Dorëzojnë çelësat e hotelit Bossert
Dëshmitarët e Jehovait e shitën hotelin Bossert në nëntor të vitit 2012. Ashtu si mysafirët e panumërt që ka përcjellë ky hotel, edhe Dëshmitarët i bënë dorëzimet pronarit të ri dhe u larguan. Shuma që u mor nga shitja, do të përdoret për të çuar përpara veprën mbarëbotërore të arsimimit biblik që kryejnë Dëshmitarët e Jehovait.
Dëshmitarët e shitën këtë ndërtesë 14-katëshe me stilin e rilindjes italiane, sepse selia e tyre do të transferohet nga Bruklini i Nju-Jorkut në ndërtesat e reja në Uoruik të Nju-Jorkut. Për ndërtimin dhe transferimin në këto godina do të duhen disa vjet.
Një histori 100-vjeçare
Louis Bossert, një njujorkez që tregtonte lëndë druri, e ndërtoi këtë hotel në vitin 1909 me synimin që të funksiononte edhe si hotel, edhe si apartamente, pra për banorë të përkohshëm e të përhershëm. Ngaqë u mbush shumë shpejt, ai bëri një shtesë tjetër në vitin 1914, që gati e dyfishoi si ndërtesë. Në vitin 1916, në tarracën e saj u ndërtua edhe restoranti që u quajt «Marine Roof».
Gjatë viteve 80, Dëshmitarët e Jehovait e blenë dhe e restauruan ndërtesën që ta përshtatnin sipas nevojave të personelit të selisë së tyre që do të banonin atje. Sallat e ballove i kthyen në dhoma ngrënieje dhe restorantin në tarracë e kthyen në sallon për banorët dhe të ftuarit e tyre.
Që nga viti 2010, ky hotel ka mirëpritur Dëshmitarët e Jehovait që vinin nga e gjithë bota për të vizituar godinat e selisë.
Pronari i ri ka për qëllim të bëjë ndryshime në këtë ndërtesë që ta përdorë si hotel. Për të kthyer apartamentet modeste me një ose dy dhoma në një hotel luksoz, nuk do të jetë e vështirë, pasi ndërtesa është mbajtur në gjendje të shkëlqyer.
I rikthejnë madhështinë
Para se ta merrnin Dëshmitarët e Jehovait, Bossert ishte lënë pas dore prej vitesh. Ngjyra e bardhë e fasadës nuk ishte më e bardhë dhe korniza masive prej terrakote, që zbukuronte pjesën e sipërme të ndërtesës, ishte e thyer dhe gati të binte. Dritaret ishin të vjetra dhe jo të puthitura mirë. Pëllumbat ishin klientët e vetëm të restorantit «Marine Roof». Ja pse u ndërmorën punime të mëdha. Dëshmitarë të Jehovait nga mbarë Shtetet e Bashkuara vullnetarisht ofruan kohën dhe aftësitë e tyre për këtë projekt që përfundoi në vitin 1991.
Pastruan dhe restauruan fasadën prej guri gëlqeror dhe graniti. Kornizën e zëvendësuan me një kornizë që ngjante njësoj, por me fibra qelqi që janë të lehta. Dritaret i zëvendësuan me dritare prej dru mogani.
E riparuan tërësisht ndërtesën edhe nga brenda duke i kushtuar vëmendje të veçantë recepsionit njëherë e një kohë të bukur. Mermerin për të rregulluar muret e dëmtuara e morën nga gurorja ku ishte marrë mermeri origjinal në Itali. Gjithashtu rregulluan zbukurimet me gips të tavaneve që ishin prishur nga lagështira.
Një sfidë përbënin kolonat e stërmëdha prej hekuri. Origjinali i tyre ishte bërë me scagliola, një teknikë italiane për punimin e allçisë që duket si mermer. Plus ishin lyer kushedi sa herë me bojë nga pronarët e mëparshëm. Dhe askush nga punëtorët vullnetarë nuk e njihnin teknikën scagliola. Në një bibliotekë universitare aty afër gjetën një libër ku shpjegohej teknika për krijimin e këtij mermeri artificial. Me këtë informacion, punëtorët nisën punën disajavore për t’i kthyer kolonat siç ishin në origjinal.
Kur gjithçka mbaroi në vitin 1991, përfundimi ishte një ndërtesë praktike dhe e bukur. Si vlerësim për këtë punë kolosale restaurimi, Bossert mori çmimin Lucy G. Moses Preservation Award.