A mund t’i besosh fesë në lidhje me paratë?
Estela * shkonte rregullisht në kishë bashkë me fëmijët e saj. «I kërkova pastorit të më mësonte për Biblën»,—thotë ajo. Por ai kurrë nuk u tregua i gatshëm. Më vonë, ajo nuk shkoi më në kishë. Estela vazhdon: «Drejtuesit e kishës më shkruan një letër dhe me pak fjalë më thanë se, nëse s’mund të shkoja, atëherë t’u dërgoja pará. Mendova: ‘Ata s’duan t’ia dinë fare nëse shkoj ose jo; u interesojnë vetëm paratë e mia.’»
Angelina, e cila gjithmonë ka qenë fetare, tha: «Në kishën time, në çdo shërbesë e kalonin tri herë shportën, dhe çdo herë duhej të jepnim pará. Kërkonin gjithmonë pará. Mendoja me vete: ‘Perëndia nuk është me këta njerëz.’»
A të bëjnë fetë në zonën tënde presion të drejtpërdrejtë ose të tërthortë që të japësh pará? A e miraton Bibla këtë?
ÇFARË MËSON BIBLA?
Jezui, themeluesi i krishterimit, tha: «Falas morët, falas jepni.» (Mateu 10:8) Mesazhi i Biblës nuk mund të blihet me pará dhe duhet t’u jepet të gjithë atyre që e duan.
Si i mbulonin të krishterët e hershëm shpenzimet e kongregacionit?
Çdonjëri prej tyre kontribuonte «ashtu si [kishte] vendosur në zemër, jo me pahir a me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.» (2 Korintasve 9:7) Apostulli Pavël tha: «Ne jua predikuam lajmin e mirë . . . , duke punuar natë e ditë, që të mos i bëheshim barrë e madhe askujt prej jush.» (1 Selanikasve 2:9) Pavli punonte si bërës tendash dhe kjo i jepte mundësi të vazhdonte shërbimin.—Veprat 18:2, 3.
SI JANË DËSHMITARËT E JEHOVAIT NË KËTË DREJTIM?
Zakonisht, Dëshmitarët e Jehovait mblidhen në ndërtesa modeste që quhen Salla Mbretërie. Si i mbulojnë shpenzimet? Ata kurrë nuk kalojnë pjata për të mbledhur pará, as dërgojnë letra për të kërkuar dhurata. Por, çdokush që e vlerëson programin biblik, mund të kontribuojë në një kuti në Sallën e Mbretërisë.
Si duhet financuar feja?
Pa dyshim, kjo revistë kushton për ta shtypur dhe për ta dërguar. Gjithsesi, kurrë nuk do të shohësh reklama ose kërkesa për pará. Qëllimi kryesor është përhapja e së vërtetës biblike.
Si mendon, a është mënyra si mbulohen këto shpenzime në harmoni me fjalët e Jezuit dhe me shembullin e të krishterëve të hershëm?
^ par. 2 Disa emra në këtë seri artikujsh janë ndryshuar.