Kalo te përmbajtja

Harta: vendet e ngjyrosura tregojnë 4 shtetet për të cilat kujdeset dega e Afrikës Lindore: Kenia, Sudani i Jugut, Sudani dhe Tanzania. Nga e majta në të djathtë: Salla e vjetër e Mbretërisë dhe Salla e re e ndërtuar në Bugarikë, Tanzani

12 NËNTOR 2024
LAJME NDËRKOMBËTARE

25 vjet ndërtime të përshpejtuara të Sallave të Mbretërisë në territorin e degës së Afrikës Lindore

Janë ndërtuar gati 1.000 Salla Mbretërie

25 vjet ndërtime të përshpejtuara të Sallave të Mbretërisë në territorin e degës së Afrikës Lindore

Viti 2024 shënon 25-vjetorin e ndërtimeve të përshpejtuara të Sallave të Mbretërisë në territorin e degës së Afrikës Lindore, ku sot përfshihen shtetet e Kenias, të Sudanit të Jugut, të Sudanit dhe të Tanzanisë.

Në vitin 1999, Trupi Udhëheqës miratoi programin a Vendet me të Ardhura të Kufizuara (VMAK) për të përshpejtuar ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në 88 vende në zhvillim. Falë kësaj mase, degët që kishin bollëk ose tepricë fondesh, me bujari i vinin ato në dispozicion për vendet me të ardhura të kufizuara. (2 Korintasve 8:13-15) Përveç kësaj, Dëshmitarët me përvojë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë kanë udhëtuar nëpër shtete të ndryshme për të stërvitur motrat e vëllezërit vendës. Kështu, pas stërvitjes, punën e ndërtimit në një zonë të caktuar mund ta vazhdonin këta lajmëtarë vendës. Provë e jashtëzakonshme se ky program funksionon më së miri, është puna që vazhdon ende sot për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në territorin e degës së Afrikës Lindore.

Në vitin 1999 kishte mbi 23.000 lajmëtarë në territorin e degës së Afrikës Lindore, por vetëm 51 Salla Mbretërie. Shumica e kongregacioneve mblidheshin në natyrë, në shtëpitë e vëllezërve ose në vende të tjera. Para se të fillonte programi VMAK, kur krijohej mundësia për të ndërtuar një Sallë Mbretërie, vëllezërit përdornin çfarëdolloj materialesh që të gjenin në vendin e tyre të tilla, si dru, baltë, llamarina, madje edhe përzierje me bajga lopësh dhe hi. Motër Nensi Ruitha, e cila ndiqte mbledhjet në kongregacionin «Kingpost», në Embu, Kenia, kujton: «Salla jonë e Mbretërisë ishte ndërtuar me llamarina. Kur bënte vapë, brenda ishte si furrë. Kur binte shi, zhurma e shiut dëgjohej aq fort sa nuk kuptonim çfarë po thoshte oratori. Tani jemi shumë të lumtur që kemi mure prej guri në vend të llamarinave. Është shumë e lehtë të dëgjojmë e të mësojmë. Veç kësaj, Salla e Mbretërisë jep dëshmi mjaft të mirë në komunitet.»

Në të majtë: Salla e vjetër e Mbretërisë në Kajole, Najrobi, Kenia. Në qendër: Salla e Mbretërisë në Kajole e ndërtuar më 1999, e para Sallë që u ndërtua në Afrikën Lindore si pjesë e projektit VMAK. Në të djathtë: Salla e Mbretërisë e rinovuar në Kajole

Si pjesë e projektit VMAK, vëllezërit në Afrikën Lindore e ndërtuan Sallën e parë të Mbretërisë në Najrobi, Kenia. Është e mrekullueshme që gjatë 25 viteve pasuese, numri i Sallave të Mbretërisë anekënd territorit të degës u rrit nga 51 në afro 1.000.

Meqë gjithnjë e më shumë veta po reagojnë pozitivisht ndaj mesazhit të Mbretërisë anekënd territorit të degës së Afrikës Lindore, ka ende nevojë për Salla Mbretërie. Vëlla Timothi Stefensi, zëvendësmbikëqyrës i Departamentit Vendës të Projektim-Ndërtimit në Afrikën Lindore, vëren: «Në këtë moment që flasim, kemi nevojë të ndërtojmë 126 Salla Mbretërie të reja dhe të bëjmë rinovime të mëdha në më shumë se 200 Salla Mbretërie të tjera. Mendojmë se në 5 vitet e ardhshme, nevoja për Salla do të rritet ndjeshëm.»

Nga e majta në të djathtë: Salla e re e Mbretërisë dhe Salla e vjetër në Lologo, Sudani i Jugut

Jemi mirënjohës për gjithë punën e palodhur dhe sakrificat e shumta që janë bërë për të ndihmuar vëllezërit e motrat në Afrikën Lindore dhe në mbarë botën. Teksa ndërtohen edhe më shumë Salla Mbretërie, jemi të bindur se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona për të çuar përpara dhe për të mbështetur adhurimin e pastër. E gjithë kjo do t’i sjellë lavdi e nderim Atij.—Isaia 2:3.

a Duke nisur nga viti 2014, Departamenti Vendës i Projektim-Ndërtimit është përgjegjës për punën që kryhej më parë falë programit Vendet me të Ardhura të Kufizuara.