Si të kemi një familje të lumtur?
Si të rifitoni besimin?
Stivi *: «Kurrë s’e mendoja se Xhodi do të kryente kurorëshkelje. E humba komplet besimin tek ajo. S’e përshkruaj dot sa e vështirë ishte ta falja.»
Xhodi: «E kuptoj pse Stivi e humbi besimin tek unë. M’u deshën shumë vjet që t’ia vërtetoja pendimin tim.»
PËR ata që bien viktimë e kurorëshkeljes, Bibla jep dy mundësi: të divorcohen ose jo. * (Mateu 19:9) Stivi që u përmend më sipër, vendosi të mos divorcohej. Bashkë me Xhodin vendosën ta shpëtonin martesën. Gjithsesi, shpejt mësuan se kjo nënkuptonte shumë më tepër se thjesht të vazhdonin jetën bashkë. Pse? Sepse, siç vërehet nga komentet e tyre, jobesnikëria e Xhodit e rrënoi tërësisht besimin te njëri-tjetri. Besimi i ndërsjellë është jetësor për lumturinë në martesë, prandaj ata kishin goxha punë.
Nëse ti me bashkëshortin po bëni shumë përpjekje për të shpëtuar martesën pas një zhgënjimi aq të madh sa kurorëshkelja, pa dyshim që përballeni me një sfidë madhore. Pasi merret vesh lajmi, muajt e parë mund të jenë tejet mundues. Por mund t’ia dilni mbanë! Si ta rifitoni besimin? Mençuria biblike vjen në ndihmë. Shqyrtoni katër sugjerimet e mëposhtme.
1. Jini të ndershëm me njëri-tjetrin.
‘Tani që keni flakur tej gënjeshtrën, secili të thotë të vërtetën’,—shkroi apostulli Pavël. (Efesianëve 4:25) Gënjeshtrat, gjysmë të vërtetat, madje edhe heshtja e minojnë besimin. Kështu që duhet t’i flitni hapur dhe me sinqeritet njëri-tjetrit.
Si fillim, ty dhe bashkëshortit mbase s’ju pëlqen fare ta zini në gojë jobesnikërinë. Megjithatë, më vonë do ta ndieni të nevojshme të
flitni hapur për çka ndodhi. Ndoshta zgjidhni të mos bisedoni për çdo hollësi, por të shmangësh krejtësisht këtë temë nuk është e mençur. «Në fillim, të flitja për këtë çështje më dukej tmerrësisht e vështirë dhe e neveritshme. Ishte diçka për të cilën ndieja keqardhje të thellë dhe s’doja gjë tjetër veçse ta kyçja diku e ta harroja»,—thotë Xhodi që u përmend më sipër. Gjithsesi, mungesa e komunikimit solli probleme. Pse? Stivi thotë: «Meqenëse Xhodi s’donte të fliste për tradhtinë, dyshimi s’më largohej.» Kur mendon për të kaluarën, Xhodi pranon: «Ngaqë nuk e diskutova me burrin, kjo e pengoi shërimin.»Pa dyshim, çdo bisedë rreth tradhtisë do të jetë e dhembshme. Debi, burri i së cilës, Poli, kreu kurorëshkelje me sekretaren, thotë: «Kisha shumë pyetje. Si? Pse? Për çfarë folën? Po rrënohesha emocionalisht pasi mendja më rrinte vetëm atje dhe, me kalimin e javëve, bëja edhe më tepër pyetje.» Poli thotë: «Kuptohet, ndonjëherë bisedat me Debin ktheheshin në grindje. Por, më vonë i kërkonim gjithmonë falje njëri-tjetrit. Ato biseda të ndershme na afruan më tepër.»
Si mund t’i shtensiononi sadopak biseda të tilla? Mos harroni se qëllimi parësor nuk është ta ndëshkoni partnerin, por të nxirrni mësime nga tragjedia dhe ta forconi martesën. Për shembull, Çul Suja dhe gruaja e tij, Mi Jengu, shqyrtuan lidhjen e tyre duke analizuar arsyet që çuan në jobesnikërinë e Çul Susë. Ai thotë: «Zbulova se isha dhënë tej mase pas interesave të mia. E vrisja tepër mendjen që të kënaqja të tjerët dhe të bëja atë që donin ata. Shumicën e kohës dhe të vëmendjes ua jepja atyre. Si rrjedhojë, kaloja pak kohë me gruan.» Duke kuptuar këto gjëra, Çul Suja dhe Mi Jengu bënë ca ndryshime që i ndihmuan ta forconin martesën me kalimin e kohës.
