Kalo te përmbajtja

21 TETOR 2015
ERITRE

Komisioni i OKB-së raporton për shkeljet e të drejtave të njeriut në Eritre

Komisioni i OKB-së raporton për shkeljet e të drejtave të njeriut në Eritre

Në fund të tetorit, një komision hetimor i OKB-së do të paraqesë një relacion verbal për shkeljet e të drejtave të njeriut në Eritre para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Komisioni u formua në qershor të 2014-s me mandat njëvjeçar për të hetuar kufizimet e rënda të të drejtave dhe të lirive të popullit të Eritresë. *

Gjatë hetimit, Komisioni Hetimor i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Eritre (KHE) nxori përfundimin se në Eritre ‘janë dhunuar të drejtat e njeriut në mënyrë sistematike, të përhapur dhe të rëndë’. Më 23 qershor 2015, KHE-ja ia paraqiti raportin e saj bashkë me zbulimet dhe rekomandimet Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (KDNJ), në Gjenevë. Më 29 tetor 2015, KHE-ja do t’i paraqesë një relacion të përditësuar verbal Komitetit të Tretë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork. *

Përndiqen Dëshmitarët e Jehovait

Përveç raportit të paraqitur KDNJ-së, KHE-ja parashtroi një raport shtesë me 484 faqe, me zbulime të hollësishme të hetimit të tyre që nxjerrin në pah trajtimin diskriminues dhe abuzues ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Ngaqë Dëshmitarët janë asnjanës politikisht, qeveria e Eritresë i ka vënë në shënjestër të përndjekjes që kur fitoi pavarësinë më 1993. Dëshmitarët janë torturuar dhe u janë nënshtruar dënimeve afatgjata në burgje me kushte shumë të rënda. Qeveria u ka privuar të drejtën e qytetarisë, u ka konfiskuar dokumentet e identitetit, i ka hequr nga puna shtetërore, u ka tërhequr licensën e biznesit dhe u ka mohuar shërbimet që ofron shteti.

«Të gjithë qytetarët e Eritresë marrin kupona për ushqimin, përveç Dëshmitarëve të Jehovait, sepse nuk kemi kartë identiteti. Ne nuk konsiderohemi qytetarë.»—Pohim i një Dëshmitari të Jehovait.

Ndër rekomandimet e shumta, KHE-ja nxori përfundimin se qeveria e Eritresë duhet:

«Të marrë masa të menjëhershme për t’i dhënë fund përndjekjes fetare, sidomos ndaj disa grupeve fetare në veçanti, si p.sh. Dëshmitarët e Jehovait . . . , dhe t’u kthejë menjëherë qytetarinë dhe të drejtat e saj.»

«T’u japë fund shpërnguljeve me forcë që përdoren si një formë hakmarrjeje kundër feve të paautorizuara, siç janë Dëshmitarët e Jehovait dhe ata që nuk kanë marrë pjesë në kryengritje të armatosura.» *

KDNJ-ja adoptoi rezolutën

Pas paraqitjes së raportit të KHE-së në Gjenevë, KDNJ-ja adoptoi një rezolutë më 30 qershor 2015, duke pohuar se «dënon fuqimisht dhunimin sistematik, të përhapur dhe të rëndë të të drejtave të njeriut që ka kryer dhe po kryen qeveria e Eritresë». * Në rezolutë, KDNJ-ja i kërkoi qeverisë së Eritresë të ndërmarrë «hapa të menjëhershëm dhe konkretë për të zbatuar rekomandimet» e KHE-së, përfshirë rekomandimet në lidhje me Dëshmitarët e Jehovait. Për më tepër KDNJ-ja i kërkoi qeverisë së Eritresë:

  • «T’u japë fund burgimeve arbitrare të qytetarëve të saj, dhe t’u japë fund torturave dhe trajtimeve ose ndëshkimeve të tjera mizore, çnjerëzore dhe diskriminuese.»

  • «T’u sigurojë të dënuarve përdorim të lirë dhe të ndershëm të një sistemi të pavarur gjyqësor dhe të përmirësojë kushtet e burgjeve.»

  • «Të respektojë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të mendimit të kujtdo, ndërgjegjen, fenë, bindjet, të drejtën për t’u mbledhur lirisht e në mënyrë paqësore dhe të drejtën e shoqërimit.»

A do të përmirësohet trajtimi ndaj Dëshmitarëve të Jehovait?

Aktualisht, në Eritre, 54 Dëshmitarë të Jehovait janë të burgosur, 3 prej të cilëve kanë mbi 21 vjet në burg. Askujt nuk i është bërë gjyq dhe nuk i është dhënë një vendim gjyqi. Disa mbahen në kontenierë hekuri ose në ndërtesa gjysmë të groposura në tokë, ku vuajnë kushte shumë të rënda dhe temperatura ekstreme. Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën janë në dijeni të vuajtjeve të bashkëbesimtarëve në Eritre dhe shpresojnë që qeveria të ndalë përndjekjen ndaj tyre.

^ par. 2 Komisioni Hetimor për të Drejtat e Njeriut në Eritre u formua më 27 qershor 2014 nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut nën Rezolutën 26/24.

^ par. 3 Komiteti i Tretë shqyrton çështje sociale dhe humanitare, çështje të të drejtave të njeriut që ndikojnë te njerëz nga e gjithë bota.

^ par. 8 Raporti për zbulimet e detajuara nga Komisioni Hetimor i të Drejtave të Njeriut në Eritre (Advance Version), A/HRC/29/CRP.1, paras. 1530(c) and 1531(c).

^ par. 10 Rezoluta A/HRC/29/L.23.