A e dini?
Pse ua thyenin këmbët kriminelëve që ekzekutoheshin?
Në lidhje me ekzekutimin e Jezuit dhe të dy kriminelëve në shtyllat e torturës, tregimi i Ungjillit thotë: «Judenjtë i kërkuan Pilatit që t’u thyenin këmbët dhe të hiqnin trupat.»—Gjoni 19:31.
Ligji judaik thoshte se trupi i një krimineli të varur në shtyllë pas ekzekutimit, ‘nuk duhej të rrinte gjithë natën në shtyllë’. (Ligji i përtërirë 21:22, 23) Me sa duket, judenjtë e zbatonin të njëjtin rregull edhe për ata që ekzekutoheshin në shtyllë nga romakët. Prandaj, thyerja e këmbëve e përshpejtonte vdekjen e tyre dhe kështu mund t’i varrosnin para se të fillonte sabati në perëndim të diellit.
Në shumë ekzekutime të tilla, një të dënuari i ngulnin gozhdë në duar e në këmbë për ta mbërthyer në shtyllë. Kur shtylla ngrihej drejt, gjithë pesha e trupit varej te gozhdët, dhe kjo i sillte dhembje të padurueshme. Që të merrte frymë, ai duhej ta shtynte trupin lart me këmbët e gozhduara. Megjithatë, nëse ia thyenin këmbët, ai e kishte të pamundur ta bënte këtë. Ai do të vdiste shumë shpejt nga asfiksimi, në mos nga trauma.
Si përdoreshin hobetë në luftërat e lashta?
Hobeja ishte arma që përdori Davidi për të vrarë Goliadin gjigant. Me sa duket, Davidi mësoi ta përdorte këtë armë gjatë viteve që ishte bari.—1 Samuelit 17:40-50.
Hobeja shfaqet në artin egjiptian dhe asirian të kohëve biblike. Kjo armë kishte një xhep të hapur prej lëkure ose pëlhure të lidhur me dy rripa ose litarë. Hobetari vendoste në mbajtëse një gur të lëmuar ose rrumbullak me diametër 5 deri në 7,5 centimetra, i cili mbase peshonte 250 gramë. Më pas e vërtiste mbi kokë dhe lëshonte njërin nga litarët, duke e hedhur gurin me forcë dhe saktësi të madhe.
Gërmimet në Lindjen e Mesme kanë zbuluar një numër të madh gurësh që ishin përdorur për hobe në luftërat e lashtësisë. Luftëtarët e aftë mund t’i kenë vërvitur gurët me shpejtësi 160 deri në 240 kilometra në orë. Studiuesit nuk janë të një mendimi nëse hobeja mbulonte të njëjtën largësi me harkun, por ama hobeja ishte po aq vdekjeprurëse.—Gjykatësit 20:16.