Kalo te përmbajtja

3 DHJETOR 2012
ARMENI

Armenia urdhërohet të dëmshpërblejë 17 Dëshmitarë të Jehovait

Armenia urdhërohet të dëmshpërblejë 17 Dëshmitarë të Jehovait

STRASBURG, Francë​—Më 27 nëntor 2012, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi që Armenia t’u paguante 112.000 euro ($145.226) për dëmet morale dhe shpenzimet gjyqësore 17 kundërshtarëve për shkak të ndërgjegjes, të cilëve u ishin dhunuar të drejtat e njeriut.

Në vitin 2005, 17 të rinj Dëshmitarë të Jehovait po kryenin shërbim civil alternativ. Megjithatë, e lanë shërbimin kur kuptuan se ishte nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e ushtrisë, ngaqë nuk mund të vazhdonin më me ndërgjegje të qetë. Prandaj i arrestuan dhe i hodhën në gjyq. Disa i mbajtën ca muaj në paraburgim dhe, më vonë, 11 prej tyre i dënuan me burg dy deri në tre vjet.

Gjykata Evropiane deklaroi se këto akuza e dënime kriminale ishin të paligjshme, sepse në vitin 2005 nuk kishte asnjë ligj në Armeni që ta quante krim braktisjen e shërbimit civil alternativ. Sipas Gjykatës, Armenia dhunonte të drejtën e lirisë e të sigurisë së Dëshmitarëve, e drejtë që mbrohet nga neni 5 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Më vonë qeveria armene i hodhi poshtë akuzat kriminale kundër të 17-ve, por nuk pranoi t’i dëmshpërblente për akuzat e dënimet kriminale të paligjshme. Kështu që Gjykata e urdhëroi Armeninë t’i dëmshpërblente për dëmet morale dhe shpenzimet gjyqësore.

Ky vendim u mor menjëherë pas tri vendimeve të tjera të Gjykatës Evropiane kundër Armenisë për çështjen e asnjanësisë. Në të katërta rastet, autoritetet armene i keqtrajtuan Dëshmitarët e Jehovait që kundërshtuan për shkak të ndërgjegjes, dhe u sollën padrejtësisht me ta si të ishin kriminelë të rrezikshëm.

Sipas André Carbonneau, avokat i të pandehurve, «vendimi i Gjykatës Evropiane ndihmon për të ndrequr padrejtësitë ndaj këtyre Dëshmitarëve të Jehovait». Ai shtoi: «Kjo seri fitoresh në Gjykatën Evropiane kundër Armenisë është një mesazh i pagabueshëm për vende të tjera të Këshillit të Evropës, për Eritrenë, Korenë e Jugut dhe për vende të tjera të Azisë Qendrore, që të respektojnë të drejtën e Dëshmitarëve të Jehovait që refuzojnë shërbimin ushtarak.»

Zëdhënësi për mediat:

David Semonian, Office of Public Information, tel. +1 718 560 5000

Armeni: Tigran Harutyunyan, tel. +374 93 900 482