TË RINJTË PYESIN
A duhet të pagëzohem?—Pjesa 3: Pse po ngurroj?
A të zë ankthi kur mendon t’i kushtosh jetën Jehovait dhe të pagëzohesh? Nëse po, ky artikull do të të ndihmojë t’i kapërcesh frikërat.
Në këtë artikull
Po nëse bëj një gabim serioz pas pagëzimit?
Pse merakosesh? Mbase njeh dikë që ka kryer një mëkat serioz dhe si pasojë nuk është më pjesë e kongregacionit. (1 Korintasve 5:11-13) Mbase ke merak se mos të ndodh e njëjta gjë edhe ty.
«Kur po mendoja të pagëzohesha, më tmerronte ideja se mund të bëja ndonjë gabim trashanik pas pagëzimit. Thjesht mund të imagjinoja sa të turpëruar do të ndiheshin prindërit.»—Rebeka.
Shkrimi kyç: «I ligu le ta lërë udhën e tij të ligë. . . . Le të kthehet te Jehovai, i cili do t’i tregojë mëshirë, te Perëndia ynë, sepse ai do ta falë bujarisht.»—Isaia 55:7.
Mendo për këtë: Edhe pse keqbërësit e papenduar nuk janë më pjesë e kongregacionit, Jehovai tregon mëshirë për të penduarit e përulur që e pranojnë korrigjimin.—Psalmi 103:13, 14; 2 Korintasve 7:11.
Për më tepër, e vërteta është se, edhe pse je i papërsosur, mund t’i bësh ballë tundimit me ndihmën e Perëndisë. (1 Korintasve 10:13) Mbi të gjitha, kush vendos si do të veprosh? Ti apo dikush tjetër?
«Kisha frikë se mos bëja ndonjë gabim të rëndë pas pagëzimit, por pastaj kuptova se do të gaboja vërtet po të mos pagëzohesha. E kuptova se nuk duhej t’i lejoja frikërat e së nesërmes të më pengonin të bëja atë që duhet sot.»—Kerëni.
Përfundimi: Ti e ke në dorë të zgjedhësh që të shmangësh mëkatet serioze, siç bën shumica e shërbëtorëve të Jehovait.—Filipianëve 2:12.
A ke nevojë për më shumë ndihmë? Shih artikullin «Si t’i rezistoj tundimit?»
Po nëse kam frikë nga përgjegjësitë që sjell pagëzimi?
Pse merakosesh? Për shembull, mbase njeh të rinj që janë larguar nga familja dhe miqtë, që të bëjmë më shumë në shërbim të Jehovait. Ke merak se mos të tjerët presin që edhe ti të veprosh njësoj.
«Kuptohet që pagëzimi i hap rrugën një të krishteri që të bëjë më shumë në shërbim të Jehovait. Mirëpo, disa thjesht nuk janë gati ta vënë veten në dispozicion ose nuk i kanë rrethanat.»—Meri.
Shkrimi kyç: «Secili të shqyrtojë veprimet e tij, dhe atëherë do të ketë arsye për t’u gëzuar vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër.»—Galatasve 6:4.
Mendo për këtë: Në vend që të krahasohesh me të tjerët, përqendrohu te fjalët e Markut 12:30: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde.»
Vëre se duhet t’i shërbesh Jehovait me gjithë zemrën tënde, jo të dikujt tjetër. Nëse e do vërtet Jehovain, do të gjesh mënyra që t’i japësh më të mirën tënde.
«Pagëzimi është vërtet një hap serioz, por nuk ta vështirëson jetën. Nëse rri me shoqëri të mirë, ata do të të ndihmojnë. Dhe, ndërsa merr përgjegjësi gradualisht, do të të shtohet lumturia. Pra, nëse shmang pagëzimin, nuk po i bën mirë vetes.»—Julia.
Përfundimi: Zhvillo mirënjohje për dashurinë që të ka treguar Jehovai. Mirënjohja do të të nxitë t’i japësh më të mirën tënde.—1 Gjonit 4:19.
A ke nevojë për më shumë ndihmë? Shih artikullin «Sa i përgjegjshëm jam?»
Po nëse ndihem i padenjë për t’i shërbyer Jehovait?
Pse merakosesh? Jehovai është Sovrani i universit; krahasuar me të, njerëzit janë të papërfillshëm! Ndoshta mendon se Jehovai as që e di që ekziston.
«Prindërit i kam Dëshmitarë të Jehovait, prandaj kisha merak se thjesht po e ‘trashëgoja’ prej tyre miqësinë me Jehovain dhe se Jehovai nuk më kishte tërhequr edhe mua.»—Natalia.
Shkrimi kyç: «Askush s’mund të vijë tek unë po të mos e tërheqë Ati që më dërgoi.»—Gjoni 6:44.
Mendo për këtë: Vetëm fakti që ti po e shqyrton mundësinë për t’u pagëzuar, mund të tregojë se Jehovai po të fton të kesh një miqësi edhe më të ngushtë me të. A ke qejf t’i përgjigjesh kësaj ftese?
Mos harro edhe se standardin për ata që tërheq drejt vetes, e vendos vetë Jehovai: as ti, as ndonjë tjetër. Dhe Fjala e tij të jep sigurinë se, nëse ‘i afrohesh Perëndisë’, edhe ai ‘do të të afrohet’.—Jakovi 4:8.
«Fakti që e njeh Jehovain dhe që të ka tërhequr, është dëshmi se ai të do. Kështu, nëse mendon se nuk je i denjë për t’i shërbyer, kujtoi vetes se ai nuk është dakord me këtë. Dhe Jehovai ka gjithmonë të drejtë.»—Selina.
Përfundimi: Nëse i plotëson kërkesat e Biblës për t’u pagëzuar, atëherë je i kualifikuar për të adhuruar Jehovain. Dhe mos harro se ai e meriton adhurimin tënd.—Zbulesa 4:11.
A ke nevojë për më shumë ndihmë? Shih artikullin «Pse duhet të lutem?»