SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Një kanal satelitor JW arrin aty ku nuk arrin dot interneti
1 PRILL 2021
Çdo muaj presim me padurim programet dhe videot besimforcuese në JW Broadcasting. Megjithatë, shumë nga vëllezërit tanë në Afrikë nuk i ndjekin dot këto programe në internet. Pse?
Pjesa më e madhe e Afrikës nuk ka internet. Dhe, kur ka, shpesh është fare i ngadaltë dhe goxha i shtrenjtë. Për shembull, një mbikëqyrës qarkor në Madagaskar shkarkoi një program mujor JW Broadcasting në një Internet café. Për këtë pagoi 16 dollarë, më shumë se sa marrin disa njerëz atje në një javë. a
Pavarësisht nga këto vështirësi, miliona veta në Afrikë tani mund të kënaqen duke e ndjekur JW Broadcasting pa internet. Si ka mundësi?
Që nga viti 2017, për ata që jetojnë në Afrikën subsahariane, JW Broadcasting është transmetuar falas nëpërmjet një stacioni televiziv satelitor, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, në 16 gjuhë.
Për të arritur këtë, Dëshmitarët e Jehovait paguajnë për një shërbim televiziv, që t’i transmetojë programet tona nëpërmjet satelitit. Ky satelit mbulon gati 35 vende në Afrikën subsahariane. Sipas kontratës, pagesa është mbi 12.000 dollarë në muaj. Ndonjëherë paguajmë më shumë që një kanal tjetër ta transmetojë drejtpërdrejt ndonjë ngjarje. Falë kësaj, mijëra veta janë kënaqur me kongreset ose programet speciale me përfaqësues nga dega.
Shumë njerëz, edhe ata që nuk janë Dëshmitarë, e ndjekin stacionin satelitor JW nga shtëpitë e tyre, në televizor. Megjithatë, një numër i madh vëllezërish nuk kanë mundësi t’i blejnë pajisjet e domosdoshme për të parë këtë stacion satelitor. Për t’i ndihmuar, mbi 3.670 Salla Mbretërie janë pajisur me këto mjete, kështu që vëllezërit e motrat mund ta shohin atje JW Broadcasting. Nëse Salla e Mbretërisë e kishte tashmë një televizor ose projektor, pajisja bashkë me dërgimin kushton gati 70 dollarë. Nëse jo, të gjitha bashkë kushtojnë deri në 530 dollarë.
Vëllezërit e motrat janë shumë mirënjohës për këtë stacion televiziv. Një vëlla në Kamerun, tha: «Për familjen tonë është si mana në mes të shkretëtirës». Odebode, një vëlla në Nigeri, tha: «Kanalin e shohim tri herë në javë si familje. Fëmijët mezi i presin këto momente. Madje kërkojnë ta ndryshojmë më shpesh stacionin e ta çojmë te kanali JW.» Edhe Roza, që jeton në Nigeri, komenton: «Them me kënaqësi që kanali satelitor JW po më mbron nga varësia ndaj lajmeve, të cilat i shihja pa pushim. Kur shihja lajmet, acarohesha fare kollaj dhe më rritej tensioni. Ama, JW Broadcasting është kaq ndërtues dhe të jep paqe. Është kanali im i preferuar dhe një bekim i madh nga Jehovai.»
Një mbikëqyrës qarkor në Mozambik raporton se në qarkun e tij, Sallat e Mbretërisë ishin pajisur me mjete që mund të transmetonin kanalin satelitor. Vëllezërit në këto kongregacione shkojnë në Sallë një orë para ose më shumë, që të shohin JW Broadcasting nëpërmjet satelitit.
Për kongresin ndërkombëtar 2019 që u mbajt në Johanesburg, Afrika e Jugut, kanali u përdor për të transmetuar fjalimet kyçe në 9 vende të tjera. Ndër fjalimet që u transmetuan me satelit, ishte edhe ai i një anëtari të Trupit Udhëheqës. Sfumelele, nga Reparti vendës Broadcasting në degën e Afrikës së Jugut, tha: «Më parë i transmetonim fjalimet nëpërmjet internetit. Por, kjo kërkonte internet të mirë dhe kushtonte. Kanali satelitor JW kushton më pak dhe është i sigurt.»
Falë dhurimeve tuaja bujare për veprën mbarëbotërore, shumë vëllezër e motra në Afrikë mund ta shohin JW Broadcasting nëpërmjet satelitit. Ju falënderojmë jashtë mase për dhurimet që keni bërë në mënyra të ndryshme te donate.jw.org!
a Në këtë artikull, të gjitha shumat në dollarë u referohen dollarëve amerikanë.