15 SHTATOR 2015
RUSI
Shtyhet vendimi për 16 Dëshmitarët e Jehovait në Taganrog
Rigjykimi i 16 Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog, Rusi vazhdon prej nëntë muajsh. Vetëm këtë verë janë mbajtur mbi 20 seanca gjyqësore, dhe disa të tjera janë programuar për në tetor. Nëse shpallen fajtorë, Dëshmitarët i presin burgu dhe gjobat vetëm për shkak të pjesëmarrjes në mbledhjet fetare, të leximit të Biblës dhe të shoqërimit me bashkëbesimtarët.
Procedurat e tejzgjatura ndikojnë te të pandehurit
Që kur filloi rigjykimi këtë vit, të pandehurit kanë kaluar afro 50 ditë në seanca gjyqësore. Ata kanë dy vjet nëpër gjykata, përfshirë kohën e gjyqit të parë fare. Ky është gjyqi penal më i gjatë kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi.
Gjithë koha e kaluar nëpër seanca gjyqësore ka ndikuar shumë te të pandehurit. Njëri prej tyre, Kiril Kravçenko, shpjegon: «Nuk arrijmë dot të punojmë, të rrimë me familjen apo të pushojmë si duhet.» Disa prej tyre i kanë pushuar nga puna ose u kanë bërë presion të lënë punën sepse gjyqet u marrin shumë kohë ose sepse përfliten publikisht ngaqë janë Dëshmitarë të Jehovait. Dy vitet e fundit, gjykata i ka ndaluar të dalin nga Taganrogu pa leje zyrtare.
Këto procedura u kanë shkaktuar të pandehurve tension emocional të pamerituar. Tatjana Kravçenko thotë: «Kjo më ndikon te shëndeti. Nuk më zë gjumi ose më del në mes të natës. Nga meraku, mendoj dhe vras mendjen gjithë kohës për gjyqin.» Nikolaj Trotsjuku, një tjetër i pandehur, është shtruar në spital disa herë nga stresi i gjyqit.
Ngjarjet që çuan në këtë rigjykim në Taganrog
Në vitin 2011, policia bëri fshehurazi hetime penale për Dëshmitarët e Jehovait në Taganrog. Në vitin 2012 u paditën 16 Dëshmitarë dhe gjyqi i parë penal kundër tyre filloi në maj 2013. Pas 15 muajsh seancash gjyqësore, Gjykata e Qytetit të Taganrogut shpalli fajtorë shtatë prej tyre për veprimtari gjoja ekstremiste. Gjykatësi i dënoi me gjoba të rënda që të shtatë dhe katër prej tyre i dënoi me afate të gjata burgimi, por menjëherë ua fali gjobat dhe pezulloi dënimet me burg. Ai i shfajësoi nëntë Dëshmitarët e tjerë për arsye teknike, e megjithatë këmbëngulte se ishin përfshirë në veprimtari ekstremiste.
Që të 16-të Dëshmitarët kanë apeluar pranë Gjykatës Rajonale të Rostovit duke kërkuar shfajësim të plotë nga çdo padi penale. Edhe prokurori ka apeluar, duke arsyetuar se pezullimi i dënimeve ishte tepër tolerant.
Më 12 dhjetor 2014, Gjykata Rajonale e Rostovit shqyrtoi apelimet dhe rrëzoi vendimin e Gjykatës së Qytetit të Taganrogut. Megjithatë, në vend që t’i shfajësonte Dëshmitarët, Gjykata Rajonale e Rostovit miratoi kërkesat e prokurorit dhe ia dërgoi prapë çështjen Gjykatës së Qytetit të Taganrogut që një gjykatës tjetër ta rigjykojë plotësisht. Rigjykimi filloi në 22 janar 2015 dhe Dëshmitarët pritnin vendimin në qershor 2015. Por, meqë i ka programuar seancat gjyqësore gjatë tetorit, gjykatësi me sa duket do të marrë një vendim nga fundi i vitit 2015.
A duhet ta kufizojë ligji për ekstremizmin adhurimin në mënyrë paqësore?
