TË RINJTË PYESIN
Si ta menaxhoj kohën?
Pse duhet ta menaxhosh kohën?
Koha është si paraja. Po e shpërdorove nuk do ta kesh kur të të duhet. Nga ana tjetër, po ta planifikosh, do të të ngelet kohë të merresh me gjërat që të pëlqejnë!
Parimi biblik: «Përtaci dëshiron, por shpirti i tij s’ka asgjë. Megjithatë shpirti i atyre që ngulmojnë, majmet.»—Proverbat 13:4.
Përfundimi: Menaxhimi i kohës do të të sjellë më shumë liri, jo më pak.
Menaxhimi i kohës është një aftësi e çmuar që do të të hyjë në punë në moshë të rritur. Madje mund të përcaktojë nëse do të mbash apo do të humbësh vendin e punës. Në fund të fundit, po të drejtoje një biznes, a do ta mbaje një punonjës që e ka zakon të vijë me vonesë?
Parimi biblik: «Kush është i besueshëm në gjëra të vogla, është i besueshëm edhe në të mëdha.»—Luka 16:10.
Përfundimi: Aftësia për të menaxhuar kohën flet disi për llojin e personit që je.
Megjithatë, menaxhimi i kohës nuk është i lehtë. Shqyrto disa pengesa.
Pengesa nr. 1: Shokët
«Nëse shoqëria më fton të dal me ta, thuajse gjithnjë them po, edhe pse në të vërtetë nuk kam kohë. Mendoj: ‘Eh mirë, mund t’i bëj gjërat shpejt e shpejt kur të shkoj në shtëpi.’ Kjo nuk funksionon në çdo rast dhe, si pasojë, gjërat dalin shumë keq.»—Sinthia.
Pengesa nr. 2: Shpërqendrimet
«TV është si fshesë me korrent. Të thith brenda me emisione dhe fiIma që është e vështirë t’u rezistosh.»—Ajvi.
«Mund të rri edhe orë të tëra me tabletën. Ndihem në faj që e heq nga duart vetëm kur i bie bateria.»—Maria.
Pengesa nr. 3: Zvarritja
«I zvarrit detyrat e shkollës dhe çdo gjë tjetër që duhet të bëj. E harxhoj kohën me gjëra koti derisa s’kam më nga t’ia mbaj e më duhet t’i mbaroj patjetër detyrat—kjo s’është hiç mënyrë e mirë për të menaxhuar kohën.»—Beti.
Ç’mund të bësh?
Shkruaj një listë të angazhimeve. Mund të përfshish punët e shtëpisë ose detyrat e shkollës. Shkruaj sa kohë të duhet zakonisht në një javë për të mbaruar secilën.
Parimi biblik: «Të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.»—Filipianëve 1:10.
Shkruaj një listë të aktiviteteve të kohës së lirë. Mund të përfshish përdorimin e rrjeteve sociale dhe shikimin e televizorit. Përsëri, shkruaj sa kohë kalon zakonisht në një javë për secilin aktivitet.
Parimi biblik: «Vazhdoni të veproni me mençuri . . . duke blerë kohën e duhur për veten tuaj.»—Kolosianëve 4:5.
Bëj një plan. Hidhu një sy listave që bëre. A ke lënë mjaft kohë për angazhimet më të rëndësishme? Mos duhet të blesh kohë nga aktivitetet e kohës së lirë?
Sugjerim: çdo ditë shkruaj një listë të gjërave që duhet të bësh dhe vër një shenjë kur ta përfundosh.
Parimi biblik: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim.»—Proverbat 21:5.
Zbatoje planin. Që të mbarosh gjërat më të rëndësishme, është e vërtetë që aty-këtu do të të duhet të refuzosh ndonjë ftesë të shoqërisë. Gjithsesi, në përgjithësi, do të kesh më shumë kohë të lirë dhe do ta shijosh më shumë kohën e lirë.
Parimi biblik: «Jini të papërtuar në punët tuaja.»—Romakëve 12:11.
Shpërbleje veten, por jo tepër herët. Një e re me emrin Tara thotë: «Ndonjëherë mbaroj 2 gjëra të listës dhe mendoj: ‘OK, mund të shoh 15 minuta televizor dhe pastaj t’i kthehem punës.’ Mirëpo, 15 minutat bëhen 30, pastaj 30 minutat bëhen 1 orë dhe, si pa kuptuar, kam harxhuar 2 orë para televizorit.»
Si ta zgjidhësh? Shikoje zbavitjen si shpërblim ngaqë ke përfunduar çdo angazhim, jo si pjesë të pashmangshme të ditës.
Parimi biblik: «Për njeriun s’ka asgjë më të mirë se . . . të shohë të mira, për shkak të mundit të tij.»—Eklisiastiu 2:24.