Kalo te përmbajtja

14 QERSHOR 2016
BULLGARI

Komisioni bullgar dënon diskriminimin fetar

Komisioni bullgar dënon diskriminimin fetar

Dëshmitarët e Jehovait në Bullgari kanë korrur një fitore domethënëse që mbështet lirinë e fjalës, por edhe mbron individët e organizatat nga diskriminimi fetar. Komisioni i Bullgarisë për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit zbuloi se televizioni kabllor bullgar SKAT TV dhe dy gazetarë të tij qëllimisht shpërndanë informacione të rreme për Dëshmitarët e Jehovait dhe nxitën dhunën kundër tyre. Komisioni nxori përfundimin se sjellja e SKAT TV «nuk mund të justifikohet».

Transmetimet nxitin urrejtje dhe dhunë

Televizionet bullgare rregullisht kanë transmetuar programe që përmbanin shpifje për Dëshmitarët e Jehovait. Sidomos gazetarët e SKAT TV vazhdimisht kanë shpifur për Dëshmitarët dhe kanë mashtruar shikuesit, duke i bërë të besonin se Dëshmitarët janë fajtorë për krime të tmerrshme. Këto programe janë transmetuar në gjithë vendin dhe janë postuar në Internet.

Programet kanë nxitur edhe dhunë e urrejtje kundër Dëshmitarëve. Në programin e majit 2011, SKAT TV justifikoi sulmin e dhunshëm ndaj Dëshmitarëve të Jehovait dhe Sallës së tyre të Mbretërisë (vendi i adhurimit) në qytetin e Burgasit. Dëshmitarët ishin mbledhur për përkujtimin vjetor të vdekjes së Jezuit kur turma mësyu në sallë dhe sulmoi egërsisht disa të pranishëm. Pesë Dëshmitarë u dërguan në spital ngaqë u plagosën. Programi i SKAT TV nxiti sulme të ngjashme dhe transmetime të tjera pohuan se Dëshmitarët madje meritonin të sulmoheshin. *

Pas këtyre transmetimeve, Dëshmitarët vuajtën shumë akte dhune dhe mjaft Salla Mbretërie u shkatërruan barbarisht. Madje, në disa rajone, autoritetet vendëse miratuan ligje që kufizonin aktivitetin e Dëshmitarëve.

Dëshmitarë në mbledhje në Sallën e Mbretërisë në Burgas

Komisioni dënon shkeljet ligjore dhe etike

Në shkurt 2012 Dëshmitarët e Jehovait paraqitën një ankesë pranë Komisionit për transmetimet e gjashtë programeve televizive të SKAT TV më 2010 dhe 2011. Dëshmitarët argumentuan se SKAT TV ka përdorur një gjuhë tejet paragjykuese dhe përhapja e këtyre programeve çoi në kërcënime dhe në të folur të urryer. Argumentuan edhe se janë diskriminuar për shkak të këtyre programeve.

Më 25 janar 2016 Komisioni vendosi unanimisht në favor të Dëshmitarëve, duke kuptuar se SKAT TV dhe dy gazetarët e tij i kishin kërcënuar Dëshmitarët e Jehovait me akuza të rreme e të pabaza. Komisioni nxori përfundimin se gjashtë programet ishin akte të diskriminimit fetar kundër Dëshmitarëve të Jehovait dhe se treguan një shpërfillje flagrante ndaj standardeve të gazetarisë profesioniste.

Kur shpalli dënimet, Komisioni tha se «të gjithë anëtarët e këtij grupi fetar kanë qenë objekt i sjelljes së padëshiruar dhe të paligjshme, që është plotësisht sipas përkufizimit të fjalës kërcënim». Pasi shpjegoi se e drejta e lirisë së të shprehurit nuk është absolute, por ka kufizime që parandalojnë urrejtjen, Komisioni vuri re se «në këtë rast sjellja e të akuzuarve nuk mund të justifikohet».

Komisioni arriti në përfundimin se shpifjet kundër Dëshmitarëve të Jehovait ishin veçanërisht serioze. Nuk u pajtua as me faktin se SKAT TV dhe gazetarët e tij nuk pranuan të merrnin përgjegjësinë për veprimet e tyre dhe të pranonin gabimin. Për të theksuar shkallën e shkeljeve, Komisioni i urdhëroi të paguanin një gjobë goxha më të madhe se zakonisht.

Përgjigjja e lavdërueshme ndreq një gabim

Dëshmitarët lavdërojnë vendimin e Komisionit kundër gazetarisë shpifëse dhe paragjykuese. Përveç kësaj, meqë Dëshmitarët e Jehovait kanë pasur çështje të ngjashme me disa media të tjera në Bullgari, ky vendim shërben si paralajmërim i fuqishëm që të mos përsëriten akuza të rreme dhe të folurit e urryer.

Krasimir Velevi, një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Bullgari, tha: «Askujt nuk i pëlqen të transmetohen shpifje për të dhe ne nuk bëjmë përjashtim. Meqë populli bullgar ka dëgjuar propaganda negative kundër nesh, është e rëndësishme që të dëgjojë të vërtetën për Dëshmitarët e Jehovait, dhe jemi të kënaqur që Komisioni ka marrë hapa që ta vërë në vijë çështjen.»

^ par. 5 Më 8 korrik 2015 SKAT TV transmetoi sërish një video me sulme skandaloze ndaj Dëshmitarëve më 17 prill 2011, duke i bërë shembull dhe duke nxitur urrejtje kundër tyre.