SUGJERIM: Nëse je bashkëshorti jobesnik, përmbahu të mos e justifikosh veten ose t’ia hedhësh fajin bashkëshortit. Mbaj përgjegjësinë e veprimeve të tua dhe të lëndimit që ke shkaktuar. Nëse je bashkëshorti i lënduar, mos i bërtit dhe mos e shaj bashkëshortin tjetër. Kur shmang këtë të folur, do ta nxitësh bashkëshortin të vazhdojë të flasë hapur me ty.—Efesianëve 4:32.
2. Punoni si skuadër.
«Dy janë më mirë se një»,—thotë Bibla. Pse? «Sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre. Sepse në rëntë njëri, tjetri mund ta ngrejë shokun.» (Eklisiastiu 4:9, 10) Ky parim është veçanërisht i vërtetë kur punoni fort që ta rifitoni besimin.
Së bashku, ti dhe bashkëshorti mund ta kapërceni mosbesimin që ka gërryer lidhjen tuaj. Megjithatë, të dy duhet të angazhoheni për ta shpëtuar martesën. Nëse përpiqeni ta përballoni situatën secili më vete, mund të krijoni më tepër probleme. Duhet ta shihni njëri-tjetrin si shokë skuadre.
Këtë kuptuan edhe Stivi me Xhodin. Ajo thotë: «Na u desh ca kohë, por unë dhe Stivi punuam bashkë si skuadër për të ndërtuar një lidhje të fortë. Isha e vendosur të mos i shkaktoja më kurrë dhembje të tillë. Dhe, megjithëse i lënduar, vendosi të mos e linte martesën tonë ta merrte lumi. Çdo ditë, kërkoja mënyra si ta siguroja për besnikërinë time dhe ai vazhdonte të më tregonte dashuri. Për këtë do t’i jem mirënjohëse përjetë.»
SUGJERIM: Së bashku, jini të vendosur të punoni si skuadër për ta rivendosur besimin në martesë.
3. Zëvendësojini zakonet e vjetra me të reja.
Pasi i paralajmëroi dëgjuesit ndaj kurorëshkeljes, Jezui këshilloi: «Nëse syri yt i djathtë po të bëhet pengesë, hiqe dhe flake tej.» (Mateu 5:27-29) Nëse je bashkëshorti që ka kryer kurorëshkelje, cilat veprime ose qëndrime mendon se duhet të heqësh e të flakësh tej për hir të martesës?
* (Proverbat 6:32; 1 Korintasve 15:33) Poli, që u citua më sipër, ndryshoi orarin e punës dhe numrin e celularit që të mos kishte të bënte më me gruan tjetër. Gjithsesi, me këto përpjekje nuk arriti të shmangte çdo kontakt. Poli ishte kaq i vendosur ta rifitonte besimin e gruas së tij, saqë e la punën. Gjithashtu e hoqi qafe celularin dhe përdorte vetëm telefonin e gruas. A ia ka vlejtur barra qiranë të bënte këto sakrifica? Gruaja e tij, Debi, thotë: «Kanë kaluar gjashtë vjet dhe ndonjëherë ende merakosem se mos ajo tjetra do të përpiqet ta kontaktojë. Por tani kam besim se Poli nuk do t’i dorëzohet tundimit.»
Qartë, është e nevojshme të shkëputësh çdo lidhje me personin me të cilin ke kryer kurorëshkelje.Nëse je bashkëshorti fajtor ndoshta duhet të bësh ndryshime edhe në personalitet. Për shembull, mbase ke prirjen të flirtosh ose jep këtë përshtypje. Ndoshta kënaqesh duke fantazuar lidhje romantike me persona të tjerë. Nëse po, ‘zhvishe personalitetin e vjetër me praktikat e tij’. Zëvendësoji zakonet e vjetra me zakone të reja që do t’ia forcojnë bashkëshortit besimin te ti. (Kolosianëve 3:9, 10) A ta bën të vështirë mënyra si je rritur që të shfaqësh përzemërsi? Edhe pse fillimisht mund të të duket e pavend, mos ia kurse bashkëshortit shprehjet e dashurisë dhe siguroje që ende e do. Stivi kujton: «Xhodi më tregonte shpesh përzemërsi duke më ledhatuar dhe më thoshte rregullisht ‘të dua’.»
Për njëfarë kohe, do të ishte mirë të tregoheshe krejt i hapur për gjërat që bën çdo ditë. Mi Jengu, që u përmend më sipër, thotë: «Çul Suja vendosi të më thoshte gjithçka që i ndodhte gjatë ditës, edhe më të parëndësishmet, për të më treguar se s’kishte asgjë për të fshehur.»
SUGJERIM: Pyetni njëri-tjetrin cilat veprime mund t’ju ndihmojnë ta rifitoni besimin. Bëni një listë të tyre dhe pastaj zbatojini. Gjithashtu, shtojini rutinës suaj disa veprimtari që t’i bëni që bashku.
