TEMA KRYESORE | KUSH JANË DËSHMITARËT E JEHOVAIT?
Çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait?
Ne, Dëshmitarët e Jehovait, besojmë se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm». (2 Timoteut 3:16) Bibla na mëson konkretisht për Krijuesin dhe si të bëjmë një jetë kuptimplotë.
Bibla thotë: «Që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.» (Psalmi 83:18) Prandaj adhurojmë vetëm Perëndinë Jehova dhe, si dëshmitarë të tij, bëjmë çmos ta bëjmë të njohur emrin e tij.
Si të krishterë besojmë se Jezui, «Biri i Perëndisë», * erdhi në tokë dhe u bë Mesia. (Gjoni 1:34, 41; 4:25, 26) Pasi u ringjall, Jezui shkoi në qiell. (1 Korintasve 15:3, 4) Më vonë u bë Mbret në Mbretërinë e Perëndisë. (Zbulesa 11:15) Kjo Mbretëri është një qeveri e mirëfilltë që do të rivendosë Parajsën në tokë. (Danieli 2:44) Bibla thotë: «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»
«Kur lexojnë Biblën, ata besojnë se po u flet Zoti. Për çdo problem e kërkojnë zgjidhjen te Fjala e Perëndisë. . . . Për ta Fjala e Perëndisë është ende e gjallë.»
Dëshmitarët e Jehovait besojnë se edhe sot njerëzit mund të nxjerrin dobi nga parimet biblike. (Isaia 48:17, 18) Ja pse u përmbahemi ngushtësisht këtyre parimeve. Për shembull, nuk pimë duhan dhe nuk marrim drogë, sepse Bibla na paralajmëron të shmangim veprimet që ndotin mendjen dhe trupin. (2 Korintasve 7:1) Gjithashtu nuk i bëjmë ato gjëra që Bibla i dënon hapur, si dehjen, imoralitetin seksual dhe vjedhjen.
^ par. 5 Bibla e quan Jezuin edhe ‘Bir të vetëmlindur të Perëndisë’, sepse ishte i vetmi që u krijua drejtpërdrejt nga Jehovai.