Përmbledhje për Azerbajxhanin
Dëshmitarët e Jehovait u regjistruan për herë të parë në Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit, në 1999-n dhe u riregjistruan në 2002-shin. a Dëshmitarët kishin njëfarë lirie fetare, por qeveria ushtronte kontroll të rreptë, që përfshinte bastisjet nga ana e policisë gjatë mbledhjeve fetare dhe censurimin e literaturës.
Pastaj në maj të 2009-s, Komiteti Shtetëror për Shoqatat Fetare (KSHSHF) bëri ndryshime në ligjin e lirisë së besimit fetar. Kur dëshmitarët u përpoqën të regjistroheshin sërish më 2010, KSHSHF-ja e hodhi poshtë për arsye teknike kërkesën e tyre, duke e lënë kështu komunitetin fetar të Dëshmitarëve në Baku pa status të plotë ligjor. Kjo e cenoi më tej lirinë fetare të Dëshmitarëve.
Por ngjarjet kanë marrë një drejtim pozitiv. Që nga viti 2015, KSHSHF-ja nuk ndalon më importimin e literaturës së Dëshmitarëve. Gjithashtu, që nga viti 2016, Dëshmitarët kanë pasur mundësi të mbajnë grumbullime të mëdha fetare. Veçanërisht, më 8 nëntor 2018, KSHSHF-ja u dha status të plotë ligjor Dëshmitarëve të Jehovait në Baku. Shpresojmë që regjistrimi në Baku të përbëjë një precedent për aplikimet e lëna pezull në qytetet e tjera.
Megjithatë disa liri fetare ende mbeten të cenuara. Me gjithë angazhimet e Azerbajxhanit para Këshillit të Evropës, qeveria nuk ka marrë masa për shërbimin alternativ civil. Si pasojë, herë pas here të rinjtë Dëshmitarë sulmohen dhe ndiqen penalisht sepse refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.
Për t’u dhënë zgjidhje lirive të cenuara gjatë viteve, Dëshmitarët kanë plotësuar 18 kërkesa pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe 11 ankesa pranë Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Përfaqësuesit e Dëshmitarëve të Jehovait janë në diskutim e sipër me autoritetet qeveritare në Azerbajxhan, në përpjekje për të zgjidhur këto çështje dhe për të vendosur liritë themelore fetare ndaj komunitetit të tyre paqësor.
a Janë regjistruar si Komuniteti Fetar i Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën e Azerbajxhanit