TË RINJTË PYESIN
Çfarë të bëj kur prindërit nuk më lënë të përdor median sociale?
Duket sikur gjithë shokët e tu përdorin median sociale dhe flasin gjithë kohës për të. Ndoshta edhe tallen me ty sepse nuk ke një profil. Çfarë duhet të dish për këtë situatë dhe ç’mund të bësh?
Çfarë duhet të dish?
Nuk je vetëm. Ka shumë prindër që nuk i lejojnë fëmijët të përdorin median sociale. Ndoshta sepse e dinë se përdorimi i medias sociale lidhet me:
depresionin dhe probleme të tjera të shëndetit mendor.
ekspozimin ndaj pornografisë, sexting dhe me bullizmin kibernetik.
keqkuptimet e kota mes shokësh.
Shumë adoleshentë kanë vendosur të mos e përdorin më median sociale. Ata vetë kanë arritur në përfundimin se media ndikonte më shumë për keq, sesa për mirë. Ja disa shembuj:
Prishila zbuloi se media sociale po i harxhonte kohën që mund ta përdorte në mënyrë më produktive.
Xhereminë e bezdiste fakti që s’mund t’i kontrollonte materialet e papërshtatshme që i vinin në profil.
Betania vuri re se po i bëhej fiksim jeta e të tjerëve.
«Vendosa ta fshija aplikacionin e medias sociale dhe jam e lumtur për këtë. S’jam bërë fare pishman dhe po kënaqem që kam më shumë kohë për gjëra më të rëndësishme për mua.»—Siera.
«S’më pëlqente varësia që krijonte media sociale dhe që ndonjëherë e vrisja shumë mendjen për reagimin e të tjerëve ndaj postimeve të mia. S’e pata të lehtë ta fshija profilin, por pastaj u ndieva menjëherë e lehtësuar. Jam më e qetë pa të.»—Kejti.
Ja ç’mund të bësh
Bashkëpuno me rregullat e prindërve. Tregoje pjekurinë tënde, duke iu bindur rregullave të tyre pa u acaruar e pa u ankuar.
Parim nga Bibla: «I marri i shfryn gjithë ndjenjat, por i mençuri i mban nën fre me qetësi.»—Proverbat 29:11.
Disa mund të të thonë ta përdorësh median sociale fshehurazi prindërve ose të hapësh një profil fals. Kjo do të ishte e gabuar! Kur i bën gjërat prapa krahëve, provon ankth dhe ndjenja faji. Gjithashtu do të futeshe në telashe nëse prindërit do ta merrnin vesh, dhe kjo patjetër do t’ua dëmtonte besimin që kanë te ti.
Parim nga Bibla: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—Hebrenjve 13:18.
Vendose ti vetë të mos e përdorësh median sociale. Ashtu si të rinjtë e përmendur më sipër, edhe ti mund të mendosh për arsyet e shumta pse ta shmangësh median sociale. Nëse duket qartë se përdorimi i saj nuk është opsioni më i mirë për ty, shmange, jo vetëm sepse është vendimi i prindërve, por sepse edhe ti vetë e ke ndarë mendjen. Kur shokët të të pyesin për këtë argument, nuk do të vihesh në siklet, prandaj vështirë që të tallen me ty.
Përfundimi: Bashkëpuno me prindërit dhe gjej pika të përbashkëta që vendimi i tyre të jetë edhe yti. Tani për tani, mund të jetosh edhe pa median sociale.