Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Timgadi—Qyteti i groposur zbulon sekretet e tij

Timgadi—Qyteti i groposur zbulon sekretet e tij

EKSPLORUESI i paepur nuk u beson dot syve. Atje, pjesërisht i groposur nën rërën e rajonit shkretinor të Algjerisë, qëndron një hark triumfi romak. Kur skocezi Xhejms Brus bëri këtë zbulim më 1765, nuk e kuptoi se po rrinte pikërisht mbi gërmadhat e vendbanimit më të madh romak të ndërtuar ndonjëherë në Afrikën Veriore—në qytetin e lashtë të Thamugadit, tani Timgadi.

Më se një shekull më vonë, në vitin 1881, arkeologë francezë nisën gërmimet në rrënojat e Timgadit, që ishin në gjendje të mirë. Nxorën përfundimin se me gjithë terrenin e ashpër e të shkretë, banorët e tij bënin jetë goxha të rehatshme dhe luksoze. Por, çfarë i shtyu romakët të ndërtonin një koloni të begatë në një vend të tillë? Dhe çfarë mund të mësojmë nga ky qytet i lashtë e nga banorët e tij?

QËLLIM POLITIK I KAMUFLUAR

Kur romakët shtrinë sundimin në Afrikën Veriore në shekullin e parë p.e.s., hasën rezistencë të egër nga disa fise nomade. Si të vendosnin marrëdhënie paqësore me vendësit? Si fillim, ushtarët e Legjionit të Tretë të Augustit ndërtuan shumë kampe të fortifikuara dhe pika vrojtimi në rajonin e paanë malor aty ku sot është veriu i Algjerisë. Më vonë ndërtuan qytetin e Timgadit, ama për një qëllim krejt tjetër.

Zyrtarisht, romakët e themeluan Timgadin për veteranët në pension, mirëpo qëllimi i vërtetë ishte të dobësonin rezistencën e fiseve vendëse. Plani pati sukses. Shpejt, jeta e rehatshme në Timgad nisi t’ua bënte me sy vendësve që vinin në qytet për të shitur mallra. Me shpresën që t’i pranonin në Timgad, ku lejohej të jetonin vetëm qytetarë romakë, shumë vendalinj hynë vullnetarisht në Legjionin Romak për një periudhë 25-vjeçare, që të fitonin qytetarinë romake për vete dhe djemtë e tyre.

Të pakënaqur vetëm me qytetarinë romake, disa afrikanë dalëngadalë zunë madje edhe poste të larta në Timgad a në qytete të tjera koloniale. Plani dinak i romakëve për të asimiluar vendësit pati kaq shumë sukses sa, vetëm gjysmë shekulli pas themelimit të tij, Timgadi banohej kryesisht nga afrikano-veriorët.

SI UA VODHI ZEMRAT ROMA

Pazari me kolonada elegante dhe tezga

Si arritën romakët t’i bënin për vete kaq shpejt popujt indigjenë? Së pari, nxitnin barazinë mes qytetarëve, parim i përhapur nga Ciceroni, burrë shteti romak. Territori u nda në mënyrë të barabartë si mes veteranëve romakë, edhe mes qytetarëve me origjinë afrikane. Qyteti u planifikua me kujdes në blloqe shtëpish prej 20 metrash katrorë, të ndara me rrugica. Një planimetri e tillë e barabartë dhe e rregullt me siguri ua mori mendjen banorëve.

Si në mjaft qytete romake, njerëzit mblidheshin në shesh gjatë ditëve të zhurmshme të pazarit që të dëgjonin të rejat e fundit e të merrnin pjesë në lojëra. Banorët nga malësitë e përzhitura aty pranë, me siguri imagjinonin veten duke ecur hijeve të kolonadave në një ditë të nxehtë e të thatë ose duke u çlodhur falas në ndonjë nga banjat e shumta publike nën tingujt e ujit që rridhte qetë. Mbase përfytyronin veten të ulur rreth shatërvanëve freskues tek bisedonin me miqtë. Gjithë kjo duhet t’u jetë dukur si ëndërr.

