Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TERI REJNOLDS | JETËSHKRIM

Jehovai më ndihmoi t’i jepja më të mirën

Jehovai më ndihmoi t’i jepja më të mirën

 Kur isha veçse 14 vjeç, një vëlla i moshuar me emrin Sesil më dha Biblën e tij. Më parë e përdorte për studimin personal dhe në hapësirat anash faqes kishte shënimet e tij. Mendova: «Çfarë dhurate e mrekullueshme!»

 Sesili ishte një vëlla i përulur, që kujdesej shumë për të tjerët. Shembulli i tij së bashku me atë të mamasë sime dhe motrave e vëllezërve besnikë në kongregacion, zgjuan tek unë dëshirën për të vepruar, pra t’i jepja Jehovait më të mirën. (Filipianëve 2:13) Më lejoni t’ju tregoj historinë time.

I prekur nga zelli i mamasë

 Linda më 1943 në Australi. Prindërit e mi jetonin në një fermë pranë qytetit bregdetar të Bundabergut, në Kuinsland, një rajon në të cilin rritet kallam sheqeri. Çdo të shtunë në mbrëmje, vendasit kishin si zakon të mblidheshin së bashku në qytet. Në një nga këto raste, në 1939-n, prindërit takuan dy pionierë (Dëshmitarë të Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë). Ajo që mësuan, i preku thellë dhe me kalimin e kohës u bënë Dëshmitarë të Jehovait. Si rrjedhojë, unë dhe motra ime, Zhan, u rritëm në një familje që adhuronte Jehovain. Mjerisht, babai humbi jetën nga një aksident në shtëpi. Isha vetëm shtatë vjeç dhe vdekja e tij më tronditi jashtë mase. Ende e kujtoj si një njeri të palodhur dhe me një sens të mirë humori. Mezi pres ringjalljen kur ta takoj sërish dhe të kem mundësinë ta njoh më mirë.—Veprat 24:15.

 Mamaja ishte e dashur dhe e arsyeshme. Ajo na lejonte mua dhe motrën të shpreheshim lirisht nëse na pëlqente apo jo diçka. Por, kur bëhej fjalë për parimet e Biblës dhe adhurimin e Jehovait, ajo ishte e palëkundur. Ndaj bënte çmos të mos humbisnim asnjë mbledhje dhe na paralajmëronte të mos shoqëroheshim me fëmijët jo Dëshmitarë jashtë orarit të shkollës. (1 Korintasve 15:33) Kur kthej kokën pas, i jam vërtet mirënjohës për mënyrën si na ka rritur.

Kur isha rreth moshës 14-vjeçare

 Gjithashtu mamaja ishte një lajmëtare e zellshme dhe shërbente shpesh si pioniere gjatë kohës së pushimeve (tani pioniere ndihmëse). Kujtoj se ajo vizitonte rregullisht rreth 50 familje për t’u dhënë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni. Edhe kur ishte e moshuar dhe e pafuqishme, meraku i saj për të interesuarit nuk u shua kurrë. Dashuria që kishte për të tjerët e veçanërisht për ne, na nxiti që ta donim dhe ta imitonim. Në 1958-n, kur isha 14 vjeç, i kushtova jetën Jehovait dhe u pagëzova.

Motivohem nga shoqëritë e mira

 Pak kohë më vonë, edhe Rudolfi, një lajmëtar në të 20-at në kongregacionin tonë, u pagëzua. Ai kishte emigruar nga Gjermania. Shpesh, të shtunave në mëngjes, unë dhe Rudolfi u dëshmonim njerëzve, të cilët prisnin në makinat e tyre familjarët që bënin pazarin.