Ligji Federal i Rusisë kundër Veprimtarive Ekstremiste doli me synimin që të luftonte terrorizmin, por disa zyrtarë rusë po e keqzbatojnë për të kufizuar adhurimin paqësor e të ligjshëm. Autoritetet në mbarë vendin kanë ndërprerë mbledhjet e Dëshmitarëve, kanë kontrolluar shtëpitë dhe kanë ndaluar e kanë konfiskuar botimet e tyre duke përdorur ligjin për ekstremizmin si pretekst për këto veprime. Në Taganrog autoritetet e keqpërdorën këtë ligj për të mbyllur entin ligjor të Dëshmitarëve atje dhe për të konfiskuar Sallën e Mbretërisë. Kohët e fundit, edhe autoritetet në Samarë e në Abinsk kanë bërë po njësoj duke mbyllur entet ligjore e duke konfiskuar pronat e tyre.
Si pasojë e veprimeve të ashpra të autoriteteve ruse, Dëshmitarët e Jehovait i kanë bërë 28 kërkesa ankimore Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Meqenëse 22 nga këto kërkesa përfshijnë shkelje të ngjashme të të drejtave të njeriut, GJEDNJ-ja po i shqyrton të gjitha njëherësh. Sipas një avokati të Dëshmitarëve, GJEDNJ-ja mund ta marrë vendimin aty nga fundi i vitit 2015.
Intoleranca fetare rrezikon të rritet
Tani Rusia duhet të marrë një vendim të rëndësishëm për sa i përket lirisë fetare. Nëse të pandehurit në Taganrog shpallen fajtorë, Dëshmitarët e Jehovait në Rusi presin që të paditen edhe bashkëbesimtarët e tyre në Samarë, Abinsk e në vende të tjera. Ata shpresojnë që qeveria ruse t’i japë fund kësaj përndjekjeje e të mbrojë lirinë fetare të të gjithë shtetasve të saj.
Tabela kronologjike
9 qershor 2008
Zyra e Prokurorit të Rajonit të Rostovit ngre padi kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog për veprimtari ekstremiste të supozuar.
11 shtator 2009
Gjykata Rajonale e Rostovit shpall ekstremiste 34 botime fetare të Dëshmitarëve të Jehovait dhe ndalon Organizatën Fetare Lokale (OFL) të Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog.
8 dhjetor 2009
Gjykata e Lartë e Federatës Ruse mbron vendimin që mori Gjykata Rajonale e Rostovit në shtator të vitit 2009.
1 mars 2010
Ministria e Drejtësisë fut në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste 34 botime të shpallura ekstremiste në Gjykatën Rajonale të Rostovit. Autoritetet konfiskojnë Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog.
1 qershor 2010
Dëshmitarët e Jehovait paraqitin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut kërkesën për çështjen OFL-ja e Taganrogut dhe të tjerët kundër Rusisë.
30 prill 2011
Agjencitë sekrete fillojnë të regjistrojnë tinëzisht video të mbledhjeve fetare të Dëshmitarëve në Taganrog.
6 korrik 2011
Autoritetet e futin OFL-në e Taganrogut në Listën Federale të Organizatave Ekstremiste.
Gusht 2011
Autoritetet lokale hapin një çështje penale kundër Dëshmitarëve në Taganrog dhe kontrollojnë 19 shtëpi.
31 maj 2012
Hetuesit ngrenë paditë e para ndaj Dëshmitarëve të Jehovait për veprimtaritë e tyre fetare në Taganrog.
Maj 2013
Në Gjykatën e Qytetit të Taganrogut fillon gjyqi i 16 Dëshmitarëve të akuzuar penalisht për ekstremizëm.
29-30 korrik 2014
Gjykata e Qytetit të Taganrogut shpall fajtorë shtatë nga Dëshmitarët për veprimtari ekstremiste të supozuara. Më vonë, të 16 të pandehurit, si edhe prokurori apelojnë çështjen.
12 dhjetor 2014
Gjykata Rajonale e Rostovit vendos në apel që të prapësojë çështjen për t’u rigjykuar nga një gjykatës tjetër.
22 janar 2015
Fillon rigjykimi i 16 Dëshmitarëve në Gjykatën e Qytetit të Taganrogut.
^ par. 44 «Respektimi i përgjegjësive dhe i detyrimeve nga Federata Ruse», Rezoluta 1896 (2012), Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, paragrafi 25.31.
^ par. 45 «Komentet përfundimtare për raportin e shtatë periodik të Federatës Ruse», Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, paragrafi 20.