Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGA ARKIVAT TANË

E mbajtën besimin të fortë mes kohëve të vështira

E mbajtën besimin të fortë mes kohëve të vështira

 Pas Luftës II Botërore, shumë vende të Evropës ishin të rrënuara. Nga ana tjetër, tani Dëshmitarët e Jehovait dhe të tjerë ishin liruar nga kampet naziste të përqendrimit. Prapëseprapë, jeta nuk ishte e lehtë për ta. Si shumë të tjerë, edhe shërbëtorët e Jehovait nuk kishin mjaftueshëm ushqim, veshje, strehim dhe gjëra të tjera bazë. Motër Kerin Hartungu thotë: «Për shkak të krizës së thellë për strehim, të gjithëve u duhej të hapnin shtëpinë për të afërmit ose të lëshonin me qira ndonjë dhomë të apartamentit të tyre.» Për njëfarë periudhe, motër Gertrud Pocingeri, e cila kaloi 7 vjet e gjysmë nëpër kampe përqendrimi, jetoi në barakë dhe fjeti mbi një karrige. a

 Çfarë bëri organizata e Jehovait për t’u siguruar gjërat e nevojshme materiale vëllezërve në zonat e shkatërruara nga lufta? E çfarë mësimesh mund të nxjerrim ne nga ata që jetuan në periudhën e vështirë të pasluftës?

Kujdesen për nevojat fizike të vëllezërve

 Organizata e Jehovait veproi shpejt për t’u ardhur në ndihmë bashkëbesimtarëve në Evropë. Nejthën Nori dhe Milton Hensheli, nga selia botërore, vizituan vëllezërit për të parë nga afër se çfarë u nevojitej. Gjatë muajve nëntor e dhjetor të vitit 1945, shkuan në Angli, Zvicër, Francë, Belgjikë, Holandë, Danimarkë, Suedi, Finlandë dhe Norvegji. Vëlla Nori raportoi: «Për herë të parë, pamë shkatërrimin që ka lënë pas lufta në këtë kontinent.»

Nejthën Nori flet me një grup Dëshmitarësh në Helsinki, Finlandë, 21 dhjetor 1945

 Në atë kohë, vëlla Norin nuk e lejuan të hynte në Gjermani. Gjithsesi, Erik Frosti, i cili mbikëqyrte zyrën e degës në Gjermani, arriti të dilte jashtë kufijve për ta takuar. b Eriku tregonte: «Vëllai Nor na dha sugjerime praktike dhe na premtoi se do të na siguroheshin ndihma ushqimore dhe veshje.» Më tej shtonte: «Pa kaluar shumë, në Gjermani mbërritën ngarkesa të mëdha me miell, yndyrë ushqimore, tërshërë dhe ushqime të tjera. Vëllezërit nga jashtë shtetit sollën edhe pako të mëdha me veshje, ndër to kostume, të brendshme dhe këpucë.» Vëllezërve iu mbushën sytë me lot nga mirënjohja kur morën ndihmat. Veç kësaj, një raport tregon: «Vëllezërit nuk e bënë këtë vetëm 1 herë. Përkundrazi, dërguan vazhdimisht ndihma për 2 vjet e gjysmë.» c

Dëshmitarë në Shtetet e Bashkuara duke paketuar rroba të dhuruara për t’i dërguar në Evropë

E mbajtën në vend të parë adhurimin e Jehovait

 Teksa kushtet e jetesës përmirësoheshin dita-ditës, vëllezërit vazhduan të përqendroheshin tek adhurimi i Jehovait. Çfarë i ndihmoi?

Jyrgen Rundeli (para, në të majtë) në vitin 1954 me vëllezër nga kongregacioni i Shpital-an-der-Draut në Austri

 Ndoqën një program të mirë adhurimi. (Efesianëve 5:15, 16) Gjatë luftës, vëllezërit e patën të vështirë të merrnin botimet për studimin e Biblës dhe të përfshiheshin rregullisht në aktivitetet teokratike. Mirëpo pas luftës, mbledhjet dhe vepra e predikimit dalëngadalë u rikthyen në normalitet. Vëlla Jyrgen Rundeli, i cili jeton në Austri, sjell ndër mend: «Botimi Njoftuesi d dhe mbikëqyrësit qarkorë na nxitnin të merrnim pjesë rregullisht në aktivitete që na afronin me Jehovain.» Ai shton: «Ishim të përqendruar te Jehovai, Jezui, studimi personal i Biblës dhe te shërbimi. S’kishim shpërqendrime të tilla, si televizori.»

 Motër Ulrike Krolopi thotë: «Më kujtohet sa e lumtur ndihesha kur studioja thellë një temë nga Bibla. Im shoq ishte një shembull i shkëlqyer. Sa herë merrnim një numër të ri të Kullës së Rojës, ai linte gjithçka mënjanë dhe e studionte.» Kerina, e përmendur më sipër, tregon: «Gjatë luftës pamë sa shpejt mund t’i humbasim gjërat materiale. Kurse ushqimi besimforcues, sado i paktë, vinte pa pushim. Jehovai i shpërbleu shërbëtorët e tij besnikë.»

