Kalo te përmbajtja

21 TETOR 2016
GJERMANI

Përvjetori i çlirimit të Brandenburgut përqendrohet te Dëshmitarët e Jehovait

Përvjetori i çlirimit të Brandenburgut përqendrohet te Dëshmitarët e Jehovait

Zeltërs, Gjermani—Dëshmitarët e Jehovait ishin në qendër të 71-vjetorit të çlirimit të burgut Brandenburg-Görden që u mbajt më 24 prill 2016.

Sekretarja e Shtetit për Financën në Brandenburg, Daniela Trokovski, duke mbajtur fjalimin gjatë ceremonisë përkujtimore

Kjo ngjarje, e sponsorizuar nga Fondacioni i Përkujtimoreve i Brandenburgut (Stiftung Brandenburgische Gedenkstätten), u zhvillua në mjediset e burgut Brandenburg an der Havel (figura sipër), afro 90 kilometra në perëndim të Berlinit. Në ceremoni ishin të pranishëm mbi 200 të ftuar. Daniela Trokovski, Sekretare e Shtetit për Financën në Brandenburg, mbajti një fjalim për të ftuarit. Ajo shpjegoi: «Këtu Dëshmitarët e Jehovait u dënuan me vdekje . . . sepse për arsye fetare nuk pranuan të thoshin ‘Hail Hitler’, nuk u përfshinë në ngjarje politike e organizata shtetërore dhe nuk pranuan të bënin ushtrinë.»

Sigurd Spajdeli ishte një nga Dëshmitarët që u ekzekutuan nga nazistët në burgun Brandenburg-Görden

Gjatë regjimit nazist, Adolf Hitleri, në atë kohë kancelar i Gjermanisë, i cilësoi Dëshmitarët e Jehovait si ‘farë e keqe që duhej shfarosur’. Nga gati 2.000 njerëzit që u vranë në vitet 1940-1945 në burgun Brandenburg-Görden (siç quhej gjatë regjimit nazist), 127 ishin Dëshmitarë, numri më i madh i të vrarëve që i përkitnin të njëjtit grup.

Si pjesë e programit të përvjetorit më 24 prill, Johen Fesenbekeri, një përfaqësues nga zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani, intervistoi Verner Spajdelin. Z. Spajdel tregoi se si u ekzekutua vëllai i tij i madh Sigurdi, një nga Dëshmitarët që humbën jetën në burgun Brandenburg-Görden. Më 27 janar 1943, më pak se tre muaj pasi ishte dënuar nga një gjyq ushtarak, Sigurdit 19-vjeçar i prenë kokën. Gjatë intervistës, z. Fesenbeker lexoi letrën e lamtumirës që Sigurdi kishte shkruar vetëm pak orë para ekzekutimit. Z. Spajdel tregoi reagimin e familjes ndaj fjalëve të fundit të Sigurdit: «Kur lexuam letrën, nuk na pushtoi frika; përkundrazi, u ndiem krenarë për Sigurdin i cili qëndroi i patundur në besim dhe u përball me guxim me vdekjen.»

Letra e lamtumirës që Sigurd Spajdeli i shkroi familjes. Në pjesën e veçuar thuhet: «I kam qëndruar gjithçkaje dhe jam treguar i palëkundur në çdo aspekt, si një mur.»

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: David A. Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, 1-718-560-5000

Gjermani: Wolfram Slupina, 49-6483-41-3110