Kalo te përmbajtja

Sallë Mbretërie në Mersin

3 QERSHOR 2016
TURQI

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendos se Turqia duhet t’i njohë si «vende adhurimi» Sallat e Mbretërisë

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendos se Turqia duhet t’i njohë si «vende adhurimi» Sallat e Mbretërisë

Më 24 maj 2016 Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mbështeti të drejtën e lirisë së fesë për pakicat fetare në Turqi. Vendimi lidhej me zbatimin strikt të ligjit mbi urbanistikën nga qeveria, për të mohuar njohjen zyrtare si «vende adhurimi» të Sallave të Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait.

GJEDNJ-ja konstatoi se ligji turk për urbanistikën i pranon godinat e mëdha si «vende adhurimi», ama nuk lë vend për ndërtesa të përshtatshme për komunitetet e vogla fetare. Si pasojë, Turqia ka kufizuar në mënyrë të paarsyeshme adhurimin e lirë të Dëshmitarëve dhe ka shkelur nenin 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. * Në këtë vendim thuhej se autoritetet përdorën ligjin e urbanistikës për të «vendosur kritere të ashpra e madje penguese ndaj [adhurimit] të pakicave fetare, ku përfshihen edhe Dëshmitarët e Jehovait».

Legjislacioni për urbanistikën nuk merr në konsideratë pakicat fetare

Dëshmitarët e Jehovait janë regjistruar në Turqi si shoqatë fetare dhe për vite me radhë janë përpjekur që Sallat e tyre të Mbretërisë të njihen zyrtarisht si «vende adhurimi». Megjithatë, kjo kërkesë është refuzuar vazhdimisht nga autoritetet turke.

Meqë Dëshmitarët nuk mund të kenë një vend të posaçëm sipas ligjit, 25 Sallat e Mbretërisë në Turqi janë nën kërcënim të vazhdueshëm për t’u mbyllur nga autoritetet meqë nuk përputhen me ligjin e urbanistikës. Që nga gushti i vitit 2003 autoritetet kanë mbyllur për periudha të ndryshme kohore Sallat e Mbretërisë në Mersin dhe në Akçaj. Në Karshijaka, pjesë e Izmirit, autoritetet nuk kanë pranuar ta njohin Sallën e Mbretërisë si vend adhurimi. Vendimi i 24 majit nga GJEDNJ-ja lidhej me Sallat e Mbretërisë në Mersin dhe në Izmir.

Para vitit 2003, legjislacioni turk mbi urbanistikën që lidhej me vendet e adhurimit ishte hartuar posaçërisht për ndërtimin e xhamive. Gjatë asaj kohe, autoritetet lokale lejonin në heshtje që Dëshmitarët të mblidheshin në ambiente private. Megjithatë, për të ndjekur standardet evropiane për mosdiskriminimin dhe lirinë e fesë, më 2003 Turqia e ndryshoi Ligjin nr. 3194 mbi Urbanistikën. Ndër ndryshimet ishte zëvendësimi i fjalës «xhami» me «vend adhurimi», si edhe kërkesa që autoritetet bashkiake të vinin në dispozicion truall për ndërtimin e godinave fetare.

Në teori, këto amendamente duhej t’u kishin garantuar pakicave fetare të drejtën për të ndërtuar dhe për të pasur në pronësi vende adhurimi. Por, në realitet ligji kërkon një minimum hapësire të përshtatshëm për një numër të madh besimtarësh si edhe që projekti i ndërtesës të përputhet me godinat që përdoren nga besimi mysliman.

Zbatimi strikt i ligjit cenon të drejtën për të pasur «vende adhurimi»

Autoritetet bashkiake nuk kanë siguruar prona të përshtatshme për vende më të vogla adhurimi dhe i refuzojnë vazhdimisht kërkesat e Dëshmitarëve për të bërë ndryshime në urbanistikë. Kur Dëshmitarët i apelojnë këto refuzime, gjykatat e larta dhe autoritetet administrative zbatojnë në mënyrë strikte ligjin mbi urbanistikën dhe nuk pranojnë t’i njohin si «vende adhurimi» Sallat e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait.

Duke zbatuar në mënyrë strikte ligjin e ri, autoritetet bashkiake në Mersin dhe Akçaj mbyllën Sallat e Mbretërisë meqë nuk mund të cilësoheshin «vende adhurimi». Kur Dëshmitarët kërkuan një vend adhurimi alternativ, autoritetet i informuan se s’kishte asnjë vend të planifikuar për këtë qëllim.