 Rudolfi ishte një vëlla i zellshëm. Ai më ftoi të shërbeja me të si pionier gjatë kohës së pushimeve të shkollës. Në një rast, ne shërbyem gjashtë javë së bashku në Glladston, një qytet rreth 190 km në veri të Bundabergut. Interesi i tij vëllazëror dhe gëzimi që gjeta në këtë formë shërbimi, më ngjallën dëshirën për t’u bërë pionier i rregullt. Në moshën 16-vjeçare, e arrita këtë synim dhe isha i vendosur ta bëja shërbimin në kohë të plotë boshtin e jetës sime.

 Caktimi i parë si pionier ishte në Makai, një qytet bregdetar në veri të Bundabergut, jo shumë larg nga Barriera e Madhe e Koraleve. Rreth një vit më vonë, kur isha 17 vjeç, më caktuan të shërbeja si pionier special a në zonat e thella dhe pak të populluara të Australisë. Shoku im i shërbimit ishte një vëlla i mirosur me emrin Benet (Ben) Brikëll, i cili ishte 30 vjet më i madh se unë. b Çfarë privilegji i pashoq të shërbeja përkrah një pionieri me kaq shumë përvojë, që njihej për qëndrueshmërinë e tij!

Duke i predikuar një gruaje aborigjene në zonat e thella, në 1963-shin

 Territori ynë ishte në Kuinslandin Veriperëndimor, që kufizohet nga Gjiri i Karpentarisë. Në atë kohë unë dhe Beni ishim të vetmit Dëshmitarë atje. Ndonjëherë na duhej të udhëtonim me orë të tëra për të shkuar nga një fermë në tjetrën. Gjatë atyre orëve të gjata udhëtimi në rrugët me pluhur, shpesh Beni më tregonte për historitë e tij të mëparshme në shërbim. Për shembull, ai kishte predikuar me makinat me altoparlantë c gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Australi ishte e ndaluar.

Një vëlla dhe unë (në mes) duke drejtuar një studim të Biblës në zonat e thella

 Pas një dite shërbimi, kërkonim një vend të përshtatshëm afër rrugës dhe ngrinim çadrat që të kalonim natën. d Për të përgatitur darkën, mblidhnim dru dhe ndiznim një zjarr. Ndërsa për të fjetur, shtroja përdhe një mbulesë që nuk fuste ujë dhe merrja një batanije e një jastëk. Ende kujtoj nderimin e thellë që ndjeva për Jehovain kur pashë atë qiell aq magjepsës plot e përplot me yje. Sa ndryshe nga dritat e qytetit që e venitin këtë pamje!

 Në këtë territor të izoluar mund të jetë e rrezikshme nëse të prishet makina. Në një rast na u thye një aks. Atë ditë ishte nxehtë dhe nuk kishim mjaftueshëm ujë. Për të blerë një aks të ri, Beni bëri autostop dhe udhëtoi me një shofer deri në qytezën e Klonkarit. M’u desh të prisja në makinë për tri ditë derisa të vinte pjesa. Çdo ditë kalonin makina dhe shoferët me përzemërsi më jepnin ujë. Një burrë më dha gjithashtu një libër të vjetër. Më tha: «Lexoje këtë, miku im. Mund të të ndihmojë.» Për habinë time, libri, i cili nuk ishte i organizatës sonë, fliste për historitë e Dëshmitarëve të Jehovait në kampet naziste të përqendrimit.

 Unë dhe Beni shërbyem së bashku për gati një vit. Gjëja e fundit që më tha kur u ndamë ishte: «Mos u dorëzo, vëlla.» Shembulli i përkushtimit të Benit ndaj Perëndisë dhe zelli i tij më forcuan vendosmërinë për të vazhduar shërbimin në kohë të plotë.

Galadi e më pas Tajvani

 Pas shërbimit për disa vjet si pionier në zonat e thella, mora ftesën për të shërbyer si mbikëqyrës qarkor. Kjo do të thoshte të vizitoja çdo kongregacion dhe grup të izoluar të qarkut. Përgjatë viteve, më caktuan gjithsej në katër qarqe, ku përfshiheshin kongregacionet e Kuinslandit dhe Uellsit të Ri Jugor. Më pas, në 1971-shin, papritur mora ftesën për ndjekur klasën e 51-të të Galadit, shkolla e misionarëve të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork. Kursi intensiv pesëmujor për studimin e Biblës dhe shoqëria inkurajuese e studentëve të tjerë dhe instruktorëve më ndihmuan të përgatitesha për caktimin e mëtejshëm, shërbimin si misionar në Tajvan.

