TË RINJTË PYESIN
Si ta heq mendjen nga seksi?
«Mendimet për seksin vijnë krejt papritur dhe s’më lënë të mendoj për gjë tjetër. Në këto momente është sikur dikush po më kontrollon mendjen.»—Vera.
«T’i mbash nën kontroll mendimet për seksin duket e pamundur. Është më e lehtë të rrahësh krahët me shpresën se mos fluturon.»—Xhoni.
A ndihesh edhe ti si Vera dhe Xhoni? Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë.
Pse ka rëndësi?
«Daja më ka thënë se Perëndia nuk do të na jepte dëshirën për seks, nëse nuk do të donte që ta plotësonim»,—thotë një i ri me emrin Aleks.
Ajo që thotë daja i Aleksit është pjesërisht e vërtetë. Po, Perëndia e ka një arsye pse na i ka dhënë dëshirat seksuale. Njerëzimi ekziston falë riprodhimit. Ndaj mund të pyesësh veten përse është e gabuar ta mbash mendjen te këto dëshira. Ja dy arsye me vend:
Bibla mëson se Perëndia ka vendosur që vetëm në martesë një burrë dhe një grua mund të kryejnë marrëdhënie seksuale.—Zanafilla 1:28; 2:24.
Në qoftë se e respekton këtë standard të Perëndisë dhe je beqar, të mbash mendjen te seksi veçse do të të bëjë të vuash. Madje mund të të çojë deri aty sa të kryesh marrëdhënie seksuale, vendim për të cilin shumë veta janë penduar.
Kur përpiqesh ta heqësh mendjen nga seksi, arrin të zhvillosh një cilësi të rëndësishme, vetëkontrollin.—1 Korintasve 9:25.
Kjo cilësi luan një rol të rëndësishëm në suksesin tënd, tani dhe në të ardhmen. Në fakt, një studim tregonte se fëmijët me vetëkontroll kanë më pak gjasa që në të ardhmen të kenë probleme shëndetësore, të jenë nën stres për paratë ose të kenë probleme me autoritetet. a
Pse është kaq e vështirë?
Hormonet janë një arsye. Shtoji kësaj dhe faktin që jetojmë në një botë të fiksuar pas seksit, e kështu mund të bëhet e vështirë të heqësh mendjen nga seksi.
«Duket sikur çdo program televiziv e vë në dritë pozitive seksin para martese, pa vënë në dukje asnjë rrezik. Kur marrëdhëniet seksuale jashtë martese paraqiten në këtë mënyrë, mendimet e papërshtatshme nuk shqiten kollaj nga mendja.»—Rutha.
«Në punë, vazhdimisht më kap veshi të folurin vulgar për seksin. Kjo më ngacmon kureshtjen. Seksi jashtë martese është bërë kaq normal saqë është e vështirë ta shikosh si diçka të gabuar.»—Nikol.
«Është e lehtë ta ulësh vigjilencën kur shikon foto të ndryshme në rrjetet sociale. Një pamje provokuese mund të ngulitet aq shumë në mendje, sa vështirë të harrohet.»—Maria.
Ndoshta këta faktorë të bëjnë të ndihesh si Pavli. Ai shkroi: «Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje.»—Romakëve 7:21.
Ç’mund të bësh?
Mendo për gjëra të tjera. Përpiqu të përqendrohesh te diçka tjetër veç seksit. Kjo mund të përfshijë një hobi, një sport, ushtrime fizike ose një aktivitet tjetër që të pëlqen. «Të lexosh Biblën ndihmon,—thotë një e re me emrin Valeria.—Ajo përmban mendime për Perëndinë. Kur e mban mendjen te Perëndia, vështirë që mendja të të shkojë diku tjetër.
Është e vërtetë se mendimet për seksin mund të na vijnë në mendje. Por e ke ti në dorë se ç’do të bësh me to. Nëse je i vendosur, atëherë do të kesh fuqi t’i largosh këto mendime.
«Kur filloj të mendoj për seksin, e detyroj veten të mendoj për diçka tjetër. Gjithashtu përpiqem të identifikoj shkakun e mendimit, që mund të ishte një këngë ose foto të cilën duhej ta kisha fshirë.»—Elena.
Parim nga Bibla: «Vazhdoni të mendoni për . . . çdo gjë të drejtë, çdo gjë të dëlirë.»—Filipianëve 4:8.
Zgjidh shoqëri të mirë. Në qoftë se shokët e tu flasin vazhdimisht për seksin, do të jetë e vështirë ta mbash mendjen të pastër.
«Si adoleshent, kam luftuar me mendimet e mia, dhe ndikim të madh kishte shoqëria. Kur rrethohesh nga njerëz që nxisin imoralitetin, nuk shqetësohesh t’i mbash nën kontroll dëshirat e tua, dhe kjo është si t’i hedhësh benzinë zjarrit.»—Sara.
Parim nga Bibla: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.»—Proverbat 13:20.
Shmang zbavitjen e papërshtatshme. Dihet që pothuajse e gjithë industria e zbavitjes promovon seksin. «Muzika është faktori që ndikon më shumë te mua,—thotë Nikol.—Mund t’i ndezë dëshirat deri në atë pikë, sa bëhen të vështira për t’i shuar.»
«Fillova të shikoja filma dhe programe televizive që kishin skena me seks. Pa e kuptuar, mendja më rrinte te seksi. S’ishte çudi pse i kisha ato mendime. Sapo ndalova të shikoja ato filma dhe programe televizive, nuk po mendoja dhe aq shumë për seksin. Kur je përzgjedhës me zbavitjen, lufta kundër mendimeve të papërshtatshme bëhet edhe më e lehtë.»—Joana.
Parim nga Bibla: «Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju.»—Efesianëve 5:3.
Përfundimi: Disa mendojnë se impulset e tyre seksuale janë kaq të rëndësishme, saqë nuk duhet dhe nuk munden t’i kontrollojnë. Por Bibla nuk thotë kështu. Ajo na jep dinjitet kur pohon se ne mund t’i kontrollojmë mendimet tona.
Parim nga Bibla: ‘Vazhdoni të rinoheni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj.’—Efesianëve 4:23.
a Vetëkontrolli iu duhet edhe të martuarve: arsye tjetër që ta kultivosh këtë cilësi tani që je beqar.