Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të ndodhin vërtet mrekullitë?​—Tri kundërshtime të përhapura

A mund të ndodhin vërtet mrekullitë?​—Tri kundërshtime të përhapura

A mund të ndodhin vërtet mrekullitë?​—Tri kundërshtime të përhapura

KUNDËRSHTIMI 1: Është e pamundur të ndodhin mrekullitë, sepse janë kundër ligjeve të natyrës. Kuptueshmëria jonë për ligjet e natyrës bazohet në vëzhgimet që kanë bërë shkencëtarët në botën natyrore përreth nesh. Megjithatë, këto ligje ngjajnë me rregullat gramatikore të një gjuhe, nga të cilat ka edhe përjashtime. Në fakt, kuptueshmëria jonë për këto ligje të natyrës mund të jetë shumë e kufizuar. (Jobi 38:4) Një shkencëtar i përkushtuar mund të ketë kaluar një jetë të tërë duke studiuar një ligj të natyrës. Por, do t’i mjaftonte vetëm një «përjashtim» që të rishqyrtonte kuptueshmërinë e tij për atë ligj. Është tamam siç e thotë një shprehje: «Vetëm një mjellmë e zezë e hedh poshtë teorinë se të gjitha mjellmat janë të bardha.»

Një histori për të qeshur tregon sa e lehtë është të krijojmë një opinion pa i pasur të gjitha faktet. Xhon Loku (1632-1704) tregoi këtë histori të ambasadorit holandez dhe të mbretit të Siamit: teksa ambasadori ia përshkruante mbretit vendin e tij, Holandën, përmendi se ndonjëherë elefanti mund të ecte mbi ujë. Mbreti s’e pranoi këtë dhe mendoi se ambasadori po e gënjente. Sidoqoftë, ambasadori thjesht po përshkruante diçka që mbreti s’e kishte parë kurrë. Mbreti nuk e kuptonte se, kur uji ngrin e bëhet akull, mund të mbajë sipër edhe një elefant. Kjo i dukej e pamundur mbretit sepse nuk i kishte të gjitha faktet.

Të shqyrtojmë disa arritje të kohëve tona që mbase konsideroheshin të pamundura vetëm pak dekada më parë:

● Një avion mund të transportojë pa ndalim më tepër se 800 pasagjerë nga Nju-Jorku në Singapor, duke udhëtuar me shpejtësi 900 kilometra në orë.

● Video-konferencat bëjnë të mundur që njerëz nga kontinente të ndryshme të flasin drejtpërdrejt me njëri-tjetrin.

● Mijëra këngë mund ruhen në një pajisje më të vogël se një kuti shkrepseje.

● Kirurgët mund të transplantojnë zemrën dhe pjesë të tjera të trupit.

Ç’përfundim logjik mund të nxjerrim nga këto fakte? Këtë përfundim: nëse njerëzit mund të arrijnë gjëra të mëdha, që vetëm pak vite më parë dukeshin të pamundura, atëherë pa dyshim Perëndia që krijoi universin dhe gjithçka në të mund të kryejë vepra të mahnitshme që ende nuk i kuptojmë plotësisht ose s’mund t’i imitojmë tani për tani. *​—Zanafilla 18:14; Mateu 19:26.

KUNDËRSHTIMI 2: Bibla përdor mrekullitë që njerëzit të besojnë. Bibla nuk na thotë t’u besojmë të gjitha mrekullive. Në të vërtetë është krejt e kundërta. Bibla na paralajmëron që të jemi shumë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për të besuar mrekullitë dhe shenjat e fuqishme. Ja një paralajmërim i qartë: «Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrekullish të rreme dhe nga çdo mashtrim ligësie.»​—2 Selanikasve 2:9, 10. Diodati i Ri.

Edhe Jezu Krishti paralajmëroi se mjaft veta do të pretendonin se po ndiqnin shembullin e tij, por s’do të ishin dishepuj të vërtetë. Madje disa do t’i thoshin: ‘O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në emër tënd, a nuk i nxorëm shpirtrat e këqij në emër tënd, a nuk bëmë shumë mrekulli në emër tënd?’ (Mateu 7:22, Bibla Simon Filipaj) Por Jezui tha se nuk do t’i pranonte këta njerëz si dishepuj të tij. (Mateu 7:23) Pra, është e qartë që Jezui nuk mësoi se të gjitha mrekullitë vijnë nga Perëndia.

Perëndia nuk u thotë adhuruesve të tij ta bazojnë besimin vetëm te mrekullitë. Përkundrazi, duhet ta themelojnë fort besimin edhe në fakte të tjera.​—Hebrenjve 11:1.

