Kalo te përmbajtja

Zyra e degës në Rio-de-Zhanejro në vitin 1923 dhe zyra e degës sot në Sezario-Lanzh

7 MARS 2023
BRAZIL

Betheli në Brazil mbështet veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në vend prej një shekulli

Betheli në Brazil mbështet veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në vend prej një shekulli

Viti 2023 shënon 100-vjetorin e hapjes së zyrës së degës në Brazil. Gjatë gjithë këtij shekulli, në Brazil ka pasur rritje të vazhdueshme—një dëshmi e dukshme e bekimit të Jehovait.

Historia e veprës së predikimit në Brazil daton pak para vitit 1900, kur revista Kulla e Rojës e Sionit dhe Lajmëtarja e pranisë së Krishtit u shpërnda për herë të parë në vend. Gjithnjë e më shumë veta filluan të shfaqnin interes për këtë revistë. Prandaj në mars të vitit 1923, vëlla Radhërfordi dërgoi në Brazil vëlla Xhorxh Jangun, që të hapte një zyrë dege dhe të organizonte veprën e predikimit.

Vëlla Jangu mori me qira një zyrë të vogël në qytetin e Rio-de-Zhanejros, dhe ajo u bë zyra e parë e degës në Brazil, e madje në të gjithë Amerikën e Jugut. Gjithashtu, ai organizoi punën që botimet të përktheheshin nga anglishtja në portugalisht dhe pastaj të shtypeshin nga një shtypshkronjë private.

Më 1925, vëlla Jangu vazhdoi shërbimin misionar në Argjentinë dhe vëlla Xhon Reinbou u caktua të shërbente si mbikëqyrës dege në Bethelin e vogël të Brazilit. Në vitin 1926, Dëshmitarët e Jehovait në selinë botërore në Bruklin, Nju-Jork, SHBA, dërguan në Brazil një shtypshkronjë të vogël. Kjo u dha mundësi vëllezërve vendës t’i shtypnin vetë revistat dhe broshurat.

Duke nisur nga viti 1945, në Brazil u dërguan misionarë të stërvitur në Shkollën Watchtower të Galadit për të ndihmuar në veprën e predikimit. Jehovai i bekoi pa masë përpjekjet e tyre dhe nga viti 1948 deri në vitin 1968, numri i lajmëtarëve të Mbretërisë u rrit nga 1.000 në 50.000. Vetëm në tri vitet e fundit janë pagëzuar mesatarisht mbi 21.000 veta çdo vit. Sot, në këtë vend ka rreth 900.000 lajmëtarë që përhapin lajmin e mirë. Si rezultat i kësaj rritjeje të jashtëzakonshme, ka qenë e nevojshme që Betheli të rinovohej dhe të zgjerohej disa herë. Më 1980, dega u transferua në Sezario-Lanzh, një qytet rreth 150 kilometra nga San-Paulo. Që nga ajo kohë, godinat në Sezario-Lanzh janë zgjeruar tri herë. Sot atje punojnë mbi 1.200 vëllezër e motra.

Na gëzon zemra kur shohim si e ka bekuar Jehovai veprën e bërjes së dishepujve në Brazil gjatë këtyre 100 viteve.—1 Korintasve 3:7.