Kalo te përmbajtja

22 GUSHT 2023
REPUBLIKA DOMENIKANE

Dega e Republikës Domenikane hap qendrën e re për vizitorët

Dega e Republikës Domenikane hap qendrën e re për vizitorët

Më 14 gusht 2023, Dëshmitarët e Jehovait hapën një qendër të re për vizitorët në zyrën e degës të Republikës Domenikane, që ndodhet në Santo-Domingo. Veçori kryesore e kësaj qendre është ekspozita historike që titullohet «Një udhëtim besimi». Kjo ekspozitë tregon si kanë qëndruar besnikë Dëshmitarët e Jehovait në Republikën Domenikane, pavarësisht nga sprovat e përndjekjet, njësoj si shumë vëllezër e motra të tjerë anekënd botës.

Një urë në pronën e Bethelit që i çon mysafirët në qendrën e vizitorëve

Ekspozita shpjegon si nisi historia e Dëshmitarëve të Jehovait në këtë vend, për shembull, si filluan të përhapnin mesazhin e Mbretërisë duke përdorur botimet e bazuara në Bibël dhe gramafonat portativë. Përshkruan gjithashtu si përdorën gazetat dhe radion për ta përhapur të vërtetën te publiku i gjerë. Vizitorët do të mësojnë për historinë e misionarëve të parë, të cilët nisën të shërbenin në Republikën Domenikane në vitin 1945.

Misionarët e parë predikonin nëpër plantacione sheqeri duke përdorur vagonë të vegjël, si ky që tregohet në figurë

Përveç kësaj, ekspozita u kushton vëmendje të veçantë aktiviteteve teokratike të Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën Domenikane që vazhduan edhe gjatë ndalimit. Me gjithë përndjekjen e egër, vëllezërit e motrat atje kopjuan dhe shpërndanë plot guxim ushqimin besimforcues. Përgjatë viteve, shumë veta mësuan të vërtetën dhe u bënë Dëshmitarë të Jehovait. Ekspozita mbyllet me aktivitetet dhe metodat e predikimit që përdorin sot motrat e vëllezërit në Republikën Domenikane.

Vëlla Leonel Peguero, që shërben në zyrën e degës në Republikën Domenikane, vëren: «Kjo ekspozitë gërsheton të vjetrën me të renë përmes objekteve origjinale, fotografive dhe elementeve interaktive audio e video. Është si të udhëtosh në kohë për të përjetuar lidhjen mes themeleve që u hodhën dekada më parë dhe veprës sonë sot. I ftojmë të gjithë ata që kanë mundësi, të na vizitojnë e të na bashkohen në këtë udhëtim emocionues!»