Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

LEXUESIT PYESIN . . .

Ç’të keqe kanë zakonet e Krishtlindjeve?

Ç’të keqe kanë zakonet e Krishtlindjeve?

Prej kohësh, Krishtlindjet janë quajtur festë tradicionale e krishterë që kremton lindjen e Krishtit. Megjithatë, shumë prej zakoneve në këtë festë na bëjnë të pyesim se si u lidhën me lindjen e Krishtit.

Të flasim për mitin e Santa Klausit (Babagjyshit të Krishtlindjeve). Ky personazh gazmor me mjekër të bardhë, faqe të kuqe e kostum të kuq dihet se është krijuar nga një reklamë e suksesshme e një kompanie pijesh në Amerikën Veriore më 1931, me rastin e Krishtlindjeve. Gjatë viteve 50, disa brazilianë u përpoqën ta zëvendësonin Santa Klausin me një figurë legjendare vendëse: Babagjyshin indigjen. Cili ishte rezultati? Santa Klausi jo vetëm e mundi Babagjyshin indigjen, por, sipas profesorit Karlos E. Fantinati, «mundi edhe Jezuin foshnjë e u bë përfaqësuesi zyrtar i festës së 25 dhjetorit». Por, a janë mite të tilla, si Santa Klausi, problemi i vetëm i Krishtlindjeve? Për t’u përgjigjur, le të hedhim një vështrim në krishterimin e hershëm.

Encyclopedia Britannica thotë: «Gjatë dy shekujve të parë të krishterimit kundërshtohej fort festimi i ditëlindjeve të martirëve e madje edhe i ditëlindjes së Jezuit.» Pse? Të krishterët e konsideronin festimin e ditëlindjeve një zakon pagan, diçka që duhej shmangur krejtësisht. Në fakt, në Bibël nuk thuhet fare data e lindjes së Jezuit.

Pavarësisht nga qëndrimi që kishin të krishterët e hershëm kundër zakonit të festimit të ditëlindjeve, në shekullin e katërt të e.s., Kisha Katolike vendosi të festoheshin Krishtlindjet. Kisha donte të forconte pozitën e saj duke hequr një nga pengesat kryesore që kishte: popullaritetin e feve romake pagane dhe festat e tyre të solsticit të dimrit. Sipas botimit Christmas in America, të autores Peni L. Restad, çdo vit, nga data 17 dhjetor deri më 1 janar, «shumica e romakëve shtronin gosti, organizonin lojëra, bënin ahengje e parada dhe përfshiheshin në festime të tjera ndërsa u bënin nderime perëndive të tyre». Kurse më 25 dhjetor, romakët kremtonin lindjen e Diellit të Pamposhtur. Kur vendosi festimin e Krishtlindjeve atë ditë, kisha i lajkatoi shumë romakë duke ua mbushur mendjen që të festonin lindjen e Krishtit në vend të lindjes së diellit. Sipas botimit Santa Claus, a Biography, të autorit Geri Boulër, romakët «mund të vazhdonin të shijonin veçoritë tërheqëse të festave të mesit të dimrit». Po ky autor thotë se në të vërtetë ata e kremtonin festën e tyre të re me tradita të vjetra.

Pra, është e qartë se problemi kryesor për festimin e Krishtlindjeve është origjina e tyre e papëlqyeshme. Në librin The Battle for Christmas, autori Stivën Nisenbaum thotë për Krishtlindjet se nuk janë gjë tjetër «veçse një festë pagane me një lustër të krishterë». Prandaj, festa e Krishtlindjeve nuk e nderon aspak Zotin dhe Birin e tij, Jezu Krishtin. A është kjo diçka e parëndësishme? Bibla bën këtë pyetje: «Ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën?» (2 Korintasve 6:14) Ashtu si trungu i një peme të shtrembër, edhe festa e Krishtlindjeve është kaq e shtrembëruar, sa «s’mund të drejtohet».Eklisiastiu 1:15.