Kronikave 29:23.
Çfarë përfaqësojnë ‘shtatë kohët’? ‘Shtatë kohët’ përfaqësojnë periudhën gjatë së cilës Perëndia i lejoi kombet të sundonin mbi tokë pa ndërhyrjen e ndonjë mbretërie të vendosur prej tij. Këto «shtatë kohë» filluan në tetor të vitit 607 p.e.s., në kohën kur, sipas kronologjisë biblike, Jerusalemi u shkatërrua nga babilonasit. a—2 Mbretërve 25:1, 8-10.
Sa zgjatin ‘shtatë kohët’? Nuk mund të ishin shtatë vite të mirëfillta si në rastin e Nabukodonosorit. Jezui dha përgjigjen kur tha se «Jerusalemin [simboli i sundimit të Perëndisë] do ta shkelin kombet, derisa të përmbushen kohët e caktuara të kombeve». (Luka 21:24) «Kohët e caktuara të kombeve», periudha gjatë së cilës Perëndia lejoi që sundimi i tij ‘të shkelej nga kombet’, janë të njëjtat me ‘shtatë kohët’ në kapitullin 4 të Danielit. Kjo do të thotë se ‘shtatë kohët’ nuk kishin mbaruar ende kur Jezui ishte në tokë.
Bibla tregon si mund ta përcaktojmë gjatësinë e këtyre ‘shtatë kohëve’ profetike. Ajo thotë se tri «kohë» e gjysmë janë të barabarta me 1.260 ditë, prandaj «shtatë kohë» janë të barabarta me dyfishin e këtij numri, domethënë 2.520 ditë. (Zbulesa 12:6, 14) Nëse zbatojmë rregullin profetik «një ditë për një vit», 2.520 ditët përfaqësojnë 2.520 vjet. Pra, ‘shtatë kohët’, ose 2.520 vjetët, do të mbaronin në tetor të 1914-s.—Numrat 14:34; Ezekieli 4:6.
a Për një trajtim më të hollësishëm se përse themi se këto kohë filluan në vitin 607 p.e.s, shih artikullin «Kur u shkatërrua Jerusalemi i lashtë?—Pjesa e parë» në faqet 26-31 të Kullës së Rojës të 1 tetorit 2011 dhe «Kur u shkatërrua Jerusalemi i lashtë?—Pjesa e dytë» në faqet 22-28 të Kullës së Rojës të 1 nëntorit 2011.