Abrahami—Njeri i guximit
Abrahami—Njeri i guximit
Abrahami shikon familjen dhe shërbëtorët teksa bëhen gati të nisen për në Kanaan. (Zanafilla 12:1-5) Ndërsa vështron këtë grup të madh që i var shpresat tek ai për bukën e gojës, Abrahami e kupton më së miri përgjegjësinë ndaj tyre. Si do t’ua plotësojë nevojat materiale në një vend të panjohur? Mos do të ishte më e lehtë në Ur, një zonë e begatë me kullota të gjera, me tokë pjellore dhe me ujë të bollshëm? Po sikur të sëmuret a të vdesë në vendin e ri? Kush do të kujdeset për familjen? Edhe nëse e bren meraku për këto gjëra, Abrahami nuk lejon që frika ta paralizojë. Çfarëdo që të ndodhë, është i vendosur t’u bindet urdhërimeve të Perëndisë—shenjë e guximit të vërtetë.
ÇFARË ËSHTË GUXIMI? Do të thotë të jesh i fortë, i patrembur dhe trim. Është e kundërta e ndrojtjes ose e burracakërisë. Të jesh i guximshëm nuk do të thotë patjetër të mos kesh asnjëherë frikë. Në vend të kësaj, dikush që ka guxim nga Perëndia, vepron edhe pse ka frikë.
SI TREGOI GUXIM ABRAHAMI? Abrahami s’e kishte problem të shkonte kundër rrymës. Ai u rrit në një ambient ku njerëzit adhuronin një mori perëndish dhe idhujsh. Prapëseprapë, nuk e lejoi frikën se ç’do të mendonin të tjerët, ta sprapste nga ajo që e dinte se ishte e drejtë. Përkundrazi, Abrahami pa u trembur mori drejtim tjetër në jetë: zgjodhi të adhuronte vetëm një Perëndi, ‘Perëndinë Më të Lartë’, Jehovain.—Zanafilla 14:21, 22.
Abrahami e vuri adhurimin e Perëndisë së vërtetë para interesave materiale. Ishte i gatshëm të hiqte dorë nga jeta e rehatshme në Ur e t’i drejtohej shkretëtirës, me besim të plotë se Jehovai do të kujdesej për nevojat e tij materiale. Sigurisht, ndërsa vitet kalonin, Abrahamit mund t’i ketë shkuar mendja te disa rehati që gëzonte në Ur. Por ishte i sigurt se Jehovai do t’ia siguronte gjithmonë gjërat e nevojshme atij dhe familjes. Teksa kapej fort pas Jehovait, si Personi më i rëndësishëm në jetë, Abrahami gjeti guxim t’u bindej urdhërimeve të Perëndisë.
ÇFARË MËSOJMË? Abrahamin e imitojmë duke u bërë më të guximshëm për t’iu bindur Jehovait, edhe nëse të tjerët përreth nuk e bëjnë. Për shembull, Bibla mëson se ata që vendosin të besojnë te Perëndia Jehova, mund të hasin kundërshtim, ndoshta nga miq ose të afërm me qëllime të mira. (Gjoni 15:20) Sidoqoftë, kur jemi të bindur për gjërat që kemi mësuar për Jehovain, i mbrojmë ato, por me respekt.—1 Pjetrit 3:15.
Gjithashtu, mund t’i besojmë premtimit të Perëndisë se do t’ua plotësojë nevojat atyre që besojnë tek ai. Falë këtij besimi, marrim guxim ta përqendrojmë jetën në gjërat që lidhen me Perëndinë e jo te meraku për gjërat materiale. (Mateu 6:33) Ja si e ka bërë këtë një familje.
Ndonëse me dy djem të vegjël, Dagu dhe Beki donin të transferoheshin në një vend ku nevojiteshin më tepër predikues të lajmit të mirë të Biblës. Pasi bënë kërkime të kujdesshme dhe lutje të zjarrta, vendosën të mos hiqnin dorë nga planet. Dagu thotë: «Duhej guxim të transferoheshim bashkë me fëmijët, pasi nuk e dinim me saktësi çfarë na priste. Por, që kur i nisëm planet, shqyrtuam shembullin e Abrahamit e të Sarës. Kur meditonim për besimin që kishin te Jehovai—dhe mbështetjen që u dha gjithmonë—kjo na ndihmoi goxha.»
