Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si t’ia bëj kur kam një mal me detyra?

Si t’ia bëj kur kam një mal me detyra?

 «Është rraskapitëse të rrish deri në 1 të mëngjesit duke bërë detyrat e shtëpisë. Në atë orar e ke mendjen vetëm për gjumë.»—Davidi.

 «Ndonjëherë rrija deri në 4 e gjysmë të mëngjesit duke studiuar, pastaj ngrihesha në 6 që të shkoja në shkollë. Ishte e tmerrshme!»—Tereza.

 A je i mbytur me detyra shtëpie? Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë.

 Pse mësuesit japin detyra shtëpie?

 Midis të tjerave, detyrat e shtëpisë . . .

  •   të zgjerojnë njohuritë bazë

  •   të bëjnë më të përgjegjshëm

  •   të mësojnë si të menaxhosh mirë kohën

  •   të ndihmojnë të përvetësosh konceptet që mëson në klasë a

 «Mësuesit japin detyra shtëpie për t’u siguruar që nxënësit t’i vënë në praktikë ato që mësojnë, në vend që t’u hyjnë nga njëri vesh e t’u dalin nga tjetri.»—Maria.

 Veçanërisht lëndët shkencore zhvillojnë aftësitë për të zgjidhur probleme dhe, sipas ekspertëve, mund të krijojnë dhe të forcojnë lidhje të reja nervore. Me pak fjalë, detyrat e shtëpisë janë si fizkulturë për trurin.

 Të duken të dobishme apo jo, detyrat e shtëpisë duhet t’i bësh patjetër. Por ka një lajm të mirë: ndonëse nuk varet nga ti se sa detyra do të të japin, mund të pakësosh kohën për t’i kryer ato. Le të shohim si të arrish këtë.

 Sugjerime për të studiuar

 Nëse s’po i mbaron dot detyrat, zgjidhja mund të mos jetë të përpiqesh më shumë, por të jesh më i efektshëm. Provo këto sugjerime.

  •   Sugjerimi 1: Planifiko. Bibla thotë: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri sukses.» (Proverbat 21:5, nwt) Mbaj afër të gjitha materialet për studim, që të mos kesh nevojë të shkëputesh nga mësimet.

     Gjithashtu zgjidh një vend ku e ke të lehtë të përqendrohesh. Për disa është ideal një ambient i qetë dhe i ndriçuar mirë. Për të tjerë mund të jetë biblioteka ose natyra.

     «Mund ta programosh kohën me mençuri kur shënon në një bllok detyrat dhe datën e përfundimit. Kështu mund të shohësh si po ecën e do të kesh më pak stres.»—Riçardi.

  •   Sugjerimi 2: Organizohu. Bibla thotë: «Por çdo gjë le të ndodhë . . . me rregull.» (1 Korintasve 14:40) Me këtë parim në mendje vendos si t’i organizosh detyrat e shtëpisë.

     Disa kanë qejf të fillojnë me më të vështirat. Të tjerë duan të heqin qafe më të lehtat, që të jenë të motivuar për detyrat që mbeten. Zgjidh metodën që funksionon më mirë për ty.

     «Pa dyshim që është më kollaj kur rendit gjërat që ke për të bërë sipas përparësisë. Kështu ndihesh që i ke nën kontroll detyrat dhe nuk të zënë frymën.»—Heidi.

  •   Sugjerimi 3: Futju punës. Bibla thotë: «Jini të papërtuar e jo përtacë.» (Romakëve 12:11, nwt) Edhe pse aktivitetet e tjera mund të jenë goxha tunduese, mos i lejo të të vjedhin kohën e nevojshme për detyrat e shtëpisë.

     Ata që i zvarritin punët, me shumë gjasa nuk do të arrijnë afatet ose do t’i bëjnë shkel e shko. Pra, mund t’i kursesh vetes ankthin e panevojshëm ose mërzitjen, thjesht duke i nisur detyrat sa më shpejt të jetë e mundur.

     «Kur bëja detyrat e shtëpisë menjëherë pas shkollës ose kur e nisja një projekt sapo e merrja, nuk stresohesha më vonë. Ato s’më prishnin punë për aktivitetet e tjera.»—Serina.

     SUGJERIM: Bëji detyrat e shtëpisë në të njëjtin orar çdo ditë. Kjo do të të ndihmojë të jesh më i vetëdisiplinuar dhe më sistematik.

  •   Sugjerimi 4: Mos u shpërqendro. Bibla thotë: «Sytë e tu duhet të ngulen drejt përpara teje.» (Proverbat 4:25) Që të zbatosh këtë këshillë, duhet të shmangësh shpërqendrimet, sidomos pajisjet elektronike.

     Lundrimi në internet dhe mesazhet mund të dyfishojnë kohën për të bërë detyrat e shtëpisë. Ama, po nuk u shpërqendrove nga këto, do të kesh më pak stres dhe më shumë kohë të lirë.

     «Celulari, kompjuteri, videolojërat dhe televizori ta bëjnë të vështirë të përqendrohesh. Prandaj fik telefonin dhe pajisje të tjera elektronike.»—Joeli.

  •   Sugjerimi 5: Ji i ekuilibruar. Bibla thotë: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit.» (Filipianëve 4:5) Që të mos stresohesh nga detyrat, pusho kur ta kesh të nevojshme. Bëj një xhiro me këmbë a me biçikletë, ose dil për vrap.

     Nëse akoma mendon se ke një mal me detyra, fol me mësuesit. Kur shohin që përpiqesh me gjithë shpirt, mbase do të ndryshojnë diçka.

     «Mos lejo që stresi nga detyrat e shtëpisë të të çojë gjer aty ku s’mban më. Bëj më të mirën. Ka disa gjëra për të cilat thjesht s’ia vlen të lodhësh trutë. Një ndër to janë detyrat e shtëpisë.»—Xhulia.

 Pyet veten:

  •   Çfarë gjërash më duhen për detyrat e shtëpisë?

  •   Kur është koha ideale për detyrat?

  •   Në cilin vend përqendrohem më kollaj?

  •   Ç’të bëj që të mos i zvarrit gjërat?

  •   Cilat shpërqendrime më ulin ritmin e studimit?

  •   Si do t’i shmang shpërqendrimet—pajisjet elektronike ose diçka tjetër?

  •   Si të jem më i ekuilibruar kur vjen puna te detyrat e shtëpisë?

 PËRKUJTUES I RËNDËSISHËM: Përpiqu të kuptosh çfarë detyrash ke për të bërë. Nëse ke paqartësi, pyet mësuesin para se të dalësh nga klasa.

a Këto pika janë marrë nga libri School Power, nga Xhini Shum.