Klasa ime e Galadit

 Nëntë studentë të klasës u caktuan në Tajvan, përfshirë këtu edhe Jani Braunin nga Zelanda e Re. Ai u bë shoku im i shërbimit. Nuk dinim thuajse asgjë për Tajvanin. Madje nuk ishim të sigurt as nga binte, derisa e pamë në një atlas.

 Nuk mund të mendoj për dy vende të tjera që ndryshojnë aq shumë sa zonat e thella të Kuinslandit dhe Tajvanit. Një ndër sfidat më të mëdha që hasëm në fillim ishte mësimi i gjuhës kineze. Për njëfarë kohe nuk e kuptoja çfarë thuhej në mbledhjet e kongregacionit, të cilat janë një burim i madh inkurajimi. Madje as nuk arrija t’i kuptoja tamam vëllezërit dhe motrat. Kjo situatë na ndihmoi mua dhe Janin të kuptonim pse na nevojitej gjithë njohuria e trajnimi që morëm në Galad. Përveç këtyre, studimi i rregullt i Biblës dhe lutjet nga zemra na ndihmuan të mbanim një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. Edhe pse kishim vështirësi të komunikonim me motrat e vëllezërit vendas, dashuria e tyre për ne dhe Jehovain na inkurajoi shumë.

Mësojmë gjuhën kineze

 Të gjithë misionarët ndoqën një kurs intensiv për mësimin e gjuhës kineze pasi mbërritën në Tajvan. Mësuesja jonë ishte një motër nga Australia që quhej Ketlina Logan, e e diplomuar në klasën e 25-të të Galadit. U zhytëm plotësisht në mësimin e gjuhës. Siç na udhëzuan, përpiqeshim t’i përdornim sa më shpejt ato që mësonim. Për ditën e parë të shërbimit, unë dhe Jani mësuam përmendësh një prezantim të shkurtër. Rrugës për në territor po diskutonim se kush do të fliste në derën e parë. Duke qenë se isha më i madhi përfitova nga rasti dhe i kërkova të fillonte ai. I zoti i shtëpisë ishte një burrë kinez që dukej njeri i respektuar. Ai dëgjoi me durim Janin tek fliste njëkohësisht kinezisht dhe anglisht. Për habinë tonë na pyeti me një anglishte të rrjedhshme pse ishim aty. Pasi biseduam ca, në fund na inkurajoi të mos hiqnim dorë nga mësimi i gjuhës kineze. Fjalët e tij të ngrohta na dhanë zemër të mos dorëzoheshim, siç do të thoshte edhe Beni.

 Territori ynë përfshinte një pjesë të madhe të kryeqytetit, Tajpeit. Meqenëse aty banonin shumë pak Dëshmitarë, ishte një zonë thuajse e papredikuar më parë. Kjo nuk na shkurajoi, ndaj unë dhe Jani iu përveshëm punës. Në atë kohë, shpesh shpërndanim me qindra revista në muaj. Është e vërtetë që shumë njerëz i merrnin vetëm për të kuptuar se kush ishim dhe çfarë donim të thoshim. Ama, ne bëmë më të mirën tonë që të shpërndanim farat e së vërtetës për Mbretërinë, të sigurt se do të hidhnin rrënjë në zemrat e sinqerta.

Ndihmë nga shoqja ime e jetës

Unë dhe Uen Huaja në shërbim, në 1974-n

 Gjatë shërbimit zura miqësi me një motër vendase që quhej Uen Hua. E donte të vërtetën dhe dëshironte t’i ndihmonte njerëzit të nxirrnin dobi nga mesazhi i Biblës, siç kishte nxjerrë edhe vetë. Kështu që ndihmoi shumë misionarë, përfshirë edhe mua, të përmirësonim gjuhën. U dashurova me këtë motër kaq të zonjë dhe në 1974-n u martuam.