Ulrike Krolopi

 Rifilluan predikimin. (Mateu 28:19, 20) Lufta ua kishte kufizuar shërbëtorëve të Jehovait lirinë për t’u angazhuar në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. Një vëlla që quhet Friedelm kujton se, pas luftës, «të gjithë iu rikthyen shërbimit». Ulrike sjell ndër mend: «Dëshmitari i parë që i foli për mesazhin e Mbretërisë familjes së tim shoqi, kishte akoma veshur uniformën e kampit të përqendrimit. Dukej qartë se ai kishte filluar të predikonte menjëherë.» Jyrgeni thotë: «Pas luftës, thuajse të gjithë ishin plot zell. Shumë motra e vëllezër të rinj nisën shërbimin në kohë të plotë.»

 Ulrike shpjegon: «Kushtet e jetesës në qytetet e bombarduara ishin të tmerrshme.» Shumë njerëz banonin në ndërtesa të shkatërruara. Si arritën Dëshmitarët t’i gjenin? Ulrike kujton: «Kërkonim për dritën e ndonjë llambe ose për tymin që dilte nga ndonjë tub sobe.»

 I jepnin zemër njëri-tjetrit. (1 Selanikasve 5:11) Gjatë luftës, shumë Dëshmitarë të Jehovait kishin pësuar një trajtim çnjerëzor. Prapëseprapë, pas luftës, nuk e mbajtën mendjen te vuajtjet që kishin hequr, por u përqendruan si t’i jepnin zemër njëri-tjetrit. Vërtet, ‘cilësia e besimit të tyre të sprovuar’ u solli gëzim të pamasë. (Jakovi 1:2, 3) Johanesi, që tani jeton në Shtetet e Bashkuara, komenton: «Mbikëqyrësi qarkor, i cili kishte qenë në kampe përqendrimi, na tregonte shumë përvoja zemërdhënëse se si e kishin parë dorën e Jehovait motrat e vëllezërit. Ato histori na e forcuan jashtë mase besimin.»

 Johanesi tregon se, kur mbaroi lufta, vëllezërit e ruajtën miqësinë e ngushtë me Jehovain duke kujtuar «si i kishte ndihmuar Ai në kampe dhe si u ishte përgjigjur lutjeve të tyre». Veç kësaj, siç u përmend, tani që Dëshmitarët ishin të lirë, ndoqën një program të rregullt për leximin e Biblës dhe për pjesëmarrjen në mbledhje e në shërbim. Vëllezërit e motrat që kishin dalë nga kampet «dukeshin ende të dobët e të lodhur»,—kujton Elizabeta, e cila ishte e pranishme në kongresin që u mbajt në Nuremberg, në vitin 1946. Pastaj shton: «Megjithatë, ‘fryma e shenjtë vlonte si zjarr në zemrat e tyre’ teksa na tregonin gjërat që kishin përjetuar.»—Romakëve 12:11.

Kerin Hartungu

 Ruajtën lidhje të forta me njëri-tjetrin. (Romakëve 1:11, 12) Gjatë luftës, për shkak të përndjekjes së egër, Dëshmitarët nuk mund të shoqëroheshin lirisht bashkë. Kerina shpjegon: «Ata e vizitonin njëri-tjetrin rrallë, që të mos binin në sy dhe të mos i vinin në rrezik bashkëbesimtarët.» Sigurisht që kur lufta mbaroi, kjo ndryshoi. Friedelmi tregon: «Vëllezërit bënin gjithçka bashkë. Mbledhjet dhe shërbimi ishin gjëja kryesore për ta.»

 Menjëherë pas luftës, «shumë pak Dëshmitarë kishin makinë»,—kujton Ditrih, një plak në Gjermani. Më tej thotë: «Prandaj rrugën për në mbledhje e bënim në këmbë, por gjithmonë si grup. Kjo na lidhi shumë me njëri-tjetrin. Ishim si familje.»

Mësime për ne

 Sot, shumë shërbëtorë të Jehovait po kalojnë vështirësi për shkak të katastrofave natyrore, sëmundjeve, luftërave, përndjekjeve dhe rritjes së kostos së jetesës. (2 Timoteut 3:1) Megjithatë, s’kemi arsye të na mbytë ankthi. Pse? Shembulli i motrave dhe i vëllezërve besnikë në Gjermaninë naziste, na siguron se Perëndia ynë do të vazhdojë të na mbështetë gjatë këtyre ditëve të fundit plot vështirësi. Ndaj duam të kemi të njëjtin qëndrim si apostulli Pavël, që shkroi: «[Le] të themi plot guxim: ‘Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!’»—Hebrenjve 13:6.

a Mund ta lexoni jetëshkrimin e motrës Pocinger në gjuhën angleze.

b Mund ta lexoni jetëshkrimin e vëllait Frost në gjuhën angleze.

c Për më shumë informacion për ndihmat që siguroi organizata e Jehovait pas Luftës II Botërore, shih artikullin «Ata dhanë më të mirën», si edhe kutitë në faqet 211218 dhe 219 të librit Mbretëria e Perëndisë qeveris!

d Sot kongregacionet përdorin Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje.