Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tre burra të shekullit të 16-të në kërkim të së vërtetës—Çfarë gjetën?

Tre burra të shekullit të 16-të në kërkim të së vërtetës—Çfarë gjetën?

«Ç’ËSHTË e vërteta?» Këtë pyetje, Ponc Pilati, guvernatori romak i Judesë në shekullin e parë, ia bëri Jezuit, i cili po gjykohej para tij. (Gjoni 18:38) Sigurisht, Pilati nuk po kërkonte të vërtetën. Përkundrazi, pyetja që bëri, nxori në pah qëndrimin e tij skeptik ose cinik. Me sa duket, për Pilatin e vërteta ishte çdo gjë që dikush zgjidhte të besonte ose ajo që i mësonin. Në të vërtetë, për të nuk kishte asnjë mënyrë për të përcaktuar se ç’ishte e vërteta. Edhe sot, shumë veta mendojnë po njësoj.

Ata që shkonin në kishë në Evropën e shekullit të 16-të ishin në dilemë se cila ishte e vërteta që duhej të besonin. Të rritur me besimin tek autoriteti suprem i papës dhe te mësime të tjera të kishës, ata u përballën me ide të reja që përhapi Reforma, e cila në atë kohë kishte përpirë Evropën. Çfarë duhej të besonin? Si do ta kuptonin se ç’ishte e vërteta?

Në atë periudhë, mes shumë të tjerëve, jetuan edhe tre burra që ishin të vendosur të kërkonin të vërtetën. * Si arritën ta dallonin se ç’ishte e vërtetë dhe ç’ishte e rreme? Dhe, çfarë gjetën? Le ta shohim.

‘LEJOJE BIBLËN TË KETË GJITHMONË AUTORITET SUPREM’

Volfgang Kapito ishte një i ri me bindje fetare të rrënjosura. Ai studioi për mjekësi, drejtësi dhe teologji. U bë prift në vitin 1512 dhe më pas kapelan i krypeshkopit të Majncit.

Si fillim, u përpoq ta zbuste zellin e reformatorëve që predikonin një mesazh kundër dogmës katolike. Megjithatë, s’kaloi shumë dhe vetë ai filloi ta mbronte reformën. Çfarë bëri ai? Historiani Xhejms M. Kitelson shkruan se, kur Kapito përballej me mësime të ndryshme, ai besonte se «burimi më i mirë për ta gjykuar predikimin e tyre, ishte Bibla, pasi vetëm ajo ishte e sigurt». Kështu, Kapito nxori përfundimin se mësimet e kishës për transubstancimin dhe përnderimin e shenjtorëve nuk bazoheshin në Shkrime. (Lexo kutinë ‘ Shih nëse këto gjëra janë ashtu’.) Pasi la postin me pozitë pranë kryepeshkopit në vitin 1523, ai u transferua në Strasburg, që ishte një qendër e reformave fetare të asaj kohe.

Shtëpia e Kapitos në Strasburg u bë vendi ku takoheshin jokonformistët fetarë, ku pa dyshim diskutonin shumë çështje fetare dhe mësime biblike. Edhe pse disa reformatorë e përkrahnin ende doktrinën e Trinitetit, sipas librit Reforma rrënjësore (The Radical Reformation) shkrimet e Kapitos pasqyronin «ngurrim për sa i përket doktrinës së Trinitetit». Pse? Kapitos i kishte bërë përshtypje mënyra si i kishte përdorur shkrimet biblike teologu spanjoll Migel Servetos për të hedhur poshtë Trinitetin. *

Mohimi i Trinitetit do të sillte pasoja fatale, kështu që ai tregohej i kujdesshëm dhe nuk i shprehte hapur mendimet e tij. Gjithsesi, shkrimet e tij lënë të kuptohet se ai vetë e vinte në dyshim doktrinën e Trinitetit para se të takonte Servetosin. Më vonë, një prift katolik shkroi se Kapito dhe bashkëpunëtorët e tij «diskutuan privatisht, pa i bërë publike misteret më të mëdha të fesë; [dhe] e hodhën poshtë Trinitetin shumë të shenjtë». Një shekull më vonë, Kapito u rendit i pari ndër shkrimtarët më të shquar antitrinitarë.

Volfgang Kapito besonte se kisha dështoi kryesisht ‘ngaqë i shpërfillte Shkrimet’

Ai besonte se Bibla ishte burimi i së vërtetës. Ai tha: «Lejoje Biblën dhe ligjin e Krishtit të kenë gjithnjë autoritet suprem në teologji.» Sipas dr. Kitelsonit, Kapito «këmbëngulte se teologët që merreshin me studime, kryesisht dështuan ngaqë i shpërfillnin Shkrimet».

Këtë dëshirë të zjarrtë për ta mësuar të vërtetën nga Fjala e Perëndisë e kishte edhe Martin Selariusi (i njohur edhe si Martin Borhausi), një i ri që ndenji në shtëpinë e Kapitos në vitin 1526.

‘NJOHURI PËR PERËNDINË E VËRTETË’

Titulli i librit të Martin Selariusit, Veprat e Perëndisë, në të cilin ai krahasonte mësimet e kishës me Biblën

Selariusi lindi në vitin 1499 dhe ishte një studiues i zellshëm i teologjisë e i filozofisë. Ai pranoi një punë si mësues në Vitenberg, Gjermani. Meqë Vitenbergu ishte djepi i Reformës, s’kaloi shumë dhe ai u njoh me Martin Luterin dhe të tjerë që donin t’i reformonin mësimet e kishës. Si mund t’i dallonte Selariusi idetë njerëzore nga e vërteta biblike?

Sipas librit Mësimi i Reformës (Teaching the Reformation), Selariusi besonte se kuptueshmëria e vërtetë vjen «nga leximi i zellshëm i Shkrimeve, nga krahasimi i vazhdueshëm i Shkrimeve me njëri-tjetrin dhe nga lutjet me pendim». Çfarë zbuloi Selariusi nga shqyrtimi i Biblës?

Në korrik të vitit 1527, ai i botoi kërkimet e tij në librin me titull Veprat e Perëndisë (On the Works of God). Ai shkroi se ritet e kishës, si për shembull transubstancimi, ishin krejtësisht simbolike. Gjithashtu, sipas profesorit Robin Barns, libri i Selariusit «paraqiti interpretimin e profecive biblike, në të cilat thuhej se periudha e ardhshme me gjëma dhe vuajtje të gjithësishme do të pasohej nga një rimëkëmbje universale».—2 Pjetrit 3:10-13.

Me rëndësi të madhe ishin shënimet e shkurtra për natyrën e Jezu Krishtit. Megjithëse Selariusi nuk e kundërshtoi drejtpërdrejt Trinitetin, ai bënte dallimin mes «Atit qiellor» dhe «Birit të tij Jezu Krisht», dhe shkroi se Jezui ishte një nga perënditë dhe bijtë e shumtë të Perëndisë së plotfuqishëm.—Gjoni 10:34, 35.

Në librin e tij Biografia antitrinitare (Antitrinitarian Biography, 1850), Robert Uollasi vuri në dukje se shkrimet e Selariusit nuk ndiqnin besimin trinitar që ishte i zakonshëm në shekullin e 16-të. * Kështu, disa studiues nxjerrin përfundimin se Selariusi duhet ta ketë hedhur poshtë Trinitetin. Ai është përshkruar si një nga mjetet e Perëndisë «për të rrënjosur njohurinë për Perëndinë e vërtetë dhe për Krishtin».

SHPRESË PËR NJË RIMËKËMBJE

Rreth vitit 1527, Vitengergu u bë shtëpi edhe për teologun Johan Kampanus, që konsiderohet si një nga studiuesit më të mëdhenj të kohës së tij. Megjithëse ishte në zemër të reformës fetare, Kampanusin nuk e bindën mësimet e Martin Luterit. Pse?

Kampanusi i kundërshtoi idetë e transubstancimit dhe të konsubstancimit. * Sipas autorit Andre Sejgeni, Kampanusi besonte se «buka si substancë, mbetet gjithmonë bukë, por në ritet fetare përfaqëson në mënyrë simbolike trupin e Krishtit». Në mbledhjen e Marburgut, që u mbajt në vitin 1529 për të trajtuar pikërisht këto çështje, Kampanusin nuk e lejuan t’i shprehte ato që kishte mësuar nga Shkrimet. Më pas, reformatorët e tjerë në Vitenberg e mënjanuan atë.