 Uen Huaja i ndihmoi misionarët të ishin më të efektshëm në shërbim. Për shembull, na mësoi më shumë për kulturën dhe mentalitetin tajvanez dhe si të përshtatnim prezantimet për territorin, i cili përbëhej më së shumti nga budistë e taoistë. Adhurimi i të parëve ishte shumë i përhapur, dhe pjesa më e madhe e njerëzve nuk e kishin lexuar kurrë Biblën, madje as nuk kishin parë një të tillë. Kështu i përqendruam prezantimet tona te Krijuesi, pse jemi të sigurt se ai ekziston dhe se emri i tij është Jehova. Për shembull, nëse një fermer ose peshkatar përdorte shprehjen «presim me sytë nga qielli për ushqim», ne i përgjigjeshim: «Kush është Ai që na siguron gjithë ushqimin? A nuk është Perëndia, i Plotfuqishmi, që krijoi gjithçka dhe meriton adhurimin tonë?»

Me Uen Huanë, në 1975-n

 Me kalimin e kohës, përpjekjet tona u shpërblyen dhe farat e Mbretërisë gjetën tokë të mirë në shumë zemra të sinqerta. Shumë studentë të Biblës punuan fort për të hequr dorë nga bindjet e rreme të ngulitura thellë dhe zakonet që e lëndojnë Jehovain. Por, me ndihmën e misionarëve dhe lajmëtarëve vendas, ata ia dolën mbanë dhe jeta e tyre u përmirësua. (Gjoni 8:32) Më vonë shumë vëllezërve iu dhanë përgjegjësi në kongregacion dhe një numër lajmëtarësh filluan shërbimin në kohë të plotë, përfshirë këtu edhe shërbimin në zyrën e degës, ose Bethel.

 Duke nisur nga 1976-a, pata privilegjin të shërbeja në Komitetin e Degës së Tajvanit, ndërsa vazhdoja në fushë si misionar. Në 1981-shin, unë dhe Uen Huaja morëm ftesën për në Bethel, ku vazhdova për shumë vjet si anëtar i komitetit. Kanë kaluar më shumë se 60 vjet që kur nisa shërbimin në kohë të plotë. Ndër to më shumë se 50 vjet në Tajvan dhe pothuajse 50 vjet me gruan time të dashur. Miku im dhe ish-shoku i shërbimit, Jani Braun, vazhdoi si misionar në Tajvan derisa vdiq në 2013-n.

Duke punuar në zyrën time në Tajvan, në 1997-n

 Unë dhe Uen Huaja përpiqemi ta mbajmë veten të zënë këtu në Bethel, në kongregacionin e gjuhës kineze dhe në shërbim. Falënderojmë Jehovain për gjithë këto dhurata të çmuara. Ai më dha si dëshirën edhe fuqinë për t’i shërbyer me gjithë zemër që kur isha i ri dhe vazhdon të bëjë kështu për të dy ne, edhe tani që jemi të shkuar në moshë.

a Një pionier special është një shërbëtor në kohë të plotë që del vullnetar për të shkuar aty ku e cakton zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait, sepse ka nevojë për mësues të Biblës.

b Jetëshkrimi i Benet Brikëllit është botuar në Kullën e Rojës, 1 shtator 1972, anglisht.

c Këto makina ishin të pajisura me altoparlantë për të mundësuar dëgjimin e mesazhit të Mbretërisë në distanca të largëta.

d Për të parë vëllezërit tek predikojnë në Kuinslandin Veriperëndimor, shiko videon Predikojnë në një territor të izoluar—Australi.

e Jetëshkrimi i Harvi dhe Ketlina Loganit u botua në Kullën e Rojës, janar 2021.