Për shembull, le të shqyrtojmë një mrekulli të njohur që gjendet në Bibël, ringjalljen e Jezu Krishtit. Vite pas asaj ngjarjeje, disa të krishterë në Korint nisën të dyshonin nëse Jezui ishte ringjallur. Si i ndihmoi apostulli Pavël ata të krishterë? A u tha vetëm ‘kini më tepër besim’? Jo. Ja se si u kujtoi disa fakte të forta. U tha se Jezui «u varros, po, se sipas Shkrimeve, u ngrit ditën e tretë nga të vdekurit, se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve. Pas kësaj, iu shfaq njëherësh më shumë se pesëqind vëllezërve, pjesa më e madhe e të cilëve rrojnë deri më tani».​—1 Korintasve 15:4-8.

A kishte rëndësi nëse ata të krishterë e besonin atë mrekulli? Pavli vazhdoi më tej: «Nëse Krishti nuk është ngritur, predikimi ynë është me siguri i kotë, e po kështu dhe besimi ynë është i kotë.» (1 Korintasve 15:14) Ai s’e merrte lehtë këtë çështje. Mrekullia e ringjalljes së Jezuit ose ishte e vërtetë, ose jo. Pavli e dinte se ishte e vërtetë, sepse për këtë dëshmonin qindra dëshmitarë okularë që jetonin ende në atë kohë. Në fakt, ata dëshmitarë okularë më mirë pranonin të vdisnin, se të mohonin atë që kishin parë.​—1 Korintasve 15:17-19.

KUNDËRSHTIMI 3: Mrekullitë janë thjesht fenomene natyrore që keqkuptohen nga njerëzit e paarsimuar. Disa studiues përpiqen t’i shpjegojnë mrekullitë e Biblës thjesht si ngjarje natyrore që ndodhën pa ndërhyrjen hyjnore. Ata mendojnë se kjo i bën tregimet biblike më të besueshme. Ndonëse është e vërtetë se fenomenet natyrore mund të jenë shoqëruar me disa mrekulli, si për shembull me tërmete, murtaja dhe rrëshqitje dheu, këto shpjegime kanë një të përbashkët. Ato shpërfillin kohën kur ndodhi mrekullia siç shpjegohet në Shkrime.

Për shembull, disa kanë argumentuar se plaga e parë që ra në Egjipt​—kthimi në gjak i lumit Nil—​në të vërtetë ishte pasojë e përzierjes së dheut të kuq që ndodhej në shtratin e lumit me organizma të kuq të quajtur flagjelatë. Por tregimi biblik thotë se lumi u kthye në gjak, jo në baltë të kuqe. Po të lexojmë me kujdes Daljen 7:14-21, do të kuptojmë se kjo mrekulli ndodhi në momentin kur Aaroni, nën drejtimin e Moisiut, goditi lumin Nil me shkop. Edhe sikur shndërrimi i ujit të lumit të shkaktohej nga një ngjarje natyrore, vetë koha kur Aaroni goditi lumin ishte në vetvete mrekulli.

Për të kuptuar sa rëndësi ka koha kur ndodh një mrekulli, le të marrim një shembull tjetër. Të shohim çfarë ndodhi kur kombi i Izraelit ishte në prag të hyrjes në Tokën e Premtuar. Rrugën ua bllokonte lumi Jordan që në atë kohë dilte nga shtrati. Tregimi biblik na thotë ç’ndodhi më tej: «Sapo ata që mbartnin Arkën arritën në Jordan dhe këmbët e priftërinjve që mbanin Arkën u zhytën buzë ujërave, . . . ujërat që zbritnin nga lart filluan të ndaleshin. Ato u ngritën si një digë shumë larg, në Adam.» (Josiu 3:15, 16) A ishte kjo pasojë e ndonjë tërmeti a rrëshqitjeje dheu? Tregimi nuk e thotë. Por mrekullia qëndron te koha e kësaj ngjarjeje. Ajo ndodhi saktësisht në kohën e caktuar nga Jehovai.​—Josiu 3:7, 8, 13.

Atëherë, a ndodhin mrekullitë? Bibla thotë po. Sipas saj, ato nuk janë thjesht fenomene natyrore. Pra, a është e logjikshme të themi se s’ka mundësi të ndodhin mrekulli vetëm ngaqë nuk ndodhin çdo ditë?

[Shënimi]

^ par. 9 Nëse dyshon për ekzistencën e Perëndisë, të lutemi shih broshurat A kujdeset me të vërtetë Perëndia për ne? dhe A u krijua jeta? (botuar nga Dëshmitarët e Jehovait) ose kërkoji më shumë informacion atij që të dha këtë revistë.

[Figura në faqen 5]

Vetëm pak dekada më parë, shumë veta do ta konsideronin të pamundur që njerëzit të fluturonin me qindra kilometra në orë