NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE
Dobitë e lojërave kreative
Shprehja «lojëra kreative» u referohet aktiviteteve zbavitëse që stimulojnë kuriozitetin dhe imagjinatën. Këto e ndihmojnë fëmijën të zhvillohet mendërisht dhe emocionalisht, si edhe të bëhet i aftë për punë fizike.
Ndër to janë:
Të vizatojë
Të gatuajë
Të luajë me imitim personazhesh ose situata imagjinare
Të këndojë
Të luajë me formuese ndërtimi prej plastike ose druri
Të luajë me objekte të thjeshta (madje edhe një kuti kartoni mund të zgjojë imagjinatën)
Në shumë vende, lojërat kreative janë zëvendësuar në shkallë të madhe me zbavitje pasive dhe aktivitete të organizuara.
A duhet t’i kushtosh vëmendje kësaj çështjeje?
Çfarë duhet të dish?
Lojërat kreative i kontribuojnë zhvillimit të fëmijës. Ato i përmirësojnë shëndetin fizik dhe mendor, si edhe aftësitë kreative dhe marrëdhëniet me të tjerët. Veç kësaj i mësojnë fëmijës të jetë i duruar, të marrë vendime të mira, të mbajë nën kontroll emocionet dhe të shkojë mirë me të tjerët kur luajnë si grup. Me pak fjalë, lojërat kreative e përgatitin fëmijën për moshën e rritur.
Ekspozimi i tepërt ndaj medias elektronike mund ta dëmtojë fëmijën. Ekspozimi i tepërt ndaj medias dixhitale mund të krijojë varësi. Gjithashtu mund të shkaktojë obezitet te fëmijët dhe sjellje agresive. Kjo duhet të jetë si kambanë alarmi për prindërit që përdorin median elektronike si bebisiter për fëmijët e tyre në moshë parashkollore.
Aktivitetet e programuara kanë minuset e tyre. Kur fëmijët kalojnë nga një aktivitet i programuar te tjetri, s’u mbetet më kohë për t’u përfshirë në lojëra të paplanifikuara që u zhvillojnë kureshtjen dhe kreativitetin. Mirëpo kjo kohë është e domosdoshme.
Ç’mund të bësh?
Krijo mundësi që fëmijët të angazhohen në lojëra kreative. Për aq sa ta lejojnë rrethanat, lëri fëmijët të kalojnë kohë jashtë shtëpisë, që të njohin më mirë natyrën. Jepu mundësi të zhvillojnë ndonjë hobi dhe të luajnë me lodra që stimulojnë kreativitetin. a
Për të menduar: Cilat cilësi mund të zhvillojë fëmija im falë lojërave kreative dhe si mund t’i vlejnë ato më vonë në jetë?
Parim nga Bibla: «Fizkultura është e dobishme.»—1 Timoteut 4:8, shënimi.
Kufizo kohën që kalojnë para ekranit. Mendohu mirë para se të përdorësh telefonin, tabletin ose televizorin që ta mbash urtë fëmijën. Pediatrët rekomandojnë që fëmijët nën moshën 2 vjeç, të mos rrinë fare para ekranit, ndërsa nga 2 deri në 5 vjeç, jo më shumë se 1 orë. b
Për të menduar: Çfarë kufijsh mund të vendos për kohën që kalon fëmija im para ekranit? A duhet të rri me të kur ai përdor mjete elektronike? Cilat mundësi të tjera janë më të mira se media elektronike?
Parim nga Bibla: «Bëni shumë kujdes, pra, që të mos ecni si të pamendët, por si të mençurit, duke e shfrytëzuar sa më mirë kohën.»—Efesianëve 5:15, 16.
Shqyrtoji me kujdes aktivitetet e organizuara. Është e vërtetë se këto aktivitete e ndihmojnë fëmijën të zhvillojë ndonjë aftësi ose të bëhet i zoti në ndonjë sport. Por shpesh, aktivitetet e shumta i shtojnë stresin jo vetëm fëmijës, por edhe prindit që duhet ta shoqërojë. Pa dyshim, parimi tek Efesianëve 5:15, 16 për përdorimin me mençuri të kohës, vlen edhe në këtë aspekt.
Për të menduar: A i kam ngarkuar fëmijët me aktivitete të organizuara? Nëse po, cilat rregullime mund të bëj?
Parim nga Bibla: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’—Filipianëve 1:10.
a Shumë nga lodrat e prodhuara nëpër fabrika, nuk i lënë shumë hapësirë kreativitetit. Kurse lodrat ose objektet e thjeshta, duke filluar nga formueset e deri te një kuti kartoni, i japin mundësi fëmijës të futë në punë imagjinatën.
b «Koha para ekranit» u referohet zbavitjeve, jo kohës që shpenzojmë kur flasim në videokonferencë me njerëzit e dashur ose për aktivitete shkollore a për programe besimforcuese me familjen.