4. Kuptoni kur është koha për të ecur para.
Mos nxirrni menjëherë përfundimin se ka ardhur koha të jetoni sikur çdo gjë t’i ishte kthyer normalitetit. Proverbat 21:5 paralajmëron: «Kush është i nxituar, me siguri shkon drejt skamjes.» Do të duhet kohë—ndoshta vite—për ta rivendosur besimin.
Nëse je bashkëshorti i tradhtuar, lëri kohë vetes për të falur plotësisht. Mi Jengu kujton: «Dikur mendoja se ishte e çuditshme që një grua të mos e falte burrin jobesnik. Nuk e kuptoja dot pse mbante mëri për shumë kohë. Por, kur burri më tradhtoi, kuptova pse falja është e vështirë.» Falja dhe besimi zakonisht vijnë gradualisht.
Megjithatë, Eklisiastiu 3:1-3 thotë se ka «një kohë për të shëruar». Mbase fillimisht mendon se rruga më e mirë është të veçohesh emocionalisht nga bashkëshorti. Gjithsesi, ta bësh këtë pambarimisht nuk do të të ndihmojë të rifitosh besimin e bashkëshortit. Që ta shërosh të çarën, fale bashkëshortin dhe tregoje këtë duke i shprehur mendimet dhe ndjenjat më të thella. Gjithashtu, nxite t’i ndajë me ty gëzimet dhe shqetësimet e tij.
Mos ushqe mëri. Përpiqu ta mposhtësh atë. (Efesianëve 4:32) Mund të të ndihmojë meditimi rreth shembullit të Perëndisë. Ai u lëndua tej mase kur adhuruesit e tij në Izraelin e lashtë u larguan nga ai. Perëndia Jehova e krahasoi veten me një bashkëshort që e kishin tradhtuar. (Jeremia 3:8, 9; 9:2) Por ai nuk ‘mbajti mëri përgjithmonë’. (Jeremia 3:12) Kur populli u pendua sinqerisht dhe u kthye tek ai, Jehovai e fali.
Me kalimin e kohës, kur të jeni të dy të kënaqur me ndryshimet e nevojshme që keni bërë në lidhjen tuaj, do të fitoni një ndjenjë sigurie. Më pas, në vend që ta përqendroni vazhdimisht vëmendjen veç te shpëtimi i martesës, mund të përqendroheni në synime të tjera. Prapëseprapë, lini kohë rregullisht që të vlerësoni sa keni përparuar. Mos u kënaqni vetëm me kaq. Merruni edhe me pengesat e vogla dhe jepni prova të përkushtimit ndaj njëri-tjetrit.—SUGJERIM: Në vend që të përpiqeni ta ktheni martesën siç ishte më parë, zëreni sikur po ndërtoni një lidhje të re dhe më të fortë.
Mund t’ia dilni
Nëse ndonjëherë ndiheni të pasigurt, mos harroni se Perëndia është nismëtari i martesës. (Mateu 19:4-6) Prandaj, me ndihmën e tij, mund të bëni që martesa juaj të lulëzojë. Të gjitha çiftet e përmendura më sipër zbatuan këshillat e mençura të Biblës dhe arritën ta shpëtonin martesën.
Kanë kaluar më tepër se 20 vjet që kur lidhja mes Stivit dhe Xhodit pësoi krizë. Ja si e përmbledh Stivi rrugën drejt rimëkëmbjes: «Përmirësimet më domethënëse i bëmë kur filluam të studionim Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ndihma që morëm s’kishte të çmuar. Si rezultat ia dolëm mbanë gjatë atyre kohëve të vështira.» Xhodi thotë: «Ndihem tejet e bekuar që arritëm ta përballonim atë kohë të tmerrshme. Duke studiuar Biblën së bashku dhe duke u përpjekur goxha, tani kemi një martesë të mrekullueshme.»
^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.
^ par. 5 Për të të ndihmuar në këtë vendim, shih revistën Zgjohuni! të 8 gushtit 1995, faqet 10, 11 (anglisht) dhe të majit 1999, faqja 6.
^ par. 17 Nëse për një periudhë kohe disa kontakte (si për shembull në punë) është e pamundur t’i shmangësh, ato duhet të kufizohen vetëm në atë që është e domosdoshme. Kur ke të bësh me personin tjetër, sigurohu që të jesh në prani të të tjerëve dhe që bashkëshorti të jetë në dijeni për çdo gjë.
PYET VETEN . . .
-
Për ç’arsye vendosa të mos i jap fund martesës pavarësisht nga jobesnikëria e së kaluarës?
-
Cilat cilësi pozitive shoh tani te bashkëshorti?
-
Si tregoja dashuri në gjëra të vogla kur po njihesha me bashkëshortin dhe si mund ta bëj sërish këtë?