Ruhu nga informacionet e rreme
Sot mund të gjejmë më shumë informacione se kurrë më parë, përfshirë edhe informacione për të mbrojtur shëndetin. Por, ndërsa kërkon, duhet të ruhesh nga informacionet e gabuara, të tilla si:
Informacionet e shtrembëruara
Lajmet e rreme
Për shembull, gjatë pandemisë COVID-19, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi për një përhapje të frikshme të informacioneve të rreme e të rrezikshme. Ai tha: «Sot po marrin dhenë këshillat e dëmshme për shëndetin dhe mashtrimet për trajtime të ndryshme mjekësore. Stacionet televizive dhe radiofonike janë mbushur me gënjeshtra. Teoritë e rrezikshme konspirative po infektojnë internetin. Urrejtja po bëhet virale. Shpesh individë dhe grupe të ndryshme po bëhen shënjestër e paragjykimeve dhe e shpifjeve.»
Dihet që informacionet e rreme kanë ekzistuar gjithmonë. Mirëpo, Bibla paratha se në ditët tona ‘njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkonin keq e më keq, duke mashtruar të tjerët e duke u mashtruar edhe vetë’. (2 Timoteut 3:1, 13) Interneti na jep mundësi të marrim dhe të shpërndajmë pa dashur informacione të rreme më kollaj dhe më shpejt se kurrë më parë. Si pasojë, pajisjet tona elektronike mund të mbushen me fakte të shtrembëruara dhe me gjysmë të vërteta.
Si të ruhesh nga informacionet e rreme dhe nga teoritë konspirative? Ja disa parime nga Bibla që mund të të ndihmojnë.
Mos beso gjithçka që sheh dhe dëgjon
Bibla thotë: «Naivët i besojnë çdo fjale, por mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin.»—Proverbat 14:15.
Nëse nuk bëjmë kujdes, mund të mashtrohemi lehtë. Mendo, për shembull, për ato që quhen meme, pra fotografi a imazhe me diçiturë ose video të shkurtra që i gjejmë kudo në internet, sidomos në mediat sociale. Zakonisht, qëllimi i tyre është të na bëjnë për të qeshur. Mirëpo është shumë e lehtë që imazhet dhe videot të ndryshohen dhe të përdoren jashtë kontekstit. Madje, njerëzit mund të krijojnë video ku persona realë thonë ose bëjnë gjëra që në të vërtetë nuk i kanë thënë e nuk i kanë bërë kurrë.
«Shumë nga informacionet e gabuara që hasim sot në platformat sociale janë foto e video të nxjerra jashtë kontekstit, të tilla si memet.»—Axios Media.
Pyet veten: «Ky lajm ose informacion është i vërtetë apo është thjesht meme?»
Analizo burimin e informacionit dhe përmbajtjen
Bibla thotë: «Sigurohuni për të gjitha gjërat.»—1 Selanikasve 5:21.
Para se ta besosh ose ta shpërndash një histori a ngjarje, madje edhe nëse kjo është shumë e përhapur ose e përsëritur në media, verifikoje nëse është e vërtetë. Si ta bësh këtë?
Mendo mirë sa i besueshëm është burimi i informacionit. Kompanitë mediatike dhe organizata të tjera mund ta paraqesin një lajm si t’u leverdisë, të ndikuar nga interesat e tyre financiare ose bindjet politike. Atë që sheh në një burim informacioni, krahasoje edhe me burime të tjera. Me raste, pa ndonjë qëllim të gabuar, miqtë mund të kalojnë dorë më dorë informacione të pavërteta përmes email-eve ose postimeve në rrjetet sociale. Prandaj, mos i beso derisa t’i kesh kontrolluar vetë te burimi i tyre origjinal.
Sigurohu që përmbajtja të jetë e përditësuar dhe e saktë. Përpiqu të sigurohesh për datën, kërko fakte që verifikohen kollaj dhe prova të forta që e mbështetin atë informacion. Trego kujdes sidomos nëse një informacion i ndërlikuar duket se shpjegohet në një mënyrë tepër të thjeshtuar ose nëse lajmi synon të provokojë një reagim emocional.
«Sot, të sigurohesh për faktet, është bërë po aq e rëndësishme sa të lash duart.»—Sridhar Dharmapuri, zyrtar i lartë i Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi pranë OKB-së
Pyet veten: «A i paraqet ky lajm opinionet si të ishin fakte? A paraqet vetëm njërën anë të medaljes?»
Lejo të të drejtojnë faktet, jo preferencat personale
Bibla thotë: «Kush i zë besë zemrës së vet, është i marrë.»—Proverbat 28:26.
Ne priremi t’u besojmë informacioneve që përputhen me atë që duam të besojmë. Dhe kompani të ndryshme në internet të dërgojnë ato informacione që përputhen me interesat e tua dhe me gjërat që ke kërkuar më shpesh online. Megjithatë, ajo që kemi qejf të dëgjojmë, nuk është gjithmonë ajo që kemi nevojë të dëgjojmë.
«Njerëzit e kanë aftësinë t’i mendojnë gjërat thellë dhe të jenë racionalë, por shpesh dëshirat, shpresat, frikërat dhe motivet na shtyjnë ta pranojmë diçka si të vërtetë nëse mbështet atë që duam të besojmë.»—Piter Dito, ekspert i psikologjisë sociale.
Pyet veten: «A i besoj këtij informacioni vetëm sepse është ajo që dua të besoj?»
Mos e përhap më tej informacionin e rremë
Bibla thotë: «Mos përhap një lajm të rremë.»—Eksodi 23:1.
Mos harro se informacioni që u dërgon të tjerëve, ka një ndikim të fuqishëm te mendimet dhe veprimet e tyre. Edhe nëse u kalon pa dashur një informacion të gabuar, mund të shkaktosh dëme.
«Rregulli nr. 1 është të mos nxitosh. Ndalu dhe pyet veten: ʻA jam plotësisht i sigurt për këtë informacion?’ Nëse çdo njeri do ta bënte këtë, do të kishte një rënie drastike të përhapjes së informacioneve të rreme në internet.»—Piter Adams, zëvendëspresident i «News Literacy Project».
Pyet veten: «A po e përhap këtë informacion ngaqë jam i sigurt se është i vërtetë?»