20 TETOR 2015
GANË
Dëshmitarët në Ganë ndihmojnë menjëherë pas përmbytjeve
AKRË, Ganë—Në fund të gushtit 2015 Dëshmitarët e Jehovait përfunduan me dhënien e ndihmave në Akrë, kryeqytetin e Ganës, ku përmbytjet e mëdha shkatërruan prona dhe u morën jetën mbi 200 vetave.
Asnjë Dëshmitar nuk humbi jetën, por rreth 250 prej tyre u shpërngulën. Më 4 qershor 2015, ditën pas përmbytjeve, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Ganë formoi një komitet ndihme, që u kujdes menjëherë për të prekurit duke u siguruar batanije, veshje dhe ujë. Ky komitet mori masa për pastrimin dhe meremetimin e banesave të përmbytura. Dëshmitarët në zonën e Akrës hapën shtëpitë për të strehuar përkohësisht bashkëbesimtarët e shpërngulur.
Përmbytjet shkaktuan shpërthimin e një pike karburanti që dëmtoi tubacionet në Adabrakë dhe ndërpreu furnizimin e zonës me ujë. Zyra e degës vendosi një depozitë uji në Sallën e Mbretërisë në Adabrakë (vend adhurimi) për Dëshmitarët dhe fqinjët.
Të shtunën, më 6 qershor zyra e degës dërgoi dy ekipe Dëshmitarësh me pesë mjekë dhe dy infermiere që të kujdeseshin për bashkadhuruesit dhe për të prekurit e tjerë në Alajo dhe Adabrakë. Ata trajtuan një sërë problemesh shëndetësore, si malarien, sëmundje të mushkërive dhe diarrenë. Edhe përfaqësues nga zyra e degës dhe Dëshmitarë vendës u interesuan për bashkadhuruesit për t’u dhënë zemër nga Shkrimet.
Zëdhënësi i Dëshmitarëve të Jehovait në Ganë, Nathaniel Gbedemah, thotë: «Na dhemb në shpirt kur mendojmë për dëmtimet dhe jetët e humbura nga përmbytjet në Akrë. Ashtu siç kemi bërë edhe në vende të tjera, ne Dëshmitarët e Jehovait po bëjmë gjithçka kemi në dorë që të plotësojmë nevojat emocionale e fizike të të prekurve në zonën tonë e t’u forcojmë besimin.»
Zëdhënësi(t) për mediat:
Ndërkombëtar: Xhejms Brauni, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000
Ganë: Nathaniel Gbedemah, tel. +223 30701 0110