Ndihmohen nxënësit në Tajlandë
Në dhjetor të 2012-s, Dëshmitarët e Jehovait në Tajlandë nisën një fushatë të veçantë për të ndihmuar nxënësit të përfitojnë nga shkolla. Njëzet Dëshmitarë të rritur vizituan shkollat në zonën e Bangkokut. Ata u takuan me të gjithë drejtorët dhe u ofruan mësuesve e nxënësve revistën Zgjohuni! të tetorit 2012, e cila përmban një seri artikujsh me titull «Si të përfitosh nga shkolla?»
Kjo fushatë pati sukses, prandaj Dëshmitarët e zgjeruan atë në gjithë vendin. Për një vit e gjysmë ata shkuan në 830 shkolla dhe panë se mësuesit e nxënësit kishin kaq shumë interes për këtë numër të Zgjohunit!, sa u desh të rishtypej tri herë për të plotësuar të gjitha kërkesat. Fillimisht u porositën rreth 30.000 kopje të revistës Zgjohuni! tetor 2012. Megjithatë, kjo temë ishte kaq interesante, saqë u shpërndanë më tepër se 650.000 revista.
Administratorët e shkollave dhe mësuesit e dalluan menjëherë vlerën e revistës Zgjohuni! Një mësues tha: «Revista do t’i ndihmojë nxënësit tanë të jenë më të lidhur me familjen dhe të ndjekin synime të dobishme.» Disa shkolla e kanë përfshirë këtë material në programin mësimor. Të tjera e përdorën revistën për ushtrime leximi në klasë. Në një shkollë, nxënësve iu dha si detyrë të shkruanin ese bazuar në materialin e revistës, ku më të mirët fituan çmime.
Një nxënëseje i pëlqeu shumë artikulli në këtë revistë «Si të fitosh luftën kundër dhjamosjes në moshë të re». Ajo tha se mbipesha po bëhet një problem i përhapur dhe se shokët e saj ndihen në siklet kur flasin me të tjerët për këtë temë. Ajo u shpreh: «Faleminderit që jepni këshilla kaq të qarta dhe të lehta për t’u zbatuar.»
Edhe prindërit e vlerësuan këtë botim. Një nënë i falënderoi Dëshmitarët për revistën kur e vizituan në shtëpi. Ajo pohoi: «Revista përmban këshilla të dobishme që e ndihmojnë vajzën time të ketë rezultate më të mira në shkollë.»
Z. Pichai Petratyotin, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Tajlandë, tha: «Revista Zgjohuni! nxjerr në pah mençurinë e besueshme të Biblës, e cila u sjell vërtet dobi njerëzve sot. Për Dëshmitarët e Jehovait arsimimi ka shumë vlerë, prandaj ia ofruam me kënaqësi kujtdo këtë revistë, pa pagesë.»