Një stelë varri me një triadë perëndish në krye

Edhe amfiteatri luajti rol të rëndësishëm për t’u vjedhur zemrat njerëzve. Me një kapacitet prej mbi 3.500 vendesh, mirëpriste turmat e potershme nga Timgadi dhe qytetet fqinje. Në skenë, aktorët i prezantonin auditorit parapëlqimin romak për zbavitjen e fëlliqur me shfaqje që shpesh kishin përmbajtje imorale e dhune.

Po ashtu, edhe feja romake bëri pjesën e saj. Dyshemetë dhe muret e banjave publike ishin goxha të zbukuruara me mozaikë plot ngjyra ku tregoheshin ngjarje të mitologjisë pagane. Meqë larja në banjat publike ishte pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme, njerëzit gradualisht njohën perënditë dhe fenë romake. Përpjekja për të asimiluar afrikanët në kulturën romake ishte kaq e efektshme sa shpesh stelat e varreve zbukuroheshin me triada perëndish afrikane dhe romake.

QYTETI I BUKUR FUNDOSET NË HARRESË

Pasi perandori Trajan themeloi qytetin në vitin 100 të e.s., romakët nxitën prodhimin e grurit, të vajit të ullirit dhe të verës në Afrikën e Veriut. S’kaloi shumë dhe ky rajon u bë burimi kryesor i Romës për këto prodhime jetësore. Ashtu si qytetet e tjera koloniale, nën sundimin romak Timgadi u begatua. Me kohë, popullsia e Timgadit u shtua dhe qyteti u zgjerua përtej mureve të fortifikuara.

Banorëve të qytetit dhe pronarëve të tokave u eci tregtia me Romën, mirëpo fermerët vendës përfitonin fare pak. Në shekullin e tretë të e.s., padrejtësitë shoqërore dhe taksat e tepërta shkaktuan revolta mes fermerëve të vegjël. Disa prej tyre kishin përqafuar besimin katolik dhe u bashkuan me donatistët—një grup që pretendonin se ishin të krishterë, të cilët u ngritën kundër korrupsionit brenda kishës katolike.—Shih kutinë « Donatistët—Aspak ‘kishë e kulluar’».

Pas shekujve të tërë konfliktesh fetare, luftërash civile dhe sulmesh barbare, qytetërimi romak e humbi pushtetin në Afrikën Veriore. Në shekullin e gjashtë të e.s., Timgadi ishte bërë tashmë shkrumb e hi nga fiset arabe vendëse, dhe me kohë u fundos në harresë për më se 1.000 vjet.

«KJO ËSHTË JETË!»

Mbishkrim latin i gjetur në shesh: «Gjueti, larje për qejf, lojëra, të qeshura—kjo është jetë!»

Arkeologët që gërmonin në rrënojat e Timgadit buzëqeshën me mbishkrimin latin që gjetën në shesh. Aty thuhej: «Gjueti, larje për qejf, lojëra, të qeshura—kjo është jetë!» Një historian francez tha se ky mbishkrim «i bën jehonë një motoje që mbase s’ka shumë ambicie, ama disa do ta konsideronin sekretin e mençurisë».

Në fakt, për njëfarë kohe, romakët rendën pas një jete të tillë. Pavli, apostull i krishterë i shekullit të parë, foli për njerëz motoja e të cilëve ishte: «Le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim.» Ndonëse ishin fetarë, romakët jetonin për kënaqësinë e çastit, pa menduar gjatë për kuptimin e vërtetë të jetës ose për qëllimin e saj. Pavli i paralajmëroi të bashkëkrishterët të ruheshin nga këta lloj njerëzish: «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»1 Korintasve 15:32, 33.

Edhe pse banorët e Timgadit jetuan rreth 1.500 vjet më parë, pikëpamja për jetën nuk ka ndryshuar shumë. Mjaft njerëz në ditët tona jetojnë veç për të sotmen. Për ta, motoja e romakëve është plot kuptim, cilatdo qofshin pasojat. Sidoqoftë, me dy fjalë Bibla ofron një mendim goxha realist: «Skena e kësaj bote po ndryshon.» Ndaj na nxit ‘të mos e përdorim plotësisht këtë botë’.1 Korintasve 7:31.

Gërmadhat e Timgadit dëshmojnë se sekreti i lumturisë dhe i një jete me kuptim nuk ka lidhje me atë mbishkrim të mbuluar prej kohësh nga rëra e Afrikës Veriore, por me këtë përkujtues të Biblës: «Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.»1 Gjonit 2:17.