Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | GËNJESHTRA QË NA PENGOJNË TA DUAM PERËNDINË

Gënjeshtra se Perëndia nuk ka emër

Gënjeshtra se Perëndia nuk ka emër

ÇFARË BESOJNË SHUMË VETA?

«Nuk kemi rënë dakord as për të diskutuar nëse Perëndia ka një emër, dhe nëse po, si mund ta ketë.»—Profesori David Kaningam, Studime Teologjike (anglisht).

E VËRTETA SIPAS BIBLËS:

Perëndia tha: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im.» (Isaia 42:8) Jehova është një emër hebraik që do të thotë «Ai shkakton të bëhet».—Zanafilla 2:4, shih Përkthimin Bota e Re, shtojca 1A, paragrafi 1.

Jehovai do që ta përdorim emrin e tij. Bibla thotë: «Thërritni emrin e tij! Tregojuni popujve si ka vepruar ai! Shpallni që emri i tij është lartësuar!»—Isaia 12:4.

Jezui e përdori emrin e Perëndisë. Ai i tha Jehovait në lutje: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd [dishepujve të Jezuit] dhe do ta bëj të njohur.» Pse ua bëri të njohur emrin hyjnor dishepujve të tij? Ai vazhdoi: «Që ata të shfaqin atë dashuri që ti [Perëndia] ke treguar për mua, dhe unë të jem në unitet me ta.»—Gjoni 17:26.

PSE KA RËNDËSI?

«Një njeri që nuk e njeh Perëndinë me emër, nuk e njeh në të vërtetë si person,—shkroi teologu Uolter Lauri,—dhe nuk mund ta dojë nëse e koncepton vetëm si forcë abstrakte.»

Ta fshehësh ose ta zëvendësosh emrin e Perëndisë është si ta presësh e ta heqësh fare nga Bibla

Një burrë me emrin Viktor shkonte çdo javë në kishë, por e ndiente që nuk e njihte vërtet Perëndinë. «Pastaj mësova se emri i Perëndisë është Jehova dhe m’u duk sikur po e takoja për herë të parë,—tha ai.—Ndihesha sikur më në fund po njihja atë për të cilin kisha dëgjuar aq shumë. Dalëngadalë arrita ta shihja si Person real dhe të bëhesha mik me të.»

Nga ana tjetër, Jehovai afrohet me ata që e përdorin emrin e tij. Për «ata që mendojnë thellë për emrin e tij», Perëndia premton: «Unë do të tregoj dhembshuri për ta, ashtu sikurse një njeri tregon dhembshuri për birin e tij që i shërben.» (Malakia 3:16, 17) Gjithashtu, Perëndia i bekon ata që thërrasin emrin e tij. Bibla thotë: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.»—Romakëve 10:13.