Kjo situatë absurde ekziston në të gjithë Turqinë. Në këto rrethana, Dëshmitarët e Jehovait dhe grupet e tjera fetare me më pak besimtarë nuk do të marrin kurrë njohje ligjore për vendet ku kryejnë shërbesat e tyre fetare. Aktualisht, autoritetet administrative në 27 bashki të ndryshme anekënd Turqisë kanë refuzuar 46 kërkesat e Dëshmitarëve të Jehovait për të pasur një vend adhurimi të njohur zyrtarisht. Gjithashtu, për shkak të këtyre rregullave, ndryshe nga vendet e adhurimit të njohura ligjërisht, kongregacionet nuk përjashtohen nga detyrime të tilla, si taksat, energjia elektrike ose uji.

Dëshmitarët apelojnë për ndihmë pranë GJEDNJ-së

Meqë nuk gjetën asnjë rrugëzgjidhje ligjore brenda vendit, Dëshmitarët e Jehovait iu drejtuan GJEDNJ-së. Këshilli i Shtetit, gjykata më e lartë administrative në vend, nuk ka pranuar kurrë që Sallat e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait të njihen ligjërisht si vende adhurimi, e madje ka anuluar vendimin e favorshëm të njërës prej gjykatave.

Ja pse Dëshmitarët e Jehovait paraqitën dy kërkesa pranë GJEDNJ-së, në vitin 2010 dhe në 2012, dhe i kërkuan Gjykatës të shqyrtojë nëse Turqia ka shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. GJEDNJ-ja iu përmbajt vendimeve të mëparshme dhe theksoi sa e rëndësishme është që ligji për urbanistikën t’u japë mundësi komuniteteve më të vogla fetare të kenë vende të posaçme adhurimi.

GJEDNJ-ja vërejti se «një komunitet i vogël fetar si Dëshmitarët e Jehovait e ka shumë të vështirë të përmbushë kriteret ligjore për të pasur një vend të përshtatshëm për të adhuruar». Ajo përfundoi me fjalët: «Gjykatat vendëse nuk i kanë marrë fare parasysh nevojat specifike të një komuniteti të vogël besimtarësh. . . . Nisur nga numri i vogël i besimtarëve, Dëshmitarët e Jehovait nuk kishin nevojë për një ndërtesë me një arkitekturë specifike, përkundrazi për një dhomë të thjeshtë që të mund të mblidheshin, të adhuronin [Zotin] e t’u mësonin të tjerëve bindjet e tyre fetare.»

Ky vendim konfirmon se, duke mos i njohur Sallat e Mbretërisë si «vende adhurimi», Turqia i ka penguar Dëshmitarët e Jehovait të praktikojnë besimin e tyre. Ahmet Jorulmazi, president i Shoqatës në Mbështetje të Dëshmitarëve të Jehovait në Turqi, u shpreh: «Jemi shumë të lumtur me këtë vendim të GJEDNJ-së. Shpresojmë që tani qeveria turke t’i njohë Sallat e Mbretërisë ekzistuese si vende adhurimi dhe t’u kërkojë autoriteteve bashkiake të zbatojnë ligjin mbi urbanistikën që në të ardhmen të kemi vende të tjera adhurimi. Nëse Turqia zbaton këtë vendim, do të bëjë një hap pozitiv për ta mbrojtur plotësisht lirinë fetare.»

A do t’i japë fund Turqia diskriminimit fetar?

Në dekadën e fundit statusi ligjor i Dëshmitarëve të Jehovait në Turqi është përmirësuar gradualisht. Më 2007 autoritetet turke i regjistruan si shoqatë fetare Dëshmitarët e Jehovait *, pasi ua kishin mohuar këtë të drejtë për më se 70 vjet.

Dëshmitarët e Jehovait janë mirënjohës që Turqia ka marrë masa për t’u garantuar lirinë e fesë shtetasve të saj. Ata shpresojnë që vendimi i GJEDNJ-së ta nxitë Turqinë të mbrojë të drejtën e lirisë së fesë, e cila garantohet si nga Kushtetuta turke, edhe nga ligji ndërkombëtar. Dëshmitarët mezi presin që Turqia të veprojë sipas vendimit të GJEDNJ-së, t’u japë statusin «vende adhurimi» 25 Sallave të Mbretërisë ekzistuese, si edhe t’i lejojë të kenë vende të tjera adhurimi në të ardhmen.

^ par. 3 Neni 9 është e drejta e «lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë».

^ par. 19 Shoqata në Mbështetje të Dëshmitarëve të Jehovait në Turqi u themelua më 31 korrik 2007.