Ja çfarë thotë Dagu për jetën në një vend të huaj: «Jemi bekuar tej mase.» Pastaj shpjegon: «Ngaqë bëjmë jetë shumë më të thjeshtë, pjesën më të madhe të ditës e kalojmë si familje: predikojmë, flasim me njëri-tjetrin dhe luajmë me djemtë. Ndihemi kaq të lehtësuar sa vështirë të përshkruhet.»
Natyrisht, jo çdokush ka mundësi të bëjë ndryshime kaq të mëdha. Sidoqoftë, të gjithë mund ta imitojmë shembullin e Abrahamit duke i dhënë përparësi adhurimit të Perëndisë, me besim se do të na gjendet pranë për të na mbështetur. Kur veprojmë kështu, po ia vëmë veshin këshillës biblike «që të kemi shumë guxim dhe të themi: ‘Jehovai është ai që më ndihmon, nuk do të kem frikë.’»—Hebrenjve 13:5, 6.
[Diçitura në faqen 7]
Dikush që ka guxim nga Perëndia, vepron edhe pse ka frikë
[Kutia dhe figura në faqen 8]
Grua e perëndishme dhe bashkëshorte e çmuar
Sara kishte një burrë me besim të jashtëzakonshëm. Por edhe kjo grua e perëndishme la një shembull të shkëlqyer që ia vlen të shqyrtohet. Në fakt, Bibla e përmend tri herë Sarën si shembull për t’u imituar nga gratë e devotshme. (Isaia 51:1, 2; Hebrenjve 11:11; 1 Pjetrit 3:3-6) Ndonëse Shkrimet nuk thonë shumë gjëra për këtë grua të shquar, arrijmë të dallojmë cilësi të vyera tek ajo.
Për shembull, mendo si mund të ketë reaguar në fillim Sara, kur Abrahami i tregoi se Perëndia u kishte kërkuar të largoheshin nga Uri. A e pyeste veten ku po shkonin dhe për ç’arsye? A ishte në merak për nevojat materiale? A ndihej e trishtuar që po linte miqtë dhe familjen, pa e ditur kur do t’i takonte sërish, nëse do t’i takonte ndonjëherë? S’ka dyshim se këto gjëra duhej t’i kenë kaluar në mendje. Prapëseprapë, u largua me gatishmëri, me besim se Jehovai do ta bekonte për bindjen.—Veprat 7:2, 3.
Përveçse ishte shërbëtore e bindur e Perëndisë, Sara ishte edhe bashkëshorte e shkëlqyer. Në vend që të konkurronte me burrin se kush do të kishte fjalën e fundit në familje, Sara zhvilloi respekt të thellë për të, duke e mbështetur me dashuri teksa ai drejtonte familjen. Kështu, ajo e stoliste veten, zbukurohej nga cilësitë e mira të brendshme.—1 Pjetrit 3:1-6.
A mund të nxjerrin dobi gratë sot nga virtyte të tilla? Xhili, një grua që ka pasur martesë të lumtur prej 30 vjetësh, thotë: «Nga Sara kam mësuar t’ia shpreh lirshëm pikëpamjen bashkëshortit. Sidoqoftë, si kreu i familjes, burri im ka përgjegjësinë të marrë përfundimisht vendimet. Pastaj më mbetet mua të bëj çmos që të përkrah vendimin e tij.»
Ndoshta, gjëja më prekëse që mësojmë nga Sara është kjo: ndonëse ishte shumë e pashme, Sara nuk lejoi që bukuria fizike ta bënte krenare. (Zanafilla 12:10-13) Përkundrazi, ajo e mbështeti me përulësi Abrahamin në jetën që kaluan bashkë me kohë të mira dhe të këqija. Pa dyshim, Abrahami dhe Sara ishin çift besnik, i përulur dhe i dashur; çift që i sollën vërtet bekime njëri-tjetrit.