7 DHJETOR 2022
KOREJA E JUGUT
Nis beteja ligjore kundër natyrës ndëshkimore të shërbimit alternativ në Korenë e Jugut
Më 8 dhjetor 2022, në Gjykatën e Krahinës Guanxhu të Koresë së Jugut, do të mbahet një seancë gjyqësore për çështjen e vëllait Hye-min Kim. Hye-mini është i pari që refuzon shërbimin alternativ civil (SHAC) të vendit për shkak të natyrës së tij ndëshkimore. Tani ai rrezikon të dënohet me burg deri në 36 muaj dhe të ketë precedent penal.
Në Korenë e Jugut, SHAC-i zgjat 36 muaj dhe është ndër më të gjatët në botë—dy herë më i gjatë se shërbimi ushtarak. Gjatë kësaj periudhe 3-vjeçare, ata që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, jetojnë në fjetore në mjediset e burgut, si të ishin në arrest shtëpie dhe kanë kufizime të ashpra. Prandaj, në vend se të jetë vërtet shërbim alternativ, ekspertët ndërkombëtarë e kanë quajtur SHAC-in në Korenë e Jugut «ndëshkim alternativ». a
Më 28 qershor 2018, Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut mori një vendim historik. Pasi pranoi se Kushtetuta e Koresë mbron të drejtat e atyre që s’pranojnë të kryejnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, paralajmëroi ligjvënësit që do të përkufizonin SHAC-in: «Nëse shërbimi alternativ zgjat shumë ose është i rëndë aq sa ai që refuzon ushtrinë për shkak të ndërgjegjes e ka të vështirë ta kryejë, atëherë ky lloj shërbimi e humbet qëllimin e tij ose do të konsiderohej thjesht një formë ndëshkimi.»
Në një rezolutë të vitit 1998, Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut vendosi standardin ndërkombëtar për shërbimin alternativ. Vendeve me shërbim ushtarak të detyrueshëm iu kujtua edhe një herë se atyre që s’pranonin ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, duhej t’u siguronin forma shërbimi «në dobi të interesit publik dhe jo me natyrë ndëshkimore».
Nuk është hera e parë që Hye-mini përballet me akuza penale. Në shtator të 2020-s, Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut e shfajësoi nga akuzat, duke pranuar se ai po refuzonte shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Disa javë më vonë, ai aplikoi për të kryer SHAC-in dhe iu desh të priste deri më 7 shkurt 2022 që ta thërrisnin. Megjithatë, pasi shqyrtoi natyrën ndëshkimore të SHAC-it, me respekt vendosi që ta refuzonte.
Nëse gjykata vendos në favor të Hye-minit, kjo mund ta nxitë qeverinë të rishqyrtojë programin e SHAC-it, që të përmbushë standardet ndërkombëtare. Një ndryshim i tillë do të jetë mjaft dobiprurës si për shoqërinë koreane, edhe për vëllezërit tanë e familjet e tyre në Korenë e Jugut. Ndërkohë, lutemi për të gjithë ata që preken nga kjo çështje, që të mbështeten pareshtur te Jehovai për ndihmë «që të përballojnë çdo gjë me durim e gëzim».—Kolosianëve 1:11.
a Për më tepër informacion, ju lutemi të lexoni raportin special me titull «Shërbimi alternativ civil në Korenë e Jugut», përgatitur nga Shoqata e Dëshmitarëve të Jehovait në Azi dhe në Paqësor.