Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SI TË GJESH LEHTËSIM NGA STRESI

Çfarë është stresi?

Çfarë është stresi?

Stresi është reagimi i trupit tënd ndaj një situate të vështirë. Truri bën që hormonet të vërshojnë në gjithë organizmin. Ato të shtojnë rrahjet e zemrës, ndikojnë te tensioni i gjakut, shtojnë ose kufizojnë kapacitetin e mushkërive dhe të tendosin muskujt. Para se të kuptosh tamam se çfarë po ndodh, trupi është gati të veprojë. Kur një ngjarje stresuese merr fund, trupi yt del nga «gjendja e alarmit» dhe kthehet në normalitet.

STRESI I MIRË DHE I KEQ

Stresi është reagimi i natyrshëm që të ndihmon të përballosh situata të vështira a të rrezikshme. Ky reagim nis nga truri. Stresi i dobishëm të ndihmon të veprosh a të reagosh menjëherë. Njëfarë stresi mund të të ndihmojë edhe të arrish synimet ose të japësh më të mirën, mbase në një provim, në një intervistë pune ose në një aktivitet sportiv.

Mirëpo stresi i zgjatur, ekstrem ose kronik mund të të dëmtojë. Kur trupi yt është shpeshherë ose vazhdimisht në një «gjendje alarmi», fillon të vuash fizikisht, emocionalisht dhe mendërisht. Mund të ndryshosh sjelljen, madje edhe mënyrën si i trajton të tjerët. Stresi kronik mund të të shtyjë të abuzosh me substanca të dëmshme ose t’u hysh praktikave të tjera të këqija për ta përballuar. Madje mund të të çojë deri aty sa të vuash nga depresioni, sfilitja ose të mendosh për vetëvrasje.

Edhe pse stresi nuk ndikon njësoj te çdo njeri, mund të jetë një faktor në zhvillimin e shumë sëmundjeve. Mund të ndikojë në thuajse çdo pjesë të organizmit.