A mund të sjellin paqe në mbarë botën organizatat paqeruajtëse?
Luftërat dhe konfliktet e armatosura janë bërë të zakonshme në rang botëror. Si pasojë, Kombet e Bashkuara dhe organizata të ndryshme kryejnë operacione paqeruajtëse, a ndër të tjera duke pasur përfaqësuesit e tyre në zonat ku ka konflikte. Ata shpresojnë të jenë një forcë stabilizuese në këto zona të dhunshme. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterresi tha: «Paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara janë pjesa më e rëndësishme e angazhimit tonë për një botë më paqësore.»
Përgjatë viteve, misionet paqeruajtëse kanë pasur disa suksese. Për shembull, kanë mbrojtur civilët, kanë kthyer refugjatët në vendin e origjinës, kanë shpërndarë ndihma humanitare dhe kanë rindërtuar infrastrukturën e dëmtuar. Ama hasin edhe vështirësi serioze që ua kufizojnë suksesin. A do të ketë një zgjidhje të përhershme që do të sjellë paqe të vërtetë në botë? Çfarë thotë Bibla për këtë?
Sfidat për ruajtjen e paqes dhe zgjidhjet që propozon Bibla
Sfida: mungesa e bashkëpunimit. Nuk është gjithmonë e lehtë që organizatat ushtarake dhe civile nga kombe të ndryshme të punojnë së bashku. Ndonjëherë këto organizata nuk arrijnë të bashkëpunojnë në mënyrë të suksesshme për shkak të keqkuptimeve dhe konflikteve të interesit.
Zgjidhja e Biblës: «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri . . . e do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [qeverive njerëzore], dhe vetëm ajo do të qëndrojë përgjithmonë.»—Danieli 2:44.
Shumë shpejt, Perëndia do t’u japë fund luftërave dhe do të sjellë paqe në të gjithë botën. (Psalmi 46:8, 9) Ai do të zëvendësojë të gjitha qeveritë njerëzore me një qeveri të vetme: Mbretërinë e Perëndisë. Kur të gjithë tokën të pastruar nga konfliktet ta udhëheqë një qeveri e përsosur qiellore, s’do të ketë më nevojë për organizata paqeruajtëse të krijuara nga njerëzit.
Sfida: aftësi dhe burime të kufizuara. Jo gjithnjë operacionet paqeruajtëse kanë njerëz, fonde ose burime të tjera të mjaftueshme, dhe kjo kufizon atë që mund të bëjnë. Gjithashtu personeli i këtyre operacioneve duhet të punojë në kushte që po bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara dhe të rrezikshme.
Zgjidhja e Biblës: «Perëndia i Zotërisë tonë Jezu Krisht . . . e uli [Jezuin] në të djathtën e vet në vendet qiellore, shumë më lart se çdo qeveri, autoritet [dhe] pushtet.»—Efesianëve 1:17, 20, 21.
Perëndia i Plotfuqishëm, Jehovai, b i ka siguruar Jezuit, që e ka emëruar Mbret të Mbretërisë së tij, burime të pakrahasueshme. (Danieli 7:13, 14 c) I ka dhënë fuqi, njohuri, mençuri dhe aftësi dalluese të jashtëzakonshme—që janë ku e ku në krahasim me qeveritë dhe organizatat njerëzore. (Isaia 11:2) Gjithashtu Jezui ka në dispozicion një ushtri me engjëj të fuqishëm. (Zbulesa 19:14) Ndaj asnjë rrethanë nuk është aq e ndërlikuar ose aq e vështirë për të.
Burimet dhe aftësitë që i ka dhënë Perëndia, Jezui nuk do t’i përdorë vetëm për të eliminuar konfliktet, por edhe për të vendosur qetësi, siguri dhe paqe të vërtetë për të gjithë ata që do të jetojnë nën qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë.—Isaia 32:17, 18.
Sfida: pengesat ligjore. Me raste, ata që punojnë për organizatat paqeruajtëse nuk janë në gjendje të bëjnë atë që duan, ngaqë nuk kanë udhëzime të qarta rreth asaj që u lejohet të bëjnë ose pritet prej tyre, si edhe nga pengesat ligjore. Si rezultat nuk ia dalin dot t’i mbrojnë me efikasitet të tjerët ose të arrijnë plotësisht objektivat e tyre.
Zgjidhja e Biblës: «[Jezuit i] është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.»—Mateu 28:18.
Perëndia i ka dhënë Jezuit udhëzime të qarta si të vendosë paqe në botë dhe autoritet të plotë për ta bërë të mundur këtë. (Gjoni 5:22) Jezui nuk do të veprojë asnjëherë padrejtësisht ose të korruptohet. (Isaia 11:3-5) Ndaj ka kuptim pse Bibla e quan Jezuin «Princ i Paqes», Mbretëria e të cilit do të vendoset ‘me anë të gjykimit të drejtë dhe drejtësisë’.—Isaia 9:6, 7.
Mbretëria e Perëndisë do të sjellë paqe të vërtetë
Maksimumi që mund të sjellin organizatat për ruajtjen e paqes, është njëfarë stabiliteti dhe t’i japin fund një konflikti të armatosur në një rajon të caktuar. Por nuk mund të heqin dot me rrënjë shkakun e dhunës—urrejtjen që fle në zemrat e shumë njerëzve.
«Në thelb, problemi është si ta ruash paqen kur paqe nuk ka.»—Denis Xhet, ish-ambasador i SHBA-së.
Nga ana tjetër, Mbretëria e Perëndisë do të sjellë paqe të vërtetë, sepse i ndihmon njerëzit të çrrënjosin nga zemrat e tyre urrejtjen. Për shembull, kur Jezui ishte në tokë, i mësoi dishepujt me fjalët dhe shembullin e tij si të bënin paqe dhe të shfaqnin dashuri për të tjerët:
Jezui gjithashtu tha se nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë do të identifikoheshin nga dashuria për të tjerët. Bibla e bën të qartë se Mbretëria e Perëndisë nuk do t’i tolerojë ata që urrejnë të tjerët:
Perëndia Jehova, i cili krijoi njerëzimin di mënyrën më të mirë dhe të vetme për të sjellë paqe në botë. Mbretëria e tij do të ketë sukses aty ku përpjekjet e njerëzve, përfshirë edhe përpjekjet e organizatave paqeruajtëse, kanë dështuar.
a Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera përdorin edhe terma të ngjashëm si «forca paqeruajtëse», «operacionet e paqes» dhe «misionet e paqes».
b Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»
c Te Danieli 7:13, 14, termi «bir njeriu» i referohet Jezu Krishtit.—Mateu 25:31; 26:63, 64.