Në librin Rimëkëmbja, Johan Kampanusi vuri në dyshim doktrinën e Trinitetit

Reformatorët u mërzitën veçanërisht nga bindjet e Kampanusit për Atin, Birin dhe frymën e shenjtë. Në librin Rimëkëmbja (Restitution) që e shkroi në vitin 1532, Kampanusi tregonte se Jezui dhe Ati i tij janë dy persona të ndryshëm. Ai shpjegoi se Ati dhe Biri ‘janë një’ vetëm ashtu si burri dhe gruaja janë «një mish i vetëm»—të bashkuar, por prapëseprapë dy persona. (Gjoni 10:30; Mateu 19:5) Ai vuri në dukje se Shkrimet përdorin të njëjtin ilustrim për të treguar se Ati ka autoritet mbi Birin: «Kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.»—1 Korintasve 11:3.

Ç’mund të themi për frymën e shenjtë? Sërish, Kampanusi e drejtoi vëmendjen te Bibla, duke shkruar: «Asnjë shkrim nuk e mbështet idenë se fryma e shenjtë është personi i tretë. . . . Fryma e Perëndisë duhet marrë në kuptimin veprues, sepse Ai përgatit dhe përmbush gjithçka nëpërmjet fuqisë dhe aktivitetit të frymës së tij.»—Zanafilla 1:2.

Luteri e quajti Kampanusin blasfemues dhe kundërshtar të Birit të Perëndisë. Një reformator tjetër kërkoi ekzekutimin e tij. Prapëseprapë, ai nuk u spraps. Sipas librit Reforma rrënjësore, «Kampanusi ishte i bindur se humbja e kuptueshmërisë me origjinë apostolike dhe biblike për kryesinë e Perëndisë dhe të burrit, çoi në rënien e Kishës».

Kampanusi nuk kishte ndër mend kurrë të krijonte një grup fetar. Ai tha se e kishte kërkuar më kot të vërtetën «te sektet dhe te gjithë heretikët». Prandaj, ai shpresonte se Kisha Katolike, nëpërmjet rimëkëmbjes, do të rivendoste mësimet e vërteta të krishtere. Megjithatë, më vonë, autoritetet katolike e arrestuan dhe ai mund të ketë kaluar më shumë se 20 vjet në burg. Historianët besojnë se ai vdiq rreth vitit 1575.

«SIGUROHUNI PËR TË GJITHA GJËRAT»

Studimi i zellshëm i Biblës e ndihmoi Kapiton, Selariusin, Kampanusin dhe të tjerë të dallonin të vërtetën nga mësimet e rreme. Jo të gjitha përfundimet e nxjerra nga këta burra që kërkonin të vërtetën ishin plotësisht në harmoni me Biblën. Prapëseprapë, ata rrëmuan me përulësi në Shkrime dhe, e vërteta që mësuan, ishte thesar për ta.

Apostulli Pavël i nxiti të bashkëkrishterët: «Sigurohuni për të gjitha gjërat, mbani fort atë që është e shkëlqyer.» (1 Selanikasve 5:21) Për të të ndihmuar në kërkimin e së vërtetës, Dëshmitarët e Jehovait kanë botuar një libër me titull të përshtatshëm: Çfarë mëson vërtet Bibla?

^ par. 8 Shih artikullin «Migel Servetosi—I vetëm në kërkim të së vërtetës» në revistën Zgjohuni!, maj 2006, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 17 Në lidhje me përdorimin që Selariusi i bën fjalës «perëndi» kur i referohet Krishtit, libri thotë: «Shkruhet deus dhe jo Deus, pasi kjo e dyta përdoret vetëm për Perëndinë më të lartë.»

^ par. 20 Konsubstancimi është mësimi i Luterit se buka dhe vera «bashkekzistojnë» me trupin e Krishtit në Darkën e Zotërisë.