Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE | A KEMI NEVOJË PËR PERËNDINË?

Pse lind kjo pyetje?

Pse lind kjo pyetje?

«Më mirë pa Zotin? Miliona veta thonë se po.» Këto fjalë ishin afishuar kohët e fundit në një tabelë reklamash të financuar nga një grup ateistësh. Me sa duket mendojnë se nuk kanë nevojë për Perëndinë.

Nga ana tjetër, shumë nga ata që thonë se besojnë te Perëndia, marrin vendime sikur ai të mos ekzistonte. Një kryepeshkop katolik, Salvatore Fizikela, tha për anëtarët e kishës së tij: «Kur na shohin, ka shumë mundësi që askush të mos e kuptojë se jemi të krishterë, ngaqë kemi të njëjtin stil jetese me jobesimtarët.»

Disa janë tepër të zënë për ta vrarë mendjen për Perëndinë. E mendojnë shumë të largët ose të paarritshëm, prandaj ai nuk ndikon shumë në jetën e tyre. Maksimumi, i drejtohen Perëndisë vetëm kur janë në hall ose kur kanë nevojë për diçka, gati-gati sikur të ishte një shërbëtor nën urdhrat e tyre.

Të tjerë nuk e zbatojnë atë që u mëson feja, ndoshta sepse mendojnë se nuk ka vlerë praktike. Sa për të përmendur një shembull, 76 për qind e katolikëve në Gjermani besojnë se për ata është e pranueshme që një burrë dhe një grua të jetojnë bashkë para se të martohen, pikëpamje kjo që bie ndesh me mësimet e kishës së tyre dhe të Biblës. (1 Korintasve 6:18; Hebrenjve 13:4) Sigurisht, katolikët nuk janë të vetmit që mendojnë se feja nuk ka lidhje me mënyrën e jetesës. Klerikët e shumë feve të ndryshme qahen se besimtarët e tyre sillen si «ateistë».

Nga këta shembuj lind logjikisht pyetja: a kemi vërtet nevojë për Perëndinë? Kjo pyetje nuk është aspak e re. Për herë të parë ajo është përmendur në faqet e para të Biblës. Që të gjejmë përgjigjen e kësaj pyetjeje, le t’u kushtojmë vëmendje disa çështjeve që janë ngritur në librin biblik